Arbëri

Diplomati finlandez Ahtisaari vlerësohet për rolin e tij në shpalljen e Pavarësisë së Kosovës

Foto: KOHA - Marti Ahtisaari

Ish-ndërmjetësuesi i Kombeve të Bashkuara për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe ish-presidenti finlandez, Martti Ahtisaari, ka vdekur të hënën në moshën 86-vjeçare. Në vitin 2007 ai prezantoi atë që njihet si “Pakoja e Ahtisaarit”. Një vit më vonë u nderua me çmimin “Nobel” për paqe për angazhimin në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, përshirë Kosovën. Ish-presidenti Fatmir Sejdiu theksoi se ai ka dhënë kontribut të madh në Pavarësinë e Kosovës dhe se do të mbetet gjithmonë në historinë e vendit.

Diplomati finlandez i cili përgatiti propozimin që i hapi rrugë shpalljes së pavarësisë së Kosovës, Martti Ahtisaari, ka vdekur të hënën në moshën 86- vjeçare në Helsinki. Ahtisaari ishte i dërguari i posaçëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Kosovën. Nga viti 1994 deri më 2000 ishte president i Finlandës. Në vitin 2008 ai u nderua me çmimin “Nobel” për paqe për angazhimin në zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare, përshirë Kosovën. Një vit më herët ai prezantoi atë që njihet si “Pakoja e Ahtisaarit”.

Ish-presidenti dhe bashkëpunëtori në procesin e bisedimeve në Vjenë, Fatmir Sejdiu, tha se janë të paharrueshme takimet dhe bisedat me Ahtisaarin, teksa tregon për kontributin e tij në Pavarësinë e Kosovës.

“Ahtisaari është një prej ta quajmë dizajnerëve të mirë, flas në kuptimin politik, diplomatik që ka dhënë kontributin e vet në mandatin që ka pasur dhe ne nuk e harrojmë atë dhe unë e quaj si pjesë të historisë së Kosovës”, tha Sejdiu.

Sejdiu theksoi se Plani i Ahtisaarit mbetet një formulë që ka karakterin e vet siç e quajti ai “Sui Generis” në krahasim me projekte të tjera që kanë ndodhur.

“Ahtisaari ka qenë jashtëzakonisht i mprehtë, ka tema që sot e kësaj ditë përmenden dhe në kuptimin se mos eventualisht ato kanë shkaktuar probleme të caktuara siç është ajo çështja e Asociacionit. Ahtisaari shumë qartë e ka thënë Asociacionin, nuk lejon asociacion që ka karakter ekzekutiv dhe funksione ekzekutive. Nuk lejon mekanizëm që mund të jetë në karakterin e vetë përfaqësues dhe nuk dëshiron absolutisht dhe nuk e lejon rrënimin e karakterit unitar të shtetit të Kosovës”, tha Sejdiu.

E Hajredin Kuçi, i përfshirë në negociatat e Vjenës dhe në përgatitjet për shpalljen e Kosovës shtet, thotë se dokumenti ka paraqitur dy kompromise - atë që fitohet e drejta për të qenë shtet i pavarur e sovran dhe ruajtja e të drejtave për komunitete në veçanti për atë serb.

“Pala kosovare ka pranuar një dokument të tillë më bindjen që ky kompromis po e quaj do të kalojë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së dhe pastaj do të fuqizohej në tërë territorin e vendit dhe do të pranohej nga bota demokratike. Fatkeqësisht, kjo nuk ndodhi dhe ky kompromis duket që ishte kompromis i mjaftueshëm për ta shpallur Kosovën shtet për ta njohur Kosovën nga shumë shtete, po jo i mjaftueshëm që të jemi anëtarë i OKB-së, jo i mjaftueshëm që ta shtrojmë sovranitetin në territorin e Republikës”, tha Kuçi.

Diplomatët ndërkombëtar, në reagimin e tyre pas lajmit për vdekjen e ish-presidentit finlandez e kanë cilësuar atë gjigant të politikës së jashtme