Mbeturinat e pambledhura prej dy javësh kanë krijuar situatë të rënduar në disa fshatra të Podujevës, ku kontejnerët janë stërmbushur dhe mbeturinat janë shpërndarë përreth. Banorët ankohen për kundërmim dhe probleme higjienike, ndërsa Komuna fajëson ndërmarrjen “Pastrimi” për keqmenaxhim dhe mungesë kapacitetesh.
Kontejnerët e mbeturinave në fshatin Penuhë të Podujevës janë shndërruar në vatër kundërmimi pas dy javësh të mosgrumbullimit. Banorët kanë thënë se, përveç erës së rëndë, mbeturinat edhe po shpërndahen përreth.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Që dy javë nuk janë ardhë, qe gjendja tash, domethënë kontejnerët janë mbushë, tash qentë endacakë po vijnë po e hallakatin, po duhet me e çkepë. Që dy javë ditë nuk janë ardhë me e marrë hiç. Qëkjo është gjendja. Tmerr është”, ka thënë Bahri Hyseni, banor i fshatit Penuhë.
Me të njëjtën situatë përballen edhe banorët e fshatrave të tjera të Podujevës, si dhe pjesë të qytetit që janë nën përgjegjësinë e ndërmarrjes publike “Pastrimi”.
Banorët e fshatit Sekiraqë janë shprehur të shqetësuar për gjendjen e krijuar nga mosgrumbullimi i mbeturinave dhe kanë thënë se situatë e njëjtë është që nga fillimi i vitit.
“Si qytetarë jemi mjaft korrektë me pagesat dhe ato përgjegjësitë që na takojnë dhe i rrimë gati grumbullimit dhe mundohemi që sa më pastër sa në mënyrë të emancipume ta bëjmë atë. Por nga ana e tyre ka ngecje... Si pasojë e tyre mundet me pas edhe infeksione”, ka thënë Besim Selmani, banor i fshatit Sekiraqë.
Isak Ejupi – banor i fshatit dhe asambleist i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka thënë se mbeturinat në rrugë, nëpër kontejnerë dhe Komuna nuk vjen t’i mbledhë për dy-tre javë.
“Po kemi telashe sepse qentë endacakë, macet e kafshët e tjera po i zhvendosin ato nëpër lagje, nëpër fshat dhe pastaj ne realisht po duhet t’i mbledhim përsëri ato t’i vendosim nëpër kontejnerë. D.m.th. është edhe kundërmimi nëse ia shtojmë kësaj, është një problem që tanimë është bërë rutinë dhe shqetësim i të gjithë banorëve”, ka thënë ai.
Në Komunën e Podujevës kanë thënë se vonesat në grumbullimin e mbeturinave janë shkaktuar si pasojë e keqmenaxhimit nga ndërmarrja publike “Pastrimi”.
Drejtori i Shërbimeve Publike, Bahri Selimi, ka thënë se menaxhmenti i kësaj ndërmarrjeje prej muajsh nuk i ka servisuar kamionët që ishin në operim.
“Do të duhej të operohej me 7 kamionë në mënyrë që të mblidhet në kohë reale i gjithë territori i komunës sonë, marrë për bazë një territor shumë i gjerë me shumë fshatra e që kërkesa dhe nevoja e saktë është që të operojmë me 7 kamionë. Tash sot kur po flasim jemi duke operuar me 2 kamionë.... 5 kamionë të njëjësisë sonë janë në serviset e KRM ‘Pastrimi’... 5 kamionë janë të dërguar atje, presin, ka muaj të tërë, nuk është çështje javësh, ka muaj të tërë që presin me u rregullu dhe me u kthy në operim”, ka thënë Selimi.
Selimi ka theksuar se janë në bisedime me kompani private për zgjerimin e territoreve që ajo mbulon. Në KRM “Pastrimi” kanë pranuar se disa kamionë janë jashtë funksionit për shkak të defekteve teknike dhe mungesës së pjesëve për riparim.
“Procesi i servisimit është duke vazhduar, ndërsa një pjesë e vonesave lidhet edhe me sigurimin e pjesëve të nevojshme dhe kostot e larta të mirëmbajtjes së flotës ekzistuese, e cila është e amortizuar pas viteve të gjata në operim intensiv. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se shumë shpejt, brenda rreth dy javësh, pritet të shpallet tenderi për pajisje me flotë të re operative, gjë që do të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e kapaciteteve dhe stabilizimin afatgjatë të shërbimit”, është shkruar në përgjigje.