Ministrja e Jashtme e Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka përshëndetur miratimin nga Kuvendi i Shqipërisë i deklaratës për pafajësinë e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Spiropali në një postim në Facebook ka thënë se Ministria e Jashtme e Shqipërisë do të angazhohet plotësisht për zbatimin e kësaj deklarate në çdo forum ndërkombëtar.
“Sot, Kuvendi i Shqipërisë foli me një zë për të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës dhe për dinjitetin e atyre që e mbajtën mbi supe atë barrë historike. Ishte një zë që nuk vinte vetëm nga salla e parlamentit, por nga kujtesa e një kombi që e di çfarë do të thotë të luftosh për liri. Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e përshëndet këtë deklaratë dhe angazhohet plotësisht për zbatimin e saj në çdo forum ndërkombëtar, me dinjitet, me përkushtim dhe me respekt të palëkundur për të vërtetën historike. Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk ishte një kapitull i errët, por një dritë në një kohë të errët për gjithë kombin shqiptar. Ajo ishte një luftë për mbijetesë, për dinjitet dhe për të drejtën themelore të një populli për të jetuar i lirë në tokën e vet. Kjo e vërtetë nuk është çështje interpretimi politik; është pjesë e ndërgjegjes sonë kolektive”, ka shkruar Spiropali.

Ajo ka thënë se Shqipëria qëndron pranë Kosovës, me solidaritet të plotë dhe me besim se drejtësia duhet të jetë e paanshme.
“Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme do të ndërmarrë çdo hap diplomatik për të mbrojtur këtë të vërtetë, për të kundërshtuar çdo përpjekje për barazimin e viktimës me agresorin dhe për të siguruar që zëri i Shqipërisë dhe i Kosovës të dëgjohet qartë në çdo tryezë ndërkombëtare. Sepse liria e Kosovës është një kapitull i përbashkët i historisë sonë, dhe dinjiteti i saj është dinjiteti i gjithë kombit shqiptar”, ka shkruar Spiropali.
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me 92 vota pro deklaratën për pafajësinë e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kuvendi përmes kësaj deklarate i jep mbështetje ish-krerëve, teksa e kërkon edhe lirimin e tyre nga Gjykata Speciale.
Në deklaratë thuhet se UÇK-ja ishte një lëvizje legjitime çlirimtare që luftoi për të drejtat e njeriut, derisa thekson se Kuvendi i Shqipërisë vëren me shqetësim se kërkesa e Prokurorisë Speciale rrezikon të krijojë një shtrembërim të rrezikshëm të historisë, duke barazuar luftën legjitime të një populli për mbijetesë dhe liri me krimet e regjimit serb, që kreu spastrim etnik dhe krime kundër njerëzimit ndaj popullit të Kosovës.
"Kuvendi i Shqipërisë deklaron mbështetje të plotë dhe të pakushtëzuar për drejtuesit e UÇK-së, që ishin dhe mbeten përfaqësues të aspiratave dhe të drejtave të popullit të Kosovës për liri dhe vetëvendosje. Lufta e tyre ishte e drejtë, e mbështetur në parimet universale të të drejtave të njeriut. I drejton kërkesë Dhomave të Specializuara në Hagë, komunitetit ndërkombëtar dhe institucioneve të drejtësisë ndërkombëtare që të deklarojnë pafajësinë e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, përmes një procesi të drejtë dhe të paanshëm që respekton dhe nuk cenon dinjitetin e luftës çlirimtare të popullit të Kosovës", thuhet në të.