Arbëri

Dy foshnja njëjavore mes 41 pacientëve të hospitalizuar shkaku i COVID-19

Foshnje

Foshnjat, njëra 6 dhe tjetra 8-ditëshe, janë të shtrira në Klinikën e Neonatologjisë, teksa gjendja e tyre është konfirmuar të jetë stabile. Hajrije Ismaili, drejtoreshë në Klinikë, ka treguar se problemet respiratore dhe ngritja e temperaturës trupore kanë qenë simptomat me të cilat janë hospitalizuar foshnjat

Dy foshnja njëjavore janë në mesin e 41 pacientëve të konfirmuar me sëmundjen COVID-19, të cilët aktualisht janë duke marrë trajtim në Qendrën Klinike dhe Universitare.

Foshnjat, njëra 6 dhe tjetra 8-ditëshe, janë të shtrira në Klinikën e Neonatologjisë, teksa gjendja e tyre është konfirmuar të jetë stabile.

Hajrije Ismaili, drejtoreshë në Klinikë, ka treguar se problemet respiratore dhe ngritja e temperaturës trupore kanë qenë simptomat me të cilat janë hospitalizuar foshnjat.

“Të dyja, kur janë pranuar kanë qenë me temperaturë të lartë trupore, ndërkaq njëra ka pasur edhe probleme respiratore të theksuara, porse tani gjendja e tyre është stabile…. Që nga fillimi, foshnjat kanë manifestuar më pak simptoma sesa të rriturit e edhe në këtë rast, edhe në këtë valë, simptomat janë më të lehta”, ka thënë Ismaili.

Gjatë së martës, bazuar në raportin ditor të Ministrisë së Shëndetësisë për gjendjen me pandeminë, dy persona kanë vdekur si pasojë e COVID-19, ndërsa janë konfirmuar edhe 952 raste të reja pozitive. Bilanci i rasteve ka rezultuar nga testimi i 2619 mostrave të dyshuara. Ndërkaq në raportin ditor të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar është bërë e ditur se vetëm në Klinikën e Pediatrisë janë duke marrë trajtim mjekësor gjashtë fëmijë të konfirmuar si pozitivë për praninë e koronavirusit.

Infektologu Hamdi Ramadani ka bërë të ditur se rastet e fundit të vdekshmërisë dhe të sëmundjes mes fëmijëve të moshës pediatrike dhe të foshnjave janë tregues se situata pandemike është e rënduar dhe shqetësuese. E për shtimin e numrit të fëmijëve të prekur ka fajësuar të rriturit e pavaksinuar.

“Mendoj se vaksinimi dhe imunizimi, i cili po të bëhej në mënyrë të rregullt dhe të drejtë me tri doza ose katër, sigurisht se do ta ndalte pothuajse në zero edhe numrin e rasteve, ta quajmë, me infeksion. Dhe çka është më e rëndësishmja me vdekshmëri ose me fatalitet, edhe në këtë drejtim kjo do të ndikojë edhe në mënyrë direkte dhe indirekte që edhe numri i sëmundjeve te foshnjat ose te fëmijët po ashtu të zvogëlohet në maksimum, pasi është më se e qartë që infeksioni në këtë moshë po bartet nga personat e rritur, familjarë”, ka thënë Ramadani.

Ai u bën thirrje autoriteteve shëndetësore që t’i japin prioritet vaksinimit të masës me dozën e tretë dhe atë të katërt që aktualisht u rekomandohet personave mbi 60 vjeç.

Me gjithë rritjen e numrit të rasteve të reja ditore gjatë muajve të fundit, interesimi për imunizim ndaj sëmundjes ka pësuar rënie të theksueshme.

Në raportin e së martës të Ministrisë së Shëndetësisë është bërë e ditur se brenda 24 orëve të fundit janë vaksinuar vetëm 79 qytetarë, përderisa me dozën e katërt të vaksinave deri më tani janë imunizuar mbi 1500 qytetarë.

Me bilancin e fundit, numri i rasteve aktive është 7800, përderisa gjatë së martës si të shëruar janë konfirmuar 512 pacientë. Në Klinikën Infektive aktualisht janë të hospitalizuar 25 pacientë dhe dy të tjerë janë në Mjekim Intensiv me oksigjeno-terapi. Ndërkaq 29 pacientë të tjerë, pozitivë për COVID-19, janë duke marrë trajtim në spitalet rajonale.