Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dënohen për korrupsion dy ish-zyrtarë të “Pallatit të Rinisë”

gjykim-pallati i rinise

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar dy ish-zyrtarët e  “Pallatit të Rinisë”, Astrit Zogjanin me 3 vjet e gjashtë muaj burgim e 5 mijë euro gjobë dhe Foton Rrustemin me 1 vit burgim e 1 mijë euro gjobë.

Të pandehurit akuzoheshin për veprat penale “Përvetësimi në detyrë”, “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” e “Ndihma në kryerjen e veprës penale - Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Sipas aktakuzës të Prokurorisë Speciale të 30 marsit të këtij viti, Zogjani akuzohej se nga data 24 shtator 2021 e deri më 19 korrik 2022 në Ndërmarrjen Publike Lokale “Pallati i Rinisë”, në cilësinë e menaxherit të Financave, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore dhe duke shfrytëzuar autorizimet financiare dhe qasjen në sistemin bankar të ndërmarrjes, ka përvetësuar për vete pasurinë që i ishte besuar, ku pa bazë ligjore ka urdhëruar dhe realizuar disa transaksione bankare në shumë prej 39 mijë e 957 euro e 7 centë, nga llogaria e Ndërmarrjes në llogarinë e tij personale, duke përfituar dobi pasurore në atë shumë derisa ndërmarrja pësoi humbje të pasurisë.

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, Zogjani në cilësinë e ushtruesit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të Ndërmarrjes “Pallati i Rinisë” ngarkohet se nga data 20 gusht 2022 deri më 3 dhjetor 2022 duke tejkaluar kompetencat e tij me qëllim përfitimin pasuror, ka urdhëruar dhe realizuar disa transaksione bankare në shumë të përgjithshme 97 mijë e 597 euro e 19 centë nga llogaria zyrtare e Ndërmarrjes në llogarinë e tij personale dhe të personave të tjerë. Kështu, në aktakuzë thuhet se këto shuma u transferuan në disa transaksione, ku përfshihen: 58 mijë e 697 euro e 19 centë në dy llogari të tij bankare, 17 mijë e 150 euro në llogari të pronarit të autosallonit “Auto Plus”, A. Xh., 6 mijë euro në llogari të babait të këtij të fundit, B. Xh., 6 mijë e 500 në llogari të J. B., 9 mijë e 250 euro në llogari të të pandehurit Faton Rrustemi. Në aktakuzë thuhet se këto shuma janë transferuar me përshkrime të ndryshme të rreme si “pagesë për shpenzime”, “pagesë”, “pagesë për punë”, “pagesë për paga”, etj.

Tri nga shumat e lartpërmendura, sipas aktakuzës janë transferuar me përshkrim të rremë “pagesë për punë”, edhe pse të njëjtit nuk kishin marrëdhënie kontraktuale dhe nuk kishin kryer punë për Ndërmarrjen, por në realitet ato ishin për blerjen e automjetit “Range Rover Sport”, i cili ishte i destinuar për përdorim personal të të pandehurit e jo ndërmarrjes. Me këto veprime, thuhet se i pandehuri përfitoi dobi pasurore të kundërligjshme për vete dhe për personat tjerë.

I pandehuri Faton Rrustemi në cilësinë e përgjegjësit të sigurimit në të njëjtën ndërmarrje, akuzohet se me dashje ka ndihmuar të pandehurin Zogjani në kryerjen e veprës penale sipas pikës 2 të aktakuzës, duke ndërmarrëveprime që kanë lehtësuar kryerjen e kësaj vepre.

Aktakuza thotë që pasi Zogjani kishte transferuar shumën prej 9 mijë e 250 euro nga llogaria zyrtare e ndërmarrjes në llogarinë e të akuzuarit Rrustemi me përshkrim të rremë “për punët në vazhdim për invalidë”, i akuzuari Rrustemi e ka tërhequr këtë shumë dhe ia ka dorëzuar atij në dorë.