Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Dy ditë bllokadë në Aeroportin e Vlorës, përplasja Pacolli–Ademi paralizon punimet

Aeroporti i Vlorës përplasja

Për të dytën ditë me radhë, punimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës janë shoqëruar me tensione, përplasje dhe prezencë të shtuar të policisë, pasi konflikti mes kompanisë “Mabco” të biznesmenit Behgjet Pacolli dhe “2A Group” të biznesmenit Valon Ademi ka hyrë në një fazë të re përplasjesh mbi administrimin dhe kontrollin e projektit.

Që nga orët e para të mëngjesit të së martës, forca të shumta të Policisë së Shtetit u vendosën pranë hyrjes së kantierit të aeroportit, pas raportimeve për tensione mes përfaqësuesve dhe punëtorëve të dy kompanive. Sipas raportimeve në mediat e Shqipërisë, punonjësve të lidhur me “Mabco” dhe disa nënkontraktorëve nuk u është lejuar hyrja në kantier.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Situata vjen pas incidenteve të ngjashme të regjistruara edhe një ditë më parë, ku debatet mes palëve detyruan ndërhyrjen e policisë për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit.

Në një reagim në Facebook gjatë ditës së sotme, Behgjet Pacolli akuzoi drejtuesit e “2A Group” për marrje të dhunshme të kontrollit të kantierit dhe për përdorim të policisë private për të penguar hyrjen e punëtorëve të “Mabcos”.

Ai përmendi me emër Valon Ademin, si dhe Vegim Hoxhën e Bujar Ejupin, duke pretenduar se po mbështeten në një kontratë që, sipas tij, është e paligjshme dhe është denoncuar në Prokurorinë e Tiranës që në janar të vitit 2025.

Sipas Pacollit, kontrata përmes së cilës “2A Group” pretendon të drejtën e administrimit të aeroportit është nënshkruar pa autorizimin e “Mabcos” dhe pa prokurë të vlefshme. Ai ka akuzuar gjithashtu biznesmenin Valon Lluka për përfshirje në, siç tha ai, “fabrikim falsifikimesh” lidhur me dokumentacionin kontraktual.

Pacolli u bëri thirrje institucioneve shqiptare dhe policisë që të zbatojnë vendimet gjyqësore dhe të mos pengojnë hyrjen e punëtorëve dhe nënkontraktorëve në vendet e tyre të punës.

Përplasja mes “Mabco” dhe “2A Group” ka nisur që në vjeshtën e vitit 2025 dhe lidhet kryesisht me aksionet dhe administrimin e Aeroportit të Vlorës, një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore në Shqipëri.

Sipas raportimeve, palët kishin arritur një marrëveshje noteriale, përmes së cilës pjesëmarrja e “2A Group” në projekt do të rritej nga 2 për qind në 49 për qind. Megjithatë, kjo marrëveshje nuk u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit, duke hapur konfliktin juridik mes kompanive.

Pas kësaj, “2A Group” iu drejtua gjykatës, duke kërkuar njohjen e të drejtave të saj mbi administrimin dhe aksionet e projektit. Në fazat e para të procesit, gjykata vendosi masa kufizuese ndaj “Mabcos”.

Një tjetër pikë përplasjeje është kredia prej rreth 100 milionë eurosh që “Mabco” ka marrë nga fondi “Delphos”. “2A Group” e kundërshtoi këtë veprim në gjykatë, duke argumentuar se mund të ndikojë në strukturën e pronësisë dhe kontrollin e projektit.

Më pas, Gjykata e Apelit në Shqipëri i njohu “2A Group” të drejtën e administrimit të aeroportit, me arsyetimin se kjo masë parandalon tjetërsimin e aksioneve deri në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit.

Megjithatë, pa vendimin përfundimtar të gjykatës, kriza mes palëve vazhdon.