Ndërtimtaria vazhdon të mbetet ndër sektorët më të rrezikshëm për punëtorët në Kosovë. Një 24-vjeçar ka mbetur i vdekur të hënën në Prizren, duke e çuar në 13 numrin e vdekjeve në vendin e punës vetëm gjatë këtij viti. Përfaqësuesit e punëtorëve kërkojnë masa urgjente, ndërsa ekspertët paralajmërojnë se pa kontrolle të rrepta, rastet fatale do të vazhdojnë
Autore: Yllnora Elshani - Arifaj
Një 24-vjeçar nga Malisheva ka humbur jetën në vendin e punës, duke kthyer në vëmendje shqetësimet për kushtet e sigurisë dhe mbrojtjen e punëtorëve.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo24-vjeçari, punonjës në ndërtimtari ka humbur jetën në vendin e punës në Prizren.
Sipas Policisë, gjatë procesit të betonimit dyshohet se ai është goditur nga vinçi.
“Policia është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të rastit”, ka thënë për Kohën, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyçi.
Eksperti i sigurisë në punë, Minir Fetahu, ka thënë se shumë nga aksidentet fatale mund të parandalohen nëse zbatohen rregullat dhe shtohet kontrolli në terren.
“Shumë nga këto aksidente apo humbje jetësh mund të ishin parandaluar me mbikëqyrje më të rreptë. Duhet me vazhdu inspektimi dhe mos me qenë publik. Duhet me shku papritmas në vendet e punës dhe jo me i lajmëru”, ka thënë Fetahu.
Ai ka kërkuar rregullim më të qartë të punës gjatë temperaturave të larta, duke propozuar reduktim të orarit për punëtorët që punojnë në ambiente të hapura.
E sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, ky është rasti i 13-të që punonjësit kanë humbur jetën në vendet e punës këtë vit.
Kryetari i kësaj sindikate Jusuf Azemi, ka thënë numri kaq i madh i viktimave dëshmon për dështim të sistemit të mbrojtjes në punë.
"Faji kryesor qëndron në radhë të parë tek pronarët e kompanive, pastaj vjen Inspektorati i Punës, me inspektorë të pakualifikuar. Nëse ende pa i bërë gjashtë muaj kemi 13 vdekje në vendin e punës, kjo tregon se diçka nuk është në rregull", ka thënë Azemi.
Azemi është shprehur se sindikata ka kërkuar vazhdimisht bashkëpunim me Qeverinë dhe Ministrinë e Punës për projekte edukimi mbi sigurinë në punë, por siç ka thënë, pa rezultat.
"Kemi kërkuar projekt të përbashkët për edukimin e punëtorëve dhe pronarëve lidhur me rreziqet në punë, por deri më tani nuk kemi asnjë lëvizje", ka thënë Azemi.
Ai ka theksuar se duhet të bëhet krijimi i një fondi të veçantë për familjet e punëtorëve që humbin jetën në vendet e punës.
Sipas tij, siguria dhe shëndeti në punë nuk mund të garantohen me aksione të përkohshme, por vetëm me mbikëqyrje të vazhdueshme.
Për numrin e viktimave në vendet e punës ka të dhëna të ndryshme.
Gjatë vitit të shkuar, sipas Inspektoratit të Punës, 19 punëtorë kanë humbur jetën e sipas Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, ky numër është mbi 30.