Artikull i përditësuar
Jelena Gjukanoviq nuk e ka pranuar fajësinë për spiunazh.
Paraprakisht, prokurori Bekim Kodraliu e lexoi aktakuzën. Ai bëri të ditur se Gjukanoviq akuzohet se me vetëdije ka përsëritur veprime për të informuar Agjencinë e Inteligjencës në Serbi, duke i ofruar të dhëna, dokumente dhe informacione të ndjeshme, të siguruara gjatë ushtrimit të detyrës së saj zyrtare në kuadër të aktivitetit të Misionit të OSBE-së në Kosovë.
Ajo akuzohet edhe se ka ndikuar nëpër raporte të OSBE-së, të dedikuara për pasqyrimin e situatës politike dhe të sigurisë, duke kontribuar “në krijimin e një narrative armiqësore ndaj institucioneve të sigurisë”.
Kodraliu ka thënë se me këto veprime Gjukanoviq “ka cenuar rëndë rendin kushtetues dhe sigurinë kombëtare dhe ka vënë në rrezik serioz jetën dhe sigurinë personale të zyrtarëve shtetërorë, qytetarëve të vendit si dhe personelit ndërkombëtar të Misionit të OSBE-së në Kosovë”.
Avokati Predrag Milkoviq e ka ftuar gjykatën që ta shqyrtojë çështjen e paraburgimit. Ai ka thënë se caktimi i masës për arrest shtëpiak mund të merret si masë e mjaftueshme, pasi sipas tij, të gjitha provat materiale i janë siguruar prokurorisë.
E Prokuroria ka thënë se ende ekzistojnë kushte që e bëjnë të domosdoshme masën e paraburgimit. Këtu ka përmendur rrezikun për ikje apo përsëritjen e veprës.
Kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, ka njoftuar se do të vendosë me aktvendim të veçantë jashtë seancës për këtë çështje.
Nis gjykimi i punonjëses së OSBE-së, e akuzuar për spiunazh
Ka nisur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, gjykimi i serbes Jelena Gjukanoviq, punonjëse e OSBE-së, e akuzuar për spiunazh.
Gjukanoviq akuzohet se deri më 28 shkurt të këtij viti, kur është arrestuar, ka siguruar dhe ka shpërndarë dokumente dhe informacione të ndjeshme për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë të Republikës së Serbisë (BIA).
Ajo akuzohet se ka marrë udhëzime nga i dënuari për spiunazh Aleksandar Vlajiq.
Sipas provave të siguruara gjatë hetmeve, dyshohet se Gjukanoviq ia ka transmetuar informacionet e siguruara zyrtarëve të lartë të BIA-s, përkatësisht R.G., përgjegjës i BIA-s për rajonin e Novi Pazarit dhe L.B.