Në vlugun e polarizimeve, Bienalja Ndërkombëtare e Artit në Venecia ka nisur hapjen e pavijoneve shtetërore. Kosova sivjet përfaqësohet me “Dhëmbë të fortë” të Brilant Milazimit, një vepër që kontekstualizon pritjen e që lidhet edhe me luftën. Edicioni i 61-të i Bienales, është në kulmin e përplasjeve pas lejimit të pjesëmarrjes së Rusisë dhe Izraelit dhe dorëheqjes së Jurisë
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMbizotërojnë e kuqja dhe e kaltra. Piktura monumentale është një lloj mozaiku ku s’gjejnë vend shumë ngjyra por nuancat janë të shumta. Është rrëfimi i Kosovës në ngjarjen më të madhe të artit bashkëkohor në botë, në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia. Të mërkurën pasdite Pavijoni i Kosovës ka hapur dyert për veprën e Brilant Milazimit që sivjet përfaqëson shtetin më të ri të Evropës në Bienale.
Me kurator meksikanin José Esparza Chong Cuy, “Dhëmbë të fortë” bazohet te pritja. Vargu aty ilustrohet në formate të ndryshme. Në kontekstin vendor ai ka shumë simbolika. Lidhet me luftën e para gati tri dekadave, pamjet e refugjatëve dhe të kuqen si ilustrim edhe të gjakut. Ngacmon edhe të sotmen ku pritja ilustron shumëçka, madje edhe qeverisjen.
Në kontekstin global vargu i Milazimit është njëfarë pasqyre refugjatësh e konfliktesh gjithandej botës.
“Jam duke u ndier tepër krenar dhe i lumtur me mundësinë që të prezantoj këtë punë që është prapa nesh që e trajton frikën. Punë e cila është shumë e lidhur ngushtë me Kosovën dhe po ashtu është universale”, ka thënë Milazimi.
Për shtetin e Kosovës, përfaqësimi ka rëndësi të veçantë. Në edicionin e 61-të, është përfaqësimi i shtatë i Kosovës, e cila në Bienale debutoi në vitin 2013 me Petrit Halilajn.
“Është një ndjesi e veçantë të jem këtu sot, jo vetëm në rolin që e përfaqësoj por edhe të shoh veprën e jashtëzakonshme të artistit tonë në një vend ku merr pjesë e gjithë bota dhe gjithnjë vjen pyetja se çfarë të veçon ty nga të tjerët në raport me përfaqësimin që bën apo me punën e artistit”, ka thënë ministrja Bogujevci.
Sipas konceptit kuratorial pritja nuk është formësuar vetëm nga zhvendosja dhe lufta, por edhe nga shtyrja e zgjatur e njohjes së plotë politike të Kosovës. Sovraniteti, në këtë kontekst, nuk ka qenë kurrë një parim abstrakt. Ai është përjetuar përmes dokumenteve që nuk vijnë, përmes kufijve që nuk hapen, përmes lejeve që mbeten provizore. Sipas konceptit, të presësh, në Kosovë, ka nënkuptuar të jetosh në një shtet që ekziston, por që vazhdimisht i kërkohet të justifikojë ekzistencën e tij.
Pavijoni i Kosovës zë vend në kishën “Santa Maria del Pianto”, ish-manastir përballë lagunës veriore të Venecias. Është hapësire rreth 1.5 kilometra larg “Arsenales”, një prej hapësirave kryesore ekspozuese ku Kosova zakonisht ka pasur Pavijonin.
Sivjet nën konceptin e kuratores Koyo Kouoh e nën titullin “In Minor Keys” edicioni i 61-të i Bienales Ndërkombëtare të Artit hapet për publikun më 9 maj. Kuratorja e prezantuar më 2024 vdiq në maj të vitit 2025. Por me mbështetjen e plotë të familjes së saj, Bienalja vendosi ta realizojë ekspozitën sipas projektit që ajo e kishte konceptuar. Bienalja asnjëherë s’ka qenë më e polarizuar sesa sivjet. Lejimi i pjesëmarrjes së Rusisë dhe Izraelit, dorëheqja e jurisë pak para hapjes e kritikat e forta kanë bërë që ngjarja të ngjyroset fort edhe politikisht. Në këtë edicion përfaqësohen 100 shtete.