Me protestë e kanë kundërshtuar një grup i pronarëve të subjekteve afariste vendimin e Kuvendit Komunal të Podujevës, i cili të hënën e ka pezulluar një pjesë të Rregullores për orarin e punës ku ndalohej puna ditën e diel.
Ata e kanë dorëzuar edhe një peticion me 145 nënshkrime, ku kërkohet që dita e diel të mbetet pushim, siç ka qenë nga viti 2020.
Sabri Rushiti, njëri nga përfaqësuesit e bizneseve që kanë protestuar ka thënë se dëshirojnë që punëtorët ta kenë të paktën një ditë pushimi në javë.
“Arsyeja e kësaj proteste është që e diela me qenë ditë pushimi siç ka qenë deri tash, për arsye të punëtorëve që ta kenë së paku një ditë pushim në javë si dhe bizneset. Me këtë vendim që e ka marrë Kuvendi u është dhënë mundësia bizneseve të mëdha me punua dhe po i shkelin këto të voglat se nuk po kanë punë. Ne kemi pas punë ma shumë ditëve të javës kur e diela ka qenë pushim”, ka thënë Sabri Rushiti.
Sipas tij, në takimin që kanë pasur me zyrtarët komunalë të Podujevës, u është thënë se të edhe pas vendimit të dielave do të pushohet derisa të shqyrtohet ligjshmëria e tij nga Ministria e
Administrimit të Pushtetit Lokal.
“Nëse Ministria e vlerëson këtë vendim si të ligjshëm, ne do të vazhdojmë me protesta prap”, ka thënë ky përfaqësues i bizneseve.
Në anën tjetër, drejtori për Planifikimit dhe Zhvillim Ekonomik, Pajtim Balaj, ka theksuar se gjatë takimit me disa përfaqësues të bizneseve e kanë kuptuar se atyre u kanë munguar shumë
informacione rreth vendimit të Kuvendit Komunal.
“Një grup i bizneseve lokale sot kanë thirrur një protestë, për të cilën kemi qenë në dijeni dhe madje jemi njoftuar nga disa prej tyre paraprakisht. Bashkë me nënkryetaren e Komunës, ku ka qenë prezent edhe komandanti i Policisë, ne i kemi pritur në takim dhe i kemi dëgjuar kërkesat e tyre. Ata kanë shprehur pakënaqësinë me vendimin e Kuvendit ditën e hënë, për pezullimin e përkohshëm të pjesës së rregullores së orarit të punës së bizneseve për ditën e diel”, është shprehur Balaj. “Ne i kemi informuar për vendimin detajisht, përkatësisht për aq se sa është në fuqi ky vendim, deri më 30 shtator të këtij viti dhe i informuam mbi afatin e hyrjes në fuqi të vendimit, 7 ditë pas publikimit. Nga takimi e kemi kuptuar që shumë informacione u kanë munguar”.
Të hënë, me kërkesë të kryetarit të Komunës, Shpejtim Bulliqi, Kuvendi Komunal ka marrë vendim që të pezullohet pjesa e Rregullores për orarin e punës te pjesa ku e ndalonte punën ditën e diel. Kjo ndalesë do të vlejë deri më 30 shtator, ndërsa deri atëherë do të punohet në plotësim-ndryshimin e kësaj Rregulloreje.
{gallery}