Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka ndërprerë seancën pasi kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, nuk i ka marrë votat. Me arsyetimin se ai ka mundësi t’i marrë votat herën tjetër, Basha ka thënë se është më e arsyeshme të mbyllet seanca tash. Nenad Rashiqi ka konsumuar dy herët e votimit, i mbetet edhe një tjetër. Para tij në votim kanë dalë disa prej deputetëve të Listës Serbe, por asnjë nuk ka marrë votat. Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë thirrje para seancës që të votohet Rashiqi për nënkryetar të Kuvendit, duke shtuar se për deputetët e Listës Serbe nuk kanë votë.
Caktohet vazhdimi i seancës konstituive
Të shtunën do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Zyra për Media e Kuvendit ka njoftuar se pas 48 orësh nga e enjtja, seanca do të fillojë nga ora 11:00.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka ndërprerë seancën të enjten pasi kandidati për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, Nenad Rashiq, nuk i ka marrë votat. Me arsyetimin se ai ka mundësi t’i marrë votat herën tjetër, Basha ka thënë se është më e arsyeshme të mbyllet seanca.
Nenad Rashiqi ka konsumuar dy herët e votimit, i mbetet edhe një tjetër.
Para tij në votim kanë dalë disa prej deputetëve të Listës Serbe, por asnjë nuk ka marrë votat.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë bërë thirrje para seancës që të votohet Rashiqi për nënkryetar të Kuvendit, duke shtuar se për deputetët e Listës Serbe nuk kanë votë.
Haradinaj: Ndërhyrja në procedurën e votimit për nënkryetarin serb, jokushtetuese
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka konsideruar jokushtetuese ndarjen e votimit për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit të Kosovës nga komunitetet joshumicë. Sipas tij, zgjedhja e nënkryetarëve nga komunitetet joshumicë është dashur të bëhet në pako.
Haradinaj i cili doli nga seanca e sotme para se të hidhen në votim kandidatët për nënkryetar të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, tha se Kurti qëllimshëm po tenton të vazhdojë zvarritjen e konstituimit të Kuvendit, në mënyrë që të vazhdojë të jetë si kryeministër në detyrë.
“Ne kemi ardhë në seancë që të zbatohet procedura e njohur. Ka ndodhur ndërhyrje në procedurë në mënyrën e votimit për kandidatët për Kryesi të Kuvendit nga komunitetet jo shumicë. Ndërhyrja në procedurë është jokushtetuese. Pra, ne kemi përvojë paraprake që na obligoi Gjykata Kushtetuese me u kthye në procedurë dhe që me respektu Rregulloren e Kuvendi. Është problem me u bë pjesë e kësaj loje në vazhdimësi. Qëllimi është vetëm me e humbë kohën me shkelje kushtetuese, qoftë edhe me rezultat jokushtetues në mënyrë që me i fitu edhe dy-tre muaj kohë që Kurti me vazhdu me mbetë ushtrues detyre i kryetarit të Qeverisë. Ai e ka në dorë ai po e bën këtë”, tha ai.
Ai adresoi kritika sërish për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe kryetarin e saj, Lumir Abdixhiku.
“Nuk ka fajësi Aleanca, me numrin e votave që ka i ka kryer detyrat e veta. I është drejtuar gjykatës dhe ka marrë veprimet e veta. Kanë fajësi ata që po vendnumërojnë dhe ata që janë bërë shkaktar që opozita të mos jetë e bashkuar dhe mos të kenë një shumicë të vetën”, tha Haradinaj.
Ndërkaq, për një hulumtim në bashkautorësi të kryetarit të ri të Kuvendit, Dimal Basha, i cili fliste kundër UÇK-së, Haradinaj tha se e ka thënë me kohë që Vetëvendosje s’i shërben agjendës së Kosovës.
