Arbëri

Osmani e Haxhiu urojnë Ditën e Komunitetit Ashkali

Dita e Ashkalinjeve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, në Ditën e Komunitetit Ashkali, kanë uruar të gjithë qytetarët që i përkasin këtij komuniteti.

Osmani ka thënë se ky komunitet zë një vend të veçantë në Kosovë, me traditat, gjuhën e kulturën e tyre që e kanë bërë më të larmishëm vendin.

“Në këtë ditë, riafirmojmë përkushtimin tonë për një Kosovë ku çdo komunitet ndihet i barabartë dhe i respektuar. Forca e Kosovës qëndron pikërisht në shumëllojshmërinë e saj, në ndërthurjen e traditave, në respektin reciprok dhe të ardhmen e përbashkët me dinjitet për të gjithë”, ka thënë Osmani përmes një postimi në Facebook.

Ndërsa, kryeparlamentarja Haxhiu, e ka pritur në takim deputetin Artan Asllanin dhe përfaqësues të tjerë të komunitetit ashkali. Ajo ka thënë se Kuvendi do të vazhdojë përpjekjet për barazi e mundësi të barabarta për të gjithë.

“Bashkëbiseduesit diskutuan për sfidat me të cilat përballet komuniteti dhe mbi mënyrën se si, duke bashkëpunuar, mund të kapërcehen ato së bashku. Diversiteti dhe bashkimi nuk janë thjesht forca jonë si shoqëri, por forca e vetë Republikës. Duke falënderuar deputetin dhe përfaqësuesit për angazhimin e tyre, kryetarja e Kuvendit potencoi se krahas përpjekjeve të ekzekutivit për të mbështetur komunitetin, edhe Kuvendi do të vazhdojë të jetë i përkushtuar për barazi dhe mundësi të barabarta për të gjithë, veçanërisht për komunitetet joshumicë”, ka thënë Haxhiu.