Tek pas katër muajsh prej që e kaloi testin teorik për patentë shofer të kategorisë C, Shaip Imerit iu mundësua të hyjë në atë praktik të vozitjes.
Ai thotë se ka pritur dy muaj për ta paraqitur testin dhe po kaq për të siguruar termin për provim.
“Sot e kam për kamion që ta jap testin. Kam pritur më shumë se 2 muaj për të ardhur sot në vozitje. Po flas pa u prek kërkush hiç – pak gjatë me pritë mbi 2 muaj për një termin, sepse jemi të ngarkuar për të përfunduar këtë punë”, ka thënë Imeri, i cili i është nënshtruar tani provimit në vozitje.
Edhe një tjetër kandidat pati ankesë të njëjtë. Ai është nga Peja dhe thotë se institucionet kanë arsyetuar vonesën me mungesën e ekzaminuesve.
“E kam përfunduar testin teorik para një muaji dhe jam munduar ta paraqes testin praktik për kategorinë C, por problemi ka qenë që e kam pasur datën e caktuar për të dalë jashtë vendit për të punuar dhe m’u ka deshtë që me të 5-in me qenë jashtë, për t’ia fillu punës. Kemi bërë kërkesa, na kanë thënë që nuk ka ekzaminues”, ka thënë ky qytetar që kërkoi t’i mbrohet identiteti.
Për shkak të pamundësisë për ta kryer provimin praktik në kohë, ky qytetar thotë se iu anulua oferta për një punë jashtë shtetit.
“Në Pejë as që janë marrë me neve dhe nuk jam vetëm unë i vetmi, por ka shumë e shumë të tjerë. Na kanë thënë që do të dërgojmë e-mail. Kemi dërguar, por asnjë përgjigje, asnjë e-mail nuk e kanë kthyer. Kemi shkuar në Prishtinë dhe kërkush nuk është marrë me neve. Vetëm na thoshin ‘nuk ka ekzaminues’. Shkaku që nuk kam mundur ta paraqes testin e vozitjes në Kosovë, më është anuluar komplet puna jashtë vendit”, është ankuar ai.
Ministria e Infrastrukturës nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet që i janë adresuar tash e katër ditë, në lidhje me këto vonesa. Në vitet e fundit, një numër ekzaminuesish janë arrestuar, shkaku i përfshirjes në korrupsion për pajisje të qytetarëve me patentë shoferë.
Në tregun vendor, por edhe në atë ndërkombëtar janë të kërkuar ngasësit që kanë patentë shoferë të kategorisë C dhe D.
Ambasadat, si ajo e Gjermanisë, kanë të listuara mes profesioneve që kërkohen, edhe atë të shoferëve profesionistë.
“Nëse posedoni patentë shofer në kategoritë C1, C1E, C, CE, D1, D1E, D ose DE për transportin e mallrave dhe/ose të udhëtarëve atëherë mund të punoni si shofer profesionist në Gjermani”, shkruan mes tjerash në njoftimin e lëshuar këtë vit. “Për hyrjen në Gjermani me qëllim nisjen e një marrëdhënie punësimi do të vazhdojë të jetë e nevojshme pajisja me vizë, për të cilën duhet të aplikoni pranë Ambasadës Gjermane”.
Qytetarët e pajisur me patentë shoferë të kategorisë C mund të ngasin mjete motorike mbi 3.500 kilogramë. Ndërkaq, ata me patentë shofer të kategorisë D mund të ngasin autobusët me më shumë se 8 ulëse.