“Sa i përket shkrimeve të Dimalit dhe atyre, ju e dini se qëndrimet i kam të qarta se nuk i shërbejnë agjendës së Kosovës këta njerëz, e kam deklaruar me kohë. Ka edhe shumë tjerë që në momente të caktuara kanë sulmuar UÇK-në, ju e dini sa i sulmuar kam qenë dhe jam kohë pas kohe. T’ju them të drejtën nuk më bëjnë shumë përshtypje këto më. Nuk mund të ankohemi pasi të ndodhë. Ne duhet më herët të marrim masat që të mos lejohen njerëz të tillë. P.sh pse të certifikohet dikush që ka thye një vlerë kombëtare. Është dashur herët këto procedura, pasi s’mund të thuash tash është deputet, po s’bën me qenë kryetar Kuvendi. Si i ka kaluar të gjitha këto procedurat ligjore”, tha ai.
Murati: Nëse jo Rashiqi, kush duhet të zgjidhet nënkryetar
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, e ka quajtur të pakuptimtë mosvotimin nga partitë e tjera të Nenad Rashiqit për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb.
Ai ka thënë se nuk ka pasur konsensus që votimi për nënkryetarët e komuniteteve joshumicë të bëhet në pako.
“Nuk e kuptojmë cili është qëllimi i opozitës ku një pjesë abstenon dhe një pjesë nuk merr fare pjesë në votim. Nëse jo Nenad Rashiq, kush. Po besoj këtë pyetje duhet ta shtrojmë në vazhdimësi”, ka thënë ai.
VIDEO:
Lista Serbe paralajmëron se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese
Deputeti serb, Igor Simiq është ankuar për shkelje të rendit kushtetues dhe shkelje të drejtave të serbëve, duke paralajmëruar se do t'i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
Ai ka thënë se nënkryetari i zgjedhur serb duhet ta ketë shumicën e deputetëve serbë. Simiq ka shtuar se shorti në Kuvend për nënkryetarin është jokushtetues.
“Është ndërprerë seanca konstituive, siç e dini. Arsyeja është shkelja e të drejtave themelore të njeriut, të popullit serb, shkelja e rendit kushtetues, shkelja e Rregullores së Punës së Kuvendit. Ata janë të vetëdijshëm se çfarë po bëjnë e edhe në seancën e kaluar kam folur shumë herë me kryetarin e Kuvendit duke ia sjellë në vëmendje të gjitha ato që po i shkel nenin 47 paragrafin 2 të Kushtetutës, shkel Rregulloren e Punës së Kuvendit – nenin 12, paragrafin 6, pikën 1 e cila e thotë në mënyrë të qartë: që nënkryetari i Kuvendit që kandidon për vendin e nënkryetarit e që i takon popullit serb duhet ta ketë përkrahjen e shumicës së deputetëve serb. Ai në këtë rast është Sllavko Simiqi, i cili e ka mandatin legjitim me mandat nga zgjedhjet demokratik me 21,355 vota”, ka thënë ai.
Simiq shtoi se Lista Serbe do të paraqesë ankesë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës.
“Dua t’ju njoftoj se Lista Serbe do të parashtrojë ankesë në Gjykatën Kushtetuese sepse na janë shkelur të drejtat. Shfrytëzoj rasti që t’i bëjë thirrje deputetëve të partive të tjera shqiptare dhe të komuniteteve të tjera jo-shumicë që të mos votojnë vendime kundër-kushtetuese”, ka thënë ai.
VIDEO:
Krasniqi: VV-ja po angazhohet për Rashiqin më shumë se për Haxhiun e Bashën
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se përkundër faktit që PDK-ja mbajti zotimin për zhbllokimin e Kuvendit, LVV-ja ka në plan zhvillimin e bllokadës.
Sipas tij, këtu ka një tentim që të mos shkohet tutje me konstituimin e Kuvendit.
Ka shtuar se e gjithë Lëvizja Vetëvendosje me entuziazëm po angazhohet që Nenad Rashiqi të jetë nënkryetar.
Krasniqi ka thënë se më pak angazhim ka pasur për Bashën.
“Ne po abstenojmë nga votimi sepse kjo mënyrë e votimit është jokushtetuese. Efekti politik dhe real i kësaj është që po vazhdon bllokada”, ka thënë ai.
Sipas tij, angazhimi për Rashiqin është skenar.
VIDEO:
Dështon Nenad Rashiqi, ndërpritet seanca
Ka dështuar të votohet për nënkryetar të Kuvendit, deputeti Nenad Rashiq.
