Ka dështuar të nisë gjykimi në mungesë ndaj 21 të pandehurve të akuzuar për dëbimin e 800 mijë shqiptarëve gjatë kohës së luftës. Seanca e së mërkurës u përcoll me probleme të ndryshme
Që në nisje, ka dështuar të mbahet gjykimi në mungesë ndaj 21 të pandehurve serbë për krime lufte kundër popullsisë civile.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, ata akuzohen për dëbimin e mbi 800 mijë shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë, më 1999.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoGjyqtarja Medie Bytyqi tha se Oda e Avokatëve nuk e ka njoftuar Gjykatën lidhur me mbrojtësit që do t’i përfaqësojnë të pandehurit në këtë çështje penale.
“Oda e Avokatëve të Kosovës t’ia caktojë sigurimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare për të akuzuarit. Mirëpo Oda e Avokatëve nuk e ka njoftuar Gjykatën për listën e avokatëve që do të përfaqësojnë të pandehurit në këtë çështje penale”, ka thënë gjyqtarja Bytyqi.
Përveç që nuk patën njohuri se cilin nga të pandehurit do ta përfaqësojnë, avokatët nuk ishin të pajisur as me shkresat e lëndës.
Për këtë, gjyqtarja Bytyqi mori aktvendim që seanca të ndërpritet për disa minuta në mënyrë që të shpërndahet aktakuza.
E pas kthimit nga pauza u konstatua mungesa e një avokati, e dy të tjerë nuk u kthyen në seancë fare.
“Meqë nuk u kthyen, seanca dështon dhe shtyhet për një datë tjetër”, ka thënë gjyqtarja Bytyqi.
Në mënyrë që gjykimi të mos shtyhet për një ditë tjetër, disa nga mbrojtësit e të pandehurve kërkuan pritjen e kolegëve për disa minuta. Por, më pas doli një problem tjetër.
“Veç në ora 11, na ndalet edhe rryma”, ka thënë gjyqtarja.
Juristi në Fondin për të Drejtën Humanitare, Amer Alija, u shpreh se Gjykata duhet të bashkëpunojë më shumë me Odën e Avokatëve për caktimin e mbrojtësve sipas detyrës zyrtare.
“Gjykata duhet të kujdesët që në bashkëpunim me Odën e Avokatëve, që të sigurohet prezenca e avokatëve, të cilët janë të përcaktuar sipas detyrës zyrtare dhe të mos ndodhin shtyrje të seancave për arsye se rastet e krimeve të luftës kanë pritur mjaftueshëm, kanë pritur 27 vjet”, ka thënë Alija.
Prokuroria Speciale, në gusht të vitit të kaluar ka ngritur aktakuzë në mungesë ndaj 21 serbëve lidhur me dëbimin e mbi 800 mijë civilëve shqiptarëve gjatë luftës në Kosovë më 1999.