Arbëri

Çitaku-Kurtit: T’i s’kërkon marrëveshje, por nënshtrim

Vlora Çitaku - PDK

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, se ai nuk do marrëveshje për qeverisje, por nënshtrim.

Çitaku ka komentuar deklaratat e fundit të Kurtit në një takim me mërgatën në Londër. Aty Kurti ka treguar se i ka bërë ofertë për bashkëqeverisje Nismës, por sipas tij nuk është e lehtë arritja e marrëveshjes. Kurti ka thënë se në atmosferën politike në Kosovë ka xhelozi e inate më shumë se ide, punë e pasion.

Deklaratat e Kurtit në Londër, Çitaku i ka parë si keqpërdorim të misioneve diplomatike të Kosovës për nevoja partiake të Lëvizjes Vetëvendosje.

“Në kulmin e fushatës zgjedhore, në një kohë kur vendi nuk ka qeveri legjitime, ky është abuzim i skajshëm me institucionet e shtetit. Rasti i fundit në Londër e shfaq më qartë se kurrë mendësinë e një partie që e sheh shtetin si pronë të vetën. E për më tepër, njeriu që nuk la askënd pa fyer e përbuzur, pa asnjë kod, sot paska dalë të thotë se na qenka helmuar atmosfera, se paska xhelozi e inate, andaj po e ka vështirë ta bëjë qeverinë. Jo A.K. Ti nuk kërkon marrëveshje, as kompromis. Ti kërkon nënshtrim. Por ky popull nuk është e nuk do të jetë kurrë popull që nënshtrohet”, ka shkruar Çitaku në Facebook.

Kurti është mandatar i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër. Ai ka kohë deri të dielën për të çuar në Kuvend propozimin për votim të Qeverisë. Për ta formuar Qeverinë, Kurtit i duhet mbështetja e të paktën 61 deputetëve. Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila ka dalë parti e parë në zgjedhjet nacionale të 9 shkurtit, i ka 48 deputetë në Kuvend. Përkrahje gëzon nga shtatë deputetë që u përkasin komuniteteve joserbe, si dhe të Nenad Rashiqit.  Kurti dhe Vetëvendosje nuk e kanë të sigurt mbështetjen e deputetes boshnjake, Duda Balje, të atij egjiptian, Veton Berisha, dhe të Adem Hoxhës, i cili i përket komunitetit goran. Bazuar në këtë, Vetëvendosjes i duhet mbështetja e edhe së paku 5 deputetëve.