Ministri në detyrë i Zhvillimit Rajinal, Fikrim Damka, dhe ish-sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, Besim Kamberaj, janë deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur në Gjykatën Themelore të Prishtinës.
Ata po përballen me aktakuzë nga Prokuroria Speciale për keqpërdorim të detyrës zyrtare, të cilën e kundërshtuan gjatë paraqitjes para trupit gjykues.
Pas leximit të aktakuzës, gjyqtari Kujtim Krasniqi udhëzoi palët që brenda 30 ditësh mund të paraqesin ankesë kundër aktakuzës.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Damkës dhe ushtruesit të detyrës së sekretarit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, Besim Kamberaj, për “keqpërdorim të pozitës zyrtare”. Sipas aktakuzës, ata dyshohen se nga 16 gusht 2021 deri më 24 mars 2022 kanë tejkaluar kompetencat ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy OJQ – “Germin” dhe “Caritas Zviceran”.