Arbëri

Dy vëllezër akuzohen për kurdisje në tenderin 2-milionësh

Për koordinim të ofertave në tenderin mbi 2 milionë euro të furnizimit të rajonit të Prishtinës me naftë, janë akuzuar dy vëllezër, që janë pronarë të dy kompanive të ndryshme. Në këtë tender “DHF Company” ofroi çmim më të ulët, por kur autoriteti kontraktues i kërkoi sqarime, ajo nuk iu përgjigj dhe radha i kaloi kompanisë së vëllait tjetër, që pati ofertë për 42 mijë euro më të shtrenjtë. Një grup tjetër i operatorëve pjesëmarrës në proces paraqiti ankesë, me pretendimin se vëllezërit e kurdisën tenderin

Dy vëllezër, pronarë të dy kompanive për furnizim me naftë, janë akuzuar nga një kompani tjetër, për koordinim të ofertave, ashtu që njëri prej tyre ta fitojë tenderin në vlerë mbi dy milionë eurosh të shpallur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit, për furnizim me derivate të institucioneve lokale në rajonin e Prishtinës.

Në Lotin 5 të aktivitetit të prokurimit ofertuan 4 kompani. Ofertën më të lirë, prej 2 milionë e 155 mijë euro, e bëri “DHF Company”, me pronar Hysen Jusaj. E “Petrol Company”, pronar i së cilës është vëllai i Hysen Jusajt, Shkëlzeni, ofertoi me 2 milionë e 198 mijë euro.

Grupi i operatorëve ekonomikë, Patroni dhe Integral, që në tender e ofruan çmimin më të shtrenjtë, u ankua në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) se dy vëllezër e kurdisën tenderin.

Në ankesë thuhet që me qëllim të përfitimit të 42 mijë eurove më shumë, vëllai që ofertoi më lirë u largua nga procedura, ashtu që kontrata t’i jepet atij me ofertë më të shtrenjtë.

Më 6 maj, AQP-ja i dërgoi kërkesë për sqarime shtesë DHF-së, por ajo nuk u përgjigj. Disa ditë pas, iu ofroi kohë shtesë për këtë, porse prapë nuk u përgjigj.

Oferta u vlerësua e papërgjegjshme dhe kontrata iu dha “Petrol Company”.

“Nuk keni ofruar dëshmi për realizimin e furnizimeve të ngjashme (asnjë dëshmi) edhe pas kërkesës për sqarime shtesë të dërguara me datë 06.05.2025 dhe ofrimit të kohës shtesë me datë 12.05.2025, nuk keni dorëzuar asnjë dëshmi dhe me këtë rast kjo ofertë vlerësohet e papërgjegjshme”, thuhet në letrën standarde për tenderuesin e eliminuar.

KOHA u dërgoi pyetje kompanive në pronësi të dy vëllezërve, por përgjigje mori veç nga ajo që u eliminua. Në DHF i konfirmuan lidhjet familjare, por thanë se kompanitë përherë kanë qenë konkurrente në tenderë dhe në tregun me pakicë.

E, në arsyetimin se përse nuk iu përgjigjën autoritetit kontraktues, thanë se kërkesën për sqarime shtesë e panë me vonesë.

“Nuk kemi mbërri të kthejmë sqarime shtesë, sepse me vonesë e kemi parë kërkesën, dhe ishte pas afatit të paraparë. ⁠Qëllimi ka qenë që ta fitojmë tenderin, sikurse e kemi fituar edhe me parë, përkundër që kanë marrë pjesë pothuajse të gjitha kompanitë që ishin edhe tani! Nëse ju duhen dëshmi, ju dërgojmë. Meqë temë e keni ‘Petrol Company’-n, ne e kemi fituar në të kaluarën këtë tender dhe të tjerë në garë me ta”, thuhet në përgjigjen e “DHF Company”.

Diana Metushi-Krasniqi, hulumtuese në KDI, thotë se është një zinxhir i institucioneve përgjegjëse për monitorimin, identifikimin dhe trajtimin e rasteve të dyshimta për kurdisje tenderësh, por i kritikoi ato për mungesë bashkëpunimi.

“Në asnjë moment nuk e ndalon asnjë dispozitë ligjore, as KRPP-në, as OSHP-në, as Autoritetin Kontraktues me iu qasë Agjencisë për Mbrojtjen e Konkurrencës, institucionit përgjegjës për këtë çështje, ta marrë një interpretim dhe në bazë të interpretimit të Agjencisë për Mbrojtjen e Konkurrencës, të vendoset në listën e sanksionimeve siç e vendosë OSHP-ja në një periudhë të caktuar, e cila do të ishte e mjaftueshme që rasti të procedohet nga prokuroria apo respektivisht nga një kallëzim penal për shkelje ligjore”, ka thënë ajo.

Në OSHP u pyetën nga KOHA se si veprohet kur identifikohen raste të dyshimta për kurdisje tenderësh, por thanë se përgjegjësinë për mbikëqyrje e ka Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik.

“OSHP-ja ju njofton se bazuar ne dispozitat e Nenit 88 të LPP-së, KRPP-ja e ka autoritetin dhe përgjegjësinë ta vëzhgojë dhe mbikëqyrë zbatimin e dispozitave të këtij ligji dhe rregullave të nxjerra nga KRPP-ja, sipas autorizimit të këtij ligji”, thuhet në përgjigjen e OSHP-së.

Në KRPP thanë se për rastet e tilla kompetencën e konstatimit e ka Autoriteti i Konkurrencës.

“Lidhur me pyetjen tuaj konkrete për “ekzistimin e dyshimit për kurdisje të tenderit”, KRPP-ja ju këshillon që për këtë çështje t’i drejtoheni institucionit përkatës - Autoritetit të Konkurrencës”, thuhet në përgjigje.

E në Autoritetin e Konkurrencës bënë të ditur se kanë bashkëpunim me dy institucione, porse deri më tash nuk kanë iniciuar në organet e drejtësisë rast rreth kurdisjes së tenderëve. Për kontrata të tjera të kundërligjshme thanë se i janë drejtuar Policisë së Krimeve Ekonomike.

“Autoriteti i Konkurrencës, në përputhje me Ligjin Nr. 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, ndërmerr një sërë veprimesh kur dyshon për kurdisje të tenderëve (të njohur ndryshe si ‘bid rigging’). Këto përfshijnë: mbledhjen e të dhënave, dokumenteve dhe dëshmive relevante, analizimin e sjelljeve të operatorëve ekonomikë, intervistimin e palëve të përfshira dhe, kur ka bazë të mjaftueshme, hapjen e procedurës hetimore dhe ndërmarrjen e masave ligjore, përfshirë gjobitjen e ndërmarrjeve që kanë kryer shkelje”, theksohet në përgjigjen e këtij Autoriteti.

Në tenderin e AQP-së, krahas Lotit të 5-të për furnizimin me derivate të Rajonit të Prishtinës, “Petrol Company” i fitoi edhe 3 lote të tjera – atë për rajonin Pejë-Gjakovë, për Mitrovicë dhe për furnizimin e institucioneve të nivelit qendror.

Të gjitha këto në vlerë prej 6 milionë e 871 mijë eurosh.