Detaje të reja janë bërë të ditura nga dosja përfundimtare e prokurorisë në rastin më të madh të Dhomave të Specializuara. Prokuroria pretendon se Selimit iu gjet një fletore me emra kundërshtarësh. Në dosje përmendet edhe urdhri për mbylljen e zyrave të LDK-së në verën e vitit 1999
Detaje të padëgjuara janë bërë të ditura nga dosja përfundimtare e Zyrës së Prokurorit të Specializuar e rastit më të madh të Speciales.
Në dosjen e ZPS-së në rastin ku ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Jakup Krasniqi e Kadri Veseli, si dhe ish-shefi i grupit parlamentar të LVV-së Rexhep Selimi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, thuhet se Selimit iu konfiskuan fletore e dokumente ku kishte lista me emra kolaboracionistësh.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Fletoret e asaj kohe, raportet dhe dokumentet e tjera, përfshirë ato që përmbajnë lista të bashkëpunëtorëve të dyshuar, konfirmojnë më tej shpërndarjen dhe zbatimin e suksesshëm të politikës ndaj kundërshtarëve, si dhe spektrin e gjerë të individëve që ishin cak. Në të vërtetë, fletore e shënime me informacion të mbajtur gjatë asaj kohe mbi luftën speciale dhe personat e dyshimtë/bashkëpunëtorët u sekuestruan edhe në shtëpinë e Selimit”, thuhet në dosjen e ZPS-së.
Derisa Zyra e Prokurorit të Specializuar pretendon se shumica e viktimave ishin pjesëtarë të LDK-së, ajo përmend si argument mbylljen e zyrave të kësaj partie në verën e vitit 1999 në Malishevë dhe disa vende të tjera.
Përmendet edhe urdhri që ka lëshuar Gani Krasniqi për këtë çështje.
“Gani Krasniqi nxori menjëherë një vendim ku kërkohej që të gjitha zyrat e partive politike të liroheshin dhe çelësat të dorëzoheshin – përndryshe personat përgjegjës do të duhej të jepnin ‘shpjegime’ para ushtrisë. Vendimi duhej të zbatohej nga Policia Ushtarake e UÇK-së, mandati i së cilës shtrihej si në çështjet ushtarake ashtu edhe në ato civile, dhe kishte një juridiksion që përfshinte tërë Kosovën. Masa të ngjashme – që kërkonin mbylljen e zyrave të LDK-së, ose në përgjithësi ndalimin e aktiviteteve politike – u morën edhe në zonat e tjera”, thuhet në dosje.
ZPS-ja pretendon se nga dëshmitë e Sokol Bashotës dhe Rrustem Mustafës është konfirmuar se pjesëtarë të Shtabit të Përgjithshëm kanë pasur plane për vrasje e ndalim të bashkëpunëtorëve.
“Pjesëtarë të udhëheqjes dhe të strukturës komanduese të UÇK-së e konfirmuan se Shtabi i Përgjithshëm dha urdhra për vrasje dhe ndalim të bashkëpunëtorëve. Zëvendëskomandanti, dëshmitari 04401, për shembull, e konfirmoi se – derisa nuk kishte dokumente të shkruara në disa raste kishte vendimmarrje kolektive të Shtabit të Përgjithshëm që autorizonte masa të mëtejshme ndaj bashkëpunëtorëve. Komandanti i Zonës 04746 specifikoi se SHP-ja vendosi edhe për qendra të ndalimit, që e kuptoi si pjesë e strategjisë së UÇK-së”, thuhet në dosje.
Në dosjen përfundimtare të prokurorisë thuhet se dy persona deri më tani të pagjetur, ishin dërguar para të akuzuarve Thaçi e Veseli para se të zhdukeshin.
“Në qershor 1998, dy kundështarë u arrestuan, u morën në pyetje dhe u rrahën rëndë në Shtabin e Përgjithshëm të UÇK-së, në Drenoc dhe u çuan drejt Shtabit Qendror te Thaçi dhe Veseli personalisht, derisa Selimi ishte prezent; ata nuk u panë më kurrë”, thuhet në dosje.
Në bazë të kësaj shkrese të prokurorisë takimet e Shtabit të Përgjithshëm u mbajtën në Berishë, Likoc, Negroc, Divjakë, Kleçkë, Lladrovc, Novosellë, Lipjan, Shtime, Mollopolc, Jezerc e Petrovë, por kishte edhe kontakte e konsultime mes të pandehurve me telefona satelitorë.
Sipas kësaj dosje, për ndalimin e bashkëpunëtorëve u fol në nivel të Shtabit të Përgjithshëm, por edhe mes udhëheqësve të zonave operative.
“Kundërshtarë, tradhtarë, apo kolaboracionistë”, sipas ZPS-së, konsideroheshin ata që nuk pajtoheshin apo nuk e mbështesnin UÇK-në.
Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha akuzat e Zyrës së Prokurorit të Specializuar.