I njëjti ka nominuar vetën për këtë pozitë.
Rashiq mori 56 vota për, 1 kundër, 20 abstenime.
Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha e ka ndërprerë seancën pasi Rashiqi nuk i ka marrë votat. Me arsyetimin se ai ka mundësi t’i marrë votat herën tjetër, Basha ka thënë se është më e arsyeshme të mbyllet seanca tash.
“Ka pasur diskutime që duhet të vazhdojnë edhe më tej dhe në seancën e radhës, deputeti në fjalë mund t’i marrë votat…”, ka thënë ai.
Nenad Rashiqi ka konsumuar dy herët e votimit, i mbetet edhe një tjetër.
VIDEO:
Për herë të tretë dështon edhe Branislav Nikoliq
Për herë të tretë ka dështuar edhe deputeti Branislav Nikoliq i cili është hedhur në votim për nënkryetar të Kuvendit.
Për herë të tretë dështon Sërxhan Popoviq
Për herë të tretë ka dështuar deputeti Sërxhan Popoviq i cili është hedhur në votim për nënkryetar të Kuvendit.
Sërish dështon Sërxhan Popoviq
Deputeti Sërxhan Popoviq është hedhur në votim për nënkryetar të Kuvendit, por ka dështuar t’i marrë votat.
Popoviq ka edhe një mundësi të votimit.
Vazhdojnë dështimet, Kovaçeviq s’i merr votat për nënkryetar
Deputeti Stefan Kovaçeviq ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme për nënkryetar të Kuvendit.
I njëjti është votuar tri herë, rrjedhimisht nuk ka të drejtë të votohet më.
As Branislav Nikoliq nuk i merr votat
Edhe deputeti Branislav Nikoliq ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme për nënkryetar të Kuvendit.
Igor Simiq dështon t’i marrë votat për nënkryetar të Kuvendit
Ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme për nënkryetar të Kuvendit edhe deputeti Igor Simiq.
Lista Serbe, kandidatët e së cilës janë duke u votuar nga shorti, nuk janë duke marrë pjesë në votim.
S’votohet as Sërxhan Popoviq
Ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme për nënkryetar të Kuvendit edhe deputeti Sërxhan Popoviq.
Për herë të tretë Eleku s’i merr votat për nënkryetar
Deputeti i Listës Serbe, Zlatan Elek, nuk i ka marrë votat për nënkryetar ani pse është hedhur në votim për herë të tretë.
I njëjti largohet nga shorti për shkak se ka konsumuar tri herët e votimit.
Deputeti Stefan Kovaçeviq nuk votohet për nënkryetar
Edhe deputeti Stefan Kovaçeviq është hedhur në votim për nënkryetar të Kuvendit, por ka dështuar t’i marrë votat.
Votimi do të përsëritet sërish për kandidatët që kanë mbetur në kutinë nga e cila tërhiqet me short.
Sërish Elek nuk i merr votat për nënkryetar të Kuvendit
As në votimin e dytë të zgjedhur me short, deputeti Zlatan Elek nga Lista Serbe nuk i ka marrë votat për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb.
Lista Serbe nuk është duke marrë pjesë në votim.
As Zlatan Elek nuk i merr votat për nënkryetar të Kuvendit
As deputeti Zlatan Elek nga Lista Serbe nuk i ka marrë votat për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb.
Zero vota për, 54 kundër, 19 abstenime mori Elek.
Branislav Nikoliq s’merr votat për nënkryetar
Deputeti i Listës Serbe, Brasnilav Nikoliq nuk ka marrë votat për të zënë vendin e nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb.
0 vota për, 55 kundër, 25 abstenime.
Nis shorti për zgjedhjen e nënkryetarit nga komuniteti serb
Seanca e sotme ka nisur me tërheqjen e shortit për nënkryetarin e Kuvendit nga komuniteti serb.
Lista Serbe ani pse është ftuar nga kryetari i Kuvendit Dimal Basha, nuk kanë shkuar në tërheqjen e shortit. Aty është vetëm deputeti Nenad Rashiq.
107 deputet janë të pranishëm në sallë.
