Arbëri

Dështon mbledhja e fundit e Kuvendit Komunal në Prishtinë, mungon pushteti

Komuna e Prishtinës

Foto: Arkiv

Mbledhja e fundit e rregullt e mandatit aktual të Kuvendit Komunal të Prishtinës nuk arriti të mbahej sot, për shkak të mungesës së përfaqësuesve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Mungesa ka nxitur reagime nga opozita, e cila e ka cilësuar si shenjë të papërgjegjësisë politike dhe ikje nga llogaridhënia.

Asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, tha se situata e krijuar është e papranueshme.

“Është për keqardhje që legjislatura po e pengon mbajtjen e seancës së fundit. Një sërë shkeljesh janë gjetur në raportin e Auditorit, sot do të duhej që rrugët tona të emëroheshin me heronjtë e kombit. Kjo nuk është hera e parë që ndodh kështu, në Kuvendin Komunal mungesat e pushtetit kanë qenë të shpeshta. Këta nuk kanë munguar vetëm kur ka pasur më rend dite shkëmbimi i pronave dhe subvencionet”, ka deklaruar ai.

Ndërkaq, Leutrim Retkoceri nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës e akuzoi kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, për shmangie të qëllimshme të transparencës.

“Sot në mbledhjen e fundit të këtij mandati pritej që të kishte debat dhe përgjegjësi për llogaridhënien. Përparim Rama dhe ekzekutivi nuk erdhën as sot, e mbyllën me përbuzje. Kështu kanë qeverisur – ende nuk kemi përgjigje për 12 milionë euro për arkitektin e qytetit dhe gjetjet e auditorit, ato para nuk dihet ku kanë përfunduar. Sot nuk kemi pasur buxhetin për vitin 2026, ne vetëm po shohim ikje nga Përparim Rama”, ka thënë Retkoceri.

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka pasur sot në rend dite vendime për shfrytëzimin e shërbimeve shëndetësore dhe transportit urban për punëtorët e komunës, si dhe emërtimin e rrugëve e hapësirave publike. Po ashtu, është paraparë shqyrtimi i vendimit për shlyerjen e borxhit të kompanisë “Pastrimi”, raporti i komisionit për bashkëpunimin me fshatrat e lagjet urbane, si dhe vendime për rekrutimin e drejtorëve dhe zëvendësdrejtorëve të institucioneve arsimore. Në rend dite ishin edhe bartja e 45 normave arsimore.