Arbëri

Duncan: UÇK-ja ishte e çorganizuar, komandantët e zonave ishin vendimmarrës

Diplomati britanik, John Duncan, ish-këshilltar politik i komandantit të NATO-s, Wesley Clark, të hënën ka nisur dëshminë në Dhomat e Specializuara. Ai ka thënë se në qershor të ‘99-s, por edhe më herët, e ka parë UÇK-në si guerile e jo si ushtri të rregullt. Sipas Duncanit, peshën vendimmarrëse në UÇK e kanë pasur komandantët e zonave

Diplomati britanik, John Duncan, ish-këshilltar i komandantit suprem të forcave aleate të NATO-s për Evropë, Wesley Clark, ka deklaruar para Gjykatës Speciale në Hagë, se UÇK-në atëkohë e ka parë si guerile e jo si ushtri të rregullt.

Në gjykimin e ish-udhëheqësve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Duncan ka thënë se pretendimi se UÇK-ja ishte ushtri e rregullt dhe me strukturë të organizuar, i ka shkuar për shtati Serbisë.

Duncan ka folur edhe për pritjen që i është bërë në Kosovë pas luftës, ku për nder të tij është rreshtuar garda. Sipas tij, kjo fotografi nuk ishte imazhi i vërtetë i organizimit të UÇK-së. 
“Nga përvoja e vizitave në vendet e tjera mund të pritesh nga një gardë e veshur mirë, ndërkohë që ushtria është copë-copë, nuk ka nevojë që të përmend emrat e vendeve për të mos iu shkaktuar vështirësi, por kjo nuk është shprehje e një strukture të mirë organizative. Nga përvoja ime dhe nga informacionet që i kemi marrë nga burime të ndryshme në terren, siç mund të pritej, ishte një ushtri guerile shumë kaotike, siç pritej të ishte në fakt dhe që në fakt ishte e çorganizuar, por po organizohej gjithnjë e më mirë”, ka thënë dëshmitari.

Në pyetjet e mbrojtjes së Thaçit lidhur me strukturën e UÇK-së, Duncan ka thënë se vetë NATO-ja pati vështirësi ta kuptonte strukturën e UÇK-së. Sipas dëshmitarit, UÇK-ja ishte heterogjene. 
“Kjo ishte vështirësia që po përballeshim atje, sepse nuk kishin strukturë hierarkike. Ishin të organizuar ndryshe. Pushtetet ishin ndryshe në vende të ndryshme”, ka thënë Duncan.

Ai ka thënë se vetëm Serbia përhapte pretendimin për strukturë e hierarki të UÇK-së, pasi përputhej me narrativin e saj propagandistike për dhunë të strukturuar, si dhe për t’i arsyetuar humbjet në front.

Për Thaçin, Duncan ka thënë se gëzonte autoritet, por ishte pjesë e një ekipi ku udhëheqësit ushtarakë kishin epërsi ndaj tij.

“Fuqinë e vërtetë mbi strukturën e UÇK-së e kishin komandantët e zonave dhe kjo na u konfirmua kur u takuam me gjeneralin Agim Çeku në fillim të negocimit e marrëveshjes”, ka deklaruar Duncan.

Ai ka thënë se vetë komandanti Agim Çeku pati kërkuar përfshirjen e komandantëve të zonave në negociatat për çarmatosjen e UÇK-së pas luftës.

“Ai na tha se unë këtë nuk e bëj dot pa praninë e komandantëve të zonave. Ju duhet të vini në Kosovë, tha ai. Unë i besova. Ai ishte shumë ngulmues për këtë çështje. Ai tha se Thaçi nuk ishte i disponueshëm dhe për ta bërë një gjë të tillë dhe se Thaçit i duhej të konsultohej. Më pas ai shtoi se unë nuk e bëj një gjë të tillë në qoftë se në negociata nuk marrin pjesë komandantët e zonave”, ka thënë dëshmitari.

Ai ka shërbyer edhe në Shqipëri pas rënies së komunizmit.