Rashiq: Zgjedhja ime nuk është kundërkushtetuese, kam biseduar me disa deputetë
Nenad Rashiq ka thënë se ka biseduar me disa prej deputetëve të partive mbi votimin e tij për nënkryetar të Kuvendit.
Ai ka thënë se zgjedhja eventuale e tij nuk do të ishte kundërkushtetuese, ndërsa u shpreh i pasigurt nëse sot do të ketë sukses votimi për kryetar nga komuniteti serb.
“Ata nuk kanë votuar apo kanë abstenuar, sepse kanë konsideruar që nuk është në harmoni me Kushtetutë. Gjatë bisedimeve që kam pasur me ta, jam përpjekur t’ju shpjegoj se ai votim nuk është kundërkushtetues dhe se mund të votojnë pa hezitim. Nuk mund të them me siguri, shohim", theksoi ai për votimin e sotëm.
LDK-ja, AAK-ja e Nisma kritike ndaj Bashës dhe artikullit kundër UÇK-së
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi e ka quajtur Dimal Bashën “përfaqësuesin më autentik të VV-së”.
“Ky është një narracion që po i bëhet Dimalit nga partia e vet, e cila nuk po do me e shpërfaq anticitetin e VV-së. Mendoj që Dimali është përfaqësues autentik i VV-së dhe e tillë është Vetëvendosja, dhe populli duhet me e kuptu cila është qasja e të menduarit politik në Kosovë”, u shpreh ai.
Sa i përket pjesëmarrjes në votimin për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, Gashi tha se duhet pyetur Hykmete Bajrami, e cila është shefe e GP-së së LDK-së.
Sakaq, ai tha se as Nenad Rashiq e “as aj tjetri”, s’kanë dallim ndërmjet vete, dhe se nuk i voton asnjërin.
Deputetja e AAK-së Time Kadrijaj tha se situata e krijuar rreth Bashës, është përgjegjësi e Lëvizjes Vetëvendosje.
“Një monstrum i tillë nuk është dashur as të propozohet. Dimal Basha është fytyra e vërtetë e VV-së propozuar”, tha Kadrijaj.
E pyetur nga gazetarët se AAK-ja ka votuar për zgjedhjen për Bashën kryetar të Kuvendit, ajo tha
se nuk e ka votuar.
“Bekë Berisha e ka votuar. I ka premtuar”, tha Kadrijaj.
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka reaguar pas publikimit të punimit të kryeparlamentarit Dimal Basha, ku përmendet në mënyrë kritike UÇK-ja. Ai ka thënë se artikulli është i papranueshëm dhe cenon rëndë vendin dhe popullin e Kosovës.
“Ai është një punim shkencor që shërben për studentë, profesorë, prokurorë, gjyqtarë, propagandistë. Është një hulumtim shkencor, i bazuar dhe i publikuar nga dy autorë. Më vjen shumë keq që një shqiptar, për të publikuar një punim shkencor, ka fyer, ofenduar, rrënuar dhe shtrembëruar vendin dhe popullin e vet. Kjo është shumë serioze, serioze është edhe natyra e artikullit”.
Balje: Kriza nuk do të tejkalohet lehtë
Deputetja boshnjake në Kuvendin e Kosovës, Duda Balje, ka deklaruar se kriza politike aktuale nuk do të tejkalohet lehtë.
Ajo ka treguar edhe pse nuk e votoi Dimal Bashën për kryetar të Kuvendit.
“E ka barazu Zotin me gjygym, person i drejt dhe i pastër kurrë”, ka thënë ajo. “Nuk besoj se do të dalim shpejt nga kjo krizë. Personalisht mendoj se, nëse konstituohet Kuvendi, ekziston mundësia që Dimal Basha të japë dorëheqje dhe Albulena si zëvendëse e parë të marrë postin e kryeparlamentares. Ky është një prej skenarëve. Ndërsa, për asnjë kandidat serb nuk do ta jap votën time”, është shprehur ajo./EO
Berisha: S'jam pishman për votën pro Bashës
Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, para nisjes së seancës për konstituimin e Kuvendit deklaroi se nuk i vjen keq për votën e dhënë pro Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit.
