Në 6 euro ka mbërritur çmimi i një bilete për rrugën Gjakovë-Prishtinë. Çmimi i ri sinjalizon një valë të re të shtrenjtimeve, pas shtrenjtimit të naftës si pasojë e luftës në Iran. Përderisa çmimi deri tash ishte 5 euro për një biletë, çmimi i ri nënkupton shtrenjtim prej 20 për qind.
KOHA ka raportuar të hënën se me të njëjtin trend kanë nisur të shtrenjtohen biletat ndërurbane edhe në disa linja të tjera.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNdërkaq të martën, një qytetare ia ka dërguar KOHËS çmimoren e re.
“Deri tash ka qenë 5 euro. Sa herë ka shtrenjtim të naftës çmimi po ngrihet, ndërsa kur po ka normalizim nuk e ulin çmimin. Njëjtë ka qenë edhe më herët”, ka thënë një qytetare në kushte anonimiteti.
Biletat ishin shtrenjtuar edhe më 2022 kur ishte shtrenjtuar nafta.
Dje KOHA raportoi se për relacionet Prishtinë–Rahovec nga 3.50 euro sa ishte bileta, tash e tutje do të jetë 4 euro, ndërsa për Prishtinë–Mitrovicë, nga 1.50 euro, çmimi tash është 2 euro.
Rritje të çmimit të biletave ka edhe për relacionet e tjera.
Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori” ka theksuar se kjo ngritje e çmimeve të naftës do të ketë efekt edhe në ngritjen e produkteve të tjera.
“Çdo ngritje e çmimit, kësaj radhe të karburantit, shkakton efekte të ashtuquajtura domino. Kjo rritje e çmimit do të ndikojë në ngritjen e të gjitha çmimeve të tjera, pa marrë parasysh përqindjen e derivatit në një prodhim të caktuar. Në transport, nëse rritja e çmimit të derivateve është 30%, atëherë biletat shkojnë deri në 50%. Kjo nuk është reale, por as 20% nuk është reale, sepse rritja prej 30% e derivatit nuk ndikon në mënyrë proporcionale në çdo çmim të biletës”, ka thënë ai.
Kaçaniku ka shprehur shqetësimin se pas rënies së çmimit të naftës, çmimet e ngritura nuk do të preken dhe, sipas tij, Qeveria nuk është duke marrë masa.
E Jakup Berisha, kryetari i Unionit të Shoqatave të Transportit Rrugor, është shprehur se gjendja e transportuesve është e rëndë.
Sipas tij, deri në 75 për qind e të hyrave të kompanive shkojnë për karburante.
Ai ka theksuar se Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa për të ndalur rritjen e çmimit të naftës.
“Atëherë do të duhej që Qeveria të ndërhyjë dhe të ulë ose ta heqë fare akcizën derisa të jetë gjendje emergjente apo gjendje lufte, sepse këto janë kushte të jashtëzakonshme. Shteti duhet të ketë edhe rezerva të naftës, siç ka për grurin, miellin, sheqerin dhe kripën për gjendje emergjente. Atëherë do të duhej të ndërhynte me këto rezerva”, ka thënë Berisha.
Ai ka paralajmëruar se nëse vazhdon ky trend i rritjes, kompanitë do të detyrohen ta ndalojnë krejtësisht operimin ose t’i rrisin çmimet në të gjitha linjat.
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë dy nga shtetet që kanë ofruar masa ndihmëse. Po ashtu, edhe Kroacia.