Sulmi në Banjskë është më i madhi që nga paslufta nga Serbia drejt Kosovës, ka theksuar ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Në një intervistë në “60 Minuta” të KTV-së ai ka thënë se Serbisë nuk po i bëhet presion i mjaftueshëm për dorëzimin e autorit kryesor për këtë sulm, Milan Radoiçiq, nga bashkësia ndërkombëtare.
Sveçla konsideron se ndërkombëtarët e shohin Serbinë si faktor destabilizues në Ballkan, çka sipas tij ka ndikuar edhe që të mos i bëjnë presion të madh. Megjithatë, ai këmbëngulë që presioni ndërkombëtar ndaj presidentit serb dhe qeverisë serbe duhet të jetë më i vendosur.
“Unë mendoj se ka pas një sensibilitet më të madh në raport me stabilitetin në rajon duke e menduar se mos t`i bëjnë presion tepër të madh Serbisë e cila është faktor destabiliteti në Ballkan. Serbia është shteti i cili realisht kontribuon në destabilizim të Bosnjës dhe shteti i cili mundohet dhe interferon në politikat e brendshme të Malit të Zi, është shteti i cili në vazhdimësi atakon qoftë në aspektin diplomatik por edhe përmes minimit të vet sovranitetit të institucioneve të Kosovës brenda për brenda Republikës së Kosovës tenton të ndalë progresin e Kosovës dhe potencialisht të destabilizoj Republikën tonë”, ka thënë ai.
Sipas Sveçlës, dy vjet pas sulmit situata në Banjskë dhe në përgjithësi në veri është më stabile.
“Nuk ka një qëndrim të vendosur që jo vetëm të dënohet se të jemi korrekt ka pasur dënim të sulmit terrorist nga vendet mike, aleate. Por, duhet të ketë një vendosmëri në raport me Serbinë që Serbia të detyrohet që të dorëzoj Radojçiqin dhe gjithë terroristët tjerë të cilët kanë marrë pjesë në sulmin e Banjskës dhe kjo patjetër duhet të bëhet duke llogaritur edhe pasojat potenciale për vet Serbinë. Këtë nuk po e shohim. Dhe ne kërkojmë që kjo edhe të bëhet. Nuk mund të ketë një pikëvështrim normal ndaj Serbisë me politika të këtilla ku ata përmes veprimeve terroriste cenojnë vendet përreth, cenojnë edhe Republikën e Kosovës”, u shpreh ministri në detyrë i Brendshëm.