Berisha ka komentuar edhe mbi kritikat se Basha ka shkruar kundër UÇK-së në një artikull të 2012-s.
“Që paska fol diçka kundër UÇK-së, goxha do njerëz kanë folur keq kundër UÇK-së këtu, tani po dalin kundër Dimal Bashës sikur po e mbrojnë UÇK-në”.
“Na jemi duke jetuar këtu, në këto rrethana, nuk jam pishman, duam t’i zgjidhim këto nyje, të ecim përpara. Këta janë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të zgjedhur me votën e këtyre qytetarëve”, u shpreh tutje Berisha./ EO
Avdyli: Është e turpshme që Kuvendi të bllokohet për Slavko Simiqin
Deputeti Haxhi Avdyli ka thënë UÇK-ja është vlerë e shenjtë e vendit dhe askush nuk mund ta njollosë, porse ka shtuar se kryetari i Kuvendit, Dimal Basha do ta sqarojë gjithë situatën.
Duke folur për zhbllokimin e Kuvendit, ka thënë se nëse opozita e deritashme ka pasur rezerva për Albulena Haxhiun si kryetare, çfarë rezerva mund të kenë për Nenad Rashiqin.
“Kam bërë apel që ky avaz i bllokimit të mos vazhdojë. Besoj që kolegët e mi nga opozita do të lirohen nga mendësia e bllokimit”, ka thënë ai.
Ai ka thënë se është e turpshme që të bllokohet Kuvendi nga Slavko Simiqin.
Deputetët mblidhen në përpjekje për të zgjidhur ngërçin e dytë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish sot (e enjte), në përpjekjen e radhës për të konstituuar Kuvendin, e që tash po përballet me bllokadën e re. Konstituimi i Kuvendit ka mbetur peng i zgjedhjes së nënkryetarit nga radhët e komunitetit serb, pasi paraprakisht u zgjodhën kryetari, nënkryetarët nga partitë shqiptare, si dhe ai i komuniteteve pakicë joserbe.
Tashmë ka nisur procesi i hedhjes së shortit për të zgjedhur nënkryetarin nga ky komunitet. Por votimi u ndërpre pasi votat nuk arriti t’i marrë as deputeti i vetëm serb e që s’i takon grupit të Listës Serbe, Nenad Rashiq. Rashiq është kryetar i partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Për shkak të insistimit për ta kandiduar vetëm Slavko Simiqin për nënkryetar, Lista Serbe e refuzoi votimin brenda seancës konstituive. Simiq në tri tentime nuk i mori votat e mjaftueshme për të marrë postin. E kryeparlamentari Dimal Basha u shpreh të martën se në frymën e aktgjykimit të Kushtetueses, një kandidati i lejohet të votohet vetëm deri në tre herë në përpjekje për të marrë detyrën e kryeparlamentarit apo nënkryetarit të Kuvendit.
Pasi nuk propozoi emra të tjerë, Basha konstatoi se duhet të shkohet në votim me short. Në disa tentime nuk pati vota për deputetët e Listës Serbe, e më së afërmi numrit të shumicës ishte deputeti Nenad Rashiq. Përkrahje i dha Vetëvendosje dhe komuniteti joserb, ndërkaq PDK-ja abstenoi e LDK-ja u përmbajt nga votimi. Në votim s’morën pjesë deputetët e AAK-së dhe të Nismës.
E njohës të çështjeve juridike dhe kushtetuese kanë vlerësuar po ashtu se kryeparlamentari Basha ka bërë shkelje kur ka ndarë procedurën e votimit të dy nënkryetarëve nga radhët e komuniteteve.
“Në rast se nuk votohet asnjë kandidat nga komuniteti joshumicë, përfshirë edhe Nenad Rashiqin, atëherë ka një moszbatim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese e që përgjegjësia bie mbi kryetarin e ri të Kuvendit, për shkak se ai e ndërroi mënyrën e votimit. Kemi një gjendje të re jokushtetuese”, ka thënë Naim Jakaj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.
Seanca e sotme nis në orën 11:00. Konstituimi nuk konsiderohet i mbyllur pa u zgjedhur të gjithë nënkryetarët.
Pas konstituimit kalohet në rrugën për formimin e Qeverisë.