Arbëri

Dalja në tregun e lirë energjetik, ZRRE: 8% ende pa furnizues

zrre

Zyra e Rregullatorit për Energji u ka bërë thirrje bizneseve që i plotësojnë kriteret për të dalë në treg të hapur, e që nuk kanë nënshkruar kontrata komerciale ende, të lidhin kontratat sa më shpejt me një furnizues të licencuar. Ndryshe, ka shtuar ZRRE, do të vazhdojë ndërprerja e furnizimit me energji elektrike për to. 

ZRRE-ja ka lëshuar një komunikatë në të cilën ka thënë se procesi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike është detyrim ligjor, i përcaktuar më 2016. Siç ka thënë ZRRE, procesi i liberalizimit të tregut energjetik ka nisur më 2017 por se procesi ka pësuar vonesa më pas për shkak të disa rrethanave. 

“Megjithatë, zbatimi i mëtutjeshëm i procesit të liberalizimit të tregut të energjisë për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme ka pasur vonesa, si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe krizës energjetike ndërkombëtare. Pas kësaj, ZRrE ka vendosur që nga data 1 Qershor 2025 të vazhdoj zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, si detyrim ligjor dhe në të mirë të konsumatorëve fundor. Duhet theksuar se liberalizimi i tregut të energjisë elektrike është i rëndësishëm jo vetëm për përafrimin me Direktivat Evropiane, por edhe sepse krijon konkurrencë në një treg që deri më tani ka funksionuar si monopol”, thuhet në komunikatë. 

ZRRE-ja ka thënë më tej se ka të licencuar 23 kompani për aktivitetin e furnizimit me energji elektrike, prej të cilave 7 furnizues janë aktivë, të cilët kanë nënshkruar kontrata me konsumatorët. 

“Sqarojmë opinionin publik se 9,963 pika matëse të ndërmarrjeve ekonomike i plotësojnë kriteret ligjore për të dalur në tregun e hapur të energjisë elektrike, ku prej tyre: · 9,212 pika matëse (92%) janë duke u furnizuar me kontrata komerciale; · 751 pika matëse (8%) ende janë pa furnizues”.

Bizneset që nuk kishin lidhur kontrata me furnizues deri më 1 qershor, u ishte mundësuar që të furnizoheshin edhe për 60 ditë të tjera nga KEK-u si Furnizues i Mundësisë së Fundit.

Oda Ekonomike e Kosovës ka dorëzuar padi më 19 gusht ndaj Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, në Gjykatën Supreme për çështjen e daljes së bizneseve në treg të lirë të energjisë. Të shtunën nisi shkyçja e bizneseve që nuk kanë nënshkruar kontrata për furnizim me energji.

E, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, i ka reaguar ZRRE-së duke thënë se po i shërben qeverisë dhe “mafisë energjetike”. Ajo ka thënë se bordi i ZRRE-së ia ka pohuar në një takim se e vetmja mundësi për t’i mbajtur bizneset në shërbim universal të furnizimit të energjisë ka qenë nëse Qeveria do t’i ndante 50 milionë euro subvencion.

“Pra nuk është në pyetje zbatimi i Ligjit (sepse Ligji ka qenë aty që nga viti 2016), por mungesa e subvencionit prej 50 milionë Euro nga qeveria”, ka shkruar ajo.

Ndërsa, Bajrami ka pyetur nëse ZRRE po e zbaton Ligjin për liberalizim edhe në katër komunat veriore.