Arbëri

Dy ankesa pezullojnë tenderin 2-milionësh, dyshime për shkelje ligjore e favorizim

Një tender i shpallur nga Qendra Klinike Stomatologjike Universitare e Kosovës për furnizim me pajisje dentare, në vlerë afro 2 milionë euro, është pezulluar pas dy ankesave nga operatorë ekonomikë. Kompanitë pretendojnë për shkelje ligjore, përfshirë shkurtimin e paligjshëm të afatit dhe favorizimin e një operatori të caktuar. Njëri operator pretendon gjithashtu se vlera e tenderit është 1 milion euro më e lartë se çmimi real i këtyre pajisjeve në treg

Në tenderin për pajisje dentare dhe laboratorike, me vlerë afro 2 milionë euro, të shpallur nga Qendra Klinike Stomatologjike Universitare e Kosovës (QKSUK) janë paraqitur dy ankesa nga operatorë ekonomikë, çka ka bërë që tenderi të pezullohet nga Organi Shqyrtues i Prokurimit.

Tenderi përmes të cilit parashihej furnizimi me 20 tavolina pune për teknikë dentare, skaner intraoral e sisteme të aspirimit, është kundërshtuar nga kompania “Bora Dental” dhe “DUA 5n2 SH.P.K”.

Njëra nga kompanitë në ankesën e saj, pretendon se QKSUK-ja ka shkurtuar afatin e tenderit nga 45 ditë në vetëm 15 ditë, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik.

“QKSUK ka shkurtuar afatin kohor të tenderit nga 45 ditë në vetëm 15 ditë, pa arsye të ligjshme, duke vepruar në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik. Në një kontratë me vlerë të lartë aplikimi i shkurtimit pa dokumentim adekuat dhe pa verifikim të pavarur cenon barazinë në garë dhe transparencën. Ky rrezik përforcohet edhe më tej nga fakti se specifikimet teknike janë hartuar në një mënyrë skandaloze duke u kopjuar pothuajse fjalë për fjalë katalogët e prodhuesve, siç janë: Kavo ,Cattani duke kufizuar paligjshëm konkurrencën”, thuhet në ankesën e “Bora Dental”.

Përveç “Bora Dental”, edhe operatori tjetër ekonomik, “DUA 5n2 SH.P.K”, ka paraqitur ankesë për të njëjtën çështje.

Ky operator ka kërkuar rishqyrtimin e tenderit, duke pretenduar se autoriteti kontraktues ka vepruar në kundërshtim me nenet 1, 8 dhe 9 të ligjit, duke shkurtuar në mënyrë të pajustifikuar afatet kohore për pjesëmarrje.

E në dosjen e tenderit është theksuar se shkurtimi i afatit bazohet në nenin 46 të Ligjit për Prokurimin Publik, me arsyetimin se “ky furnizim është i nevojshëm për institucionin”, por duke mos treguar për arsyet.

Megjithatë, sipas neneve 44 dhe 46 të këtij ligji thuhet se në rastet kur bëhet fjalë për kontrata me vlerë të madhe, afati minimal duhet të jetë 40 ditë.

“Gjatë caktimit të afatit kohor, autoriteti kontraktues do të marrë parasysh qëllimin dhe kompleksitetin e prokurimit përkatës dhe kontratën që do të jepet, si dhe nivelin e vështirësisë dhe/ose kompleksitetit të përgatitjes së një tenderi, të përgjegjshëm ose kërkese për pjesëmarrje. 2. Gjatë një prokurimi që zbaton procedurën e hapur, autoriteti kontraktues do të caktojë një afat kohor për pranimin e tenderëve që është: 2.1. kur kontrata përkatëse është kontratë publike me vlerë të madhe, jo më pak se dyzet (40) ditë; dhe 2.2.. kur kontrata përkatëse nuk është kontratë publike me vlerë të madhe, jo më pak se njëzet (20) ditë, thuhet në nenin 46 të Ligjit të Prokurimit Publik.

Përfaqësuesit e “Bora Dental” pretendojnë gjithashtu se vlera e tenderit është 1 milion euro më e lartë se çmimi real i këtyre pajisjeve në tregun normal.

“Ky tender është plotësisht i manipuluar dhe me elemente të qarta korrupsioni, i ndërtuar për t’ia siguruar kontratën vetëm një operatori të caktuar, përfaqësues i KaVo-s në Kosovë. Vlera reale e pajisjeve të kërkuara në treg nuk kalon 900,000 euro, ndërsa tenderi është shpallur në 1,899,000 euro, duke krijuar një diferencë prej rreth 1 milion euro, që përbën një dëmtim të drejtpërdrejtë të buxhetit të shtetit. Kjo procedurë nuk është vetëm e paligjshme dhe diskriminuese, por përmban shenja të qarta të një veprimi kriminal, që do të duhej hetuar menjëherë”, thuhet në ankesën e “Bora Dental”.

KOHA ka pyetur për çmimet e këtyre pajisjeve në treg normal i ka kontaktuar tri biznese të sektorit. 

Vetëm njëra prej tyre ka kthyer përgjigje, duke preferuar të mbetet anonime. 

Sipas kësaj kompanie, bazuar në listën e pajisjeve në dosjen e tenderit, vlera e tyre mund të shkojë nga 700,000 deri në 800,000 euro.

KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga QKSUK-ja lidhur me këto pretendime, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e tekstit.