"Ky ishte një shtet i mbyllur për 46 vjet, dhe unë isha vërtet i interesuar të kuptoja se si funksiononte shoqëria, sepse kjo ishte baza e detyrës sonë si diplomatë. Ne duhej t’u shpjegonim eprorëve tanë si funksionon shoqëria, çfarë ndodh brenda saj, si veprojnë pushtetet, çfarë mund të ndikosh tek ata dhe pse ndonjëherë mund të jenë të vështirë. Kjo është puna e një diplomati - t’ua shpjegojë të gjitha aspektet e një shoqërie eprorëve përkatës", ka thënë Duncan.

Pas avokatëve të mbrojtjes, Prokuroria e Specializuar ka marrë në pyetje dëshmitarin. Prokurori i specializuar, Matthew Halling, e ka pyetur nëse ka parë komunikata të UÇK-së, e Duncan është përgjigjur që ka parë shumë pak nga ato.

Ai ka thënë se në ato që kishte parë, nuk kishte “ku përmendeshin ekzekutime apo vrasje të kolaboracionistëve”.

Prokuroi Halling më pas paraqiti një komunikatë, që pretendohej se ishte e UÇK-së me numër 28, ku thuhej se ishin vrarë dy kolaboracionistë.

Prokuroria e Specializuar do të vazhdojë pyetjet e saj të martën. Kreu i trupit gjykues, Charles Smith III, ka deklaruar se dëshmia e këtij dëshmitari do të zgjasë dy ose tri ditë.

Mbrojtja e Thaçit dhe e ish-krerëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të akuzuar për krime lufte, ka thirrur gjithsej 11 dëshmitarë, të cilët do të paraqiten gjatë javëve në vazhdim.

Dy dëshmitarë të tjerë do të paraqiten nga mbrojtja e Jakup Krasniqit, ndërsa mbrojtja e Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit ende nuk ka thirrur dëshmitarë.

Dëshmia e mbrojtjes nisi javën e kaluar me ish-ndihmësin e sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, dhe këshilltarin ligjor të delegacionit të Kosovës gjatë negociatave në Rambuje më 1999, Paul Williams.

Rubin, gjatë tri ditëve, foli kryesisht për rolin e Thaçit në luftë, për të cilin tha se ishte politik dhe nuk kishte kompetenca për vendime ushtarake brenda UÇK-së.

Rubin tha se nuk ka asnjë informacion që e lidh Thaçin ose Krasniqin me pretendimet për vrasje.

Williams, gjatë dëshmisë së tij, tha gjithashtu se Thaçi përfaqësonte UÇK-në si negociator i besueshëm, por nuk kishte autoritet të plotë mbi komandantët rajonalë.

Gjykimi i katër ish-eprorëve të UÇK-së nisi në vitin 2023.

Thaçi ishte udhëheqës politik i UÇK-së para dhe gjatë luftës së viteve 1998–1999, Veseli udhëheqës i shërbimit të inteligjencës, Krasniqi zëdhënës, ndërsa Selimi anëtar i shtabit të përgjithshëm.

Aktakuza kundër tyre përfshin akuza për burgosje të paligjshme, torturë, vrasje, krime kundër njerëzimit, zhdukje me forcë dhe persekutim të qindra civilëve dhe personave që nuk morën pjesë në luftime.

Këto krime dyshohet se ndodhën midis marsit 1998 dhe shtatorit 1999 në vende të ndryshme në Kosovë, por edhe në veri të Shqipërisë.

Sipas Dhomave të Specializuara, Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi mbajnë përgjegjësi penale personale për këto krime, por të gjithë ata e mohojnë fajësinë.

Avokatët mbrojtës kanë deklaruar se UÇK-ja nuk do të kishte fituar mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare nëse do të kishte ekzistuar një plan kriminal, siç pretendojnë prokurorët.

Sipas tyre, aktakuza bazohet në një keqinterpretim selektiv të ngjarjeve.