Arbëri

Dugolli: Nëse s’ka koalicion stabil, duhet një qeveri e pakicës deri në zgjedhjet e reja

Profesori universitar, Bujar Dugolli, ka vlerësuar se vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese ka sqaruar shumë çështje lidhur me përfaqësimin e komuniteteve në institucionet e Kosovës, duke i dhënë fund keqkuptimeve për rolin e Listës Serbe. Ai u shpreh se nëse nuk arrihet marrëveshje për një koalicion stabil atëherë rruga e mesme është krijimi i një qeverie të pakicës për ta kaluar buxhetin dhe marrëveshjet ndërkombëtare para se të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

Sipas tij, Kushtetuesja ka bërë të qartë se Listës Serbe i takon e drejta e propozimit për përfaqësuesin e komunitetit serb, por jo monopoli i këtij procesi.

“Vendimi i fundit i Kushtetueses ka sqaruar shumëçka dhe nuk i ka dhënë veto një partie politike, në këtë rast Listës Serbe. I jepet e drejta e propozimit, por jo monopoli”, theksoi Dugolli në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai ka përshëndetur vendimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të votuar Nenad Rashiqin si nënkryetar të Kuvendit, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt konstituimit të institucioneve.

“LDK-ja e lexoi drejt situatën dhe ka bërë veprim shumë të rëndësishëm për konstituimin e Kuvendit. Zgjedhja e Rashiqit është në përputhje me Kushtetutën pasi është nënkryetar që përfaqëson serbët. Kuvendi s’ka pasur alternativë tjetër për ta konstituar vetveten, përveç Rashiqit”, shtoi ai.

Sipas profesorit, ky veprim është një mesazh për komunitetin serb në Kosovë që të mos ndjekë verbërisht një parti të vetme, por të jetë më konstruktiv në proceset politike.

Dugolli vlerëson se pas përfundimit të zgjedhjeve lokale të së dielës, partitë politike do të kenë më shumë hapësirë për reflektim lidhur me krijimin e një koalicioni të gjerë e stabil, ose në rast të kundërt, për të shkuar në zgjedhje të reja.

“Nëse dështon ndërtimi i një koalicioni stabil, duhet të gjendet një rrugë e mesit dhe të shkohet me një qeveri të pakicës me kushtin që ta dërgojë Ligjin për Buxhetin në Kuvend për miratim para festave të fundvitit, të kalohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe më pas vendi të shkojë në zgjedhje në pranverë. Ky është interesi nacional”, përfundoi Dugolli.