Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Demolli: Grave në Kosovë ende iu diktohet vota nga bashkëshorti, babai apo vëllai

Luljeta Demolli

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Barazi Gjinore, Luljeta Demolli, ka thënë se partitë politike nuk po prezantojnë diçka konkrete për mirëqenien e qytetarëve, në veçanti të grave.

Ajo është shprehur se gratë ndoshta as nuk kanë kohë të përcjellin programin qeverisës për shkak të angazhimeve familjare të cilat janë kryesisht barrë e tyre.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Demolli në emisionin “60 Minuta” në KTV, ka deklaruar se gratë në Kosovë, për shkak se nuk kanë pavarësi ekonomike, ende iu diktohet vota nga gjinia mashkullore.

“Gratë ende në Kosovë votojnë sikurse bashkëshortët, baballarët apo vëllezërit e tyre. Nuk votojnë vetë sepse nuk e kanë ende atë pavarësinë ekonomike, as nuk janë në tregun e punës, as nuk e kanë atë rrethin ku komunikohet për problemet në mënyrë të vazhdueshme. Gratë shumica e kalojnë kohën në shtëpi me angazhime familjare dhe s’e besoj që kanë pasur kohë t’i përcjellin as debatet në kuadër të fushatës. Nuk është shumë e qartë as cila parti se çka flet për mirëqenien e qytetarëve. Nuk e kemi të qartë ende as cilat janë premtimet. Diçka konkrete që ndërlidhet me mirëqenien e qytetarëve, në këtë rast të grave, nuk kemi parë mjaftueshëm”, ka thënë Demolli.

Kërkesë specifike, Demolli ka deklaruar se e kanë shprehur prej kohësh Ligjin e ri të Punës. Ajo potencoi se Ligji aktual është diskriminues për gratë dhe këto shqetësime ia kanë përcjellur çdo qeverie që nga viti 2016.

“Qe nga viti 2016, prej themelimit, i drejtohemi secilës qeveri dhe secilës fushatë. E para dhe me prioritet e kemi kërkuar Ligjin e ri të Punës në tavolinë. Nuk kemi parë nga kjo parti në pushtet por as nga të tjerat që flasin që do ta kemi një Ligj të ri të Punës. Ligji aktual është diskriminues për gratë sepse barra për pushimin e lehonisë i bie sektorit privat. Sektori privat nuk është majftueshëm i vëzhguar nga inspektimi që të shihet a po zbatohet pushimi i lehonisë dhe madje sektori privat as nuk i merr në punë gratë e reja të cilat janë në planifikim të familjes”, ka thënë Demolli.

Ajo ka thënë se kanë zhvilluar takime me krerët e shtetit, mirëpo zbatimi i Ligjit të ri të Punës, nuk filloi asnjëherë pavarësisht premtimeve.

“Nuk ka dashur të dëgjojë as partia në pushtet. Kemi zhvilluar takime kemi avokuar prej çdo niveli, prej presidentes, kryeministrit, ministrave. Jo këtë të hënë, jo këtë të diel, jo këtë javë por ka vite e vite që nuk është në tavolinë. Prioritet duhet të jetë Ligji i Punës, që të kihet interes për të dalë në tregun e punës sidomos për gratë. Ato duhet të kenë një siguri që do ta kenë një kontratë, që do t’i paguhet pushimi e që do të ketë kushte të mira të punës. Kjo në Kosovë nuk ndodhë, kjo është e dukshme dhe është e lajmëruar nga ne”, ka thënë Demolli.

Forumi Ekonomik i Grave ka bërë thirrje që qeveria e ardhshme të adresojë pesë prioritete kyçe për fuqizimin ekonomik të grave, përfshirë miratimin e Ligjit të ri të Punës, investimet në shërbimet e kujdesit, mbështetjen për gratë ndërmarrëse dhe zbatimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor.