Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Negociatat SHBA-Iran – Ahmeti: Periudha 60-ditore, blerje kohe nga ana e Iranit

Amir Ahmeti

Dakordancën mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit për një periudhë 60-ditore drejt arritjes së një marrëveshjeje, ish-ambasadori i Kosovës në Katar, Amir Ahmeti, e ka quajtur blerje kohe nga ana e Iranit.

Ahmeti në emisionin “Interaktiv” në KTV, ka thënë se në Iran ka pasur tendenca për ndryshim të regjimit andaj ai aktual dëshiron të tregojë forcë duke e detyruar SHBA-në të ulet e të negociojë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Ajo çka i bën më të rëndësishme këto bisedime është ky 60-ditëshi i bisedimeve. Unë mendoj se është blerje e kohës edhe për Iranin, për rikthimin e situatës nën kontroll sepse ka pasur tentativa të ndryshimit të regjimit dhe ajo tash po tregon një forcë që ja unë e detyrova shtetin më të fuqishëm të botës të ulet në negociata me neve. Mos të harrojmë që ky konflikt ‘tërhiq dhe mos e këput’ është edhe për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 27 tetor në Izrael. Izraeli dëshiron të ketë një fuqi tjetër në këto zgjedhje”, ka deklaruar Ahmeti.

Sipas Ahmetit, nëse nuk i ndalet hovi kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, atëherë vërtetë do të fillonte rishkrimi i hartës së Lindjes së Mesme sepse sipas ish-ambasadorit Ahmeti, pretendimi i ardhshëm i Netanyahut është Turqia.

“Negociatat janë varianti më i mirë në këtë situatë. Një bashkim i vendeve atje do të mund t’i ndihmonte Iranit. Varianti tjetër është aleanca me Turqinë. Izraeli nuk do paqe me asnjë shtet, dëshiron vetëm nënshtrim. Atë e ndalë vetëm një forcë e madhe. Nëse nuk i ndalet ky hov atëherë pretendimi i ardhshëm do të jetë një konflikt me Turqinë e cila vërtetë do të fillonte rishkrimin e hartës së Lindjes së Mesme”, ka thënë Ahmeti.

Luftën mes SHBA-së dhe Iranit, Ahmeti e sheh si një lojë më të madhe sesa një luftë me disa raketa. Ai ka kujtuar se bisedimet mes këtyre dy vendeve nuk janë risi porse ndodhin prej shumë viteve për çështje të tjera.

“Bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit nuk janë risi. Edhe për raste të tjera është negociuar me Iranin siç ishte në vitin '79-'81 për lirimin e pengjeve nga ambasada amerikane në Teheran me ardhjen e regjimit të Ajetollahëve. E kemi pastaj në vitet e 80-ta shitjen e armëve amerikane Iranit si një Republikë e Re nga ajo e perandorit nëse mund të themi. Pastaj ishin negociatat iraninane amerikane në vitin 2001-2003 për luftën në Afganistan sepse ishte çështje e kufirit iranian kur Irani ndihmoi SHBA-në në mënyrë logjistike në kufirin me Afganistanin dhe bashkëpunim i madh në rrëzimin e Sadam Hyseinit. Mendoj se loja është më e madhe sesa një luftë me disa raketa”, ka thënë Ahmeti.

Të dielën është mbajtur rundi i parë i negociatave mes SHBA-së dhe Iranit për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare që do t'i japë fund luftës dhe ka përfunduar me "përparim inkurajues", kanë thënë ndërmjetësit, Katari dhe Pakistani.

Në një deklaratë të përbashkët të publikuar herët të hënën, Katari dhe Pakistani kanë thënë se një "Komitet i Nivelit të Lartë" ka rënë dakord për "një udhërrëfyes drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare brenda 60 ditëve".