Arbëri

Dyshohet se është keqtrajtuar, 14-vjeçari qe pesë muaj nuk ndjek mësimin

Nxënësi 14-vjeçar nga Kaçaniku, për të cilin KOHA ka raportuar për dyshimet për ushtrim dhune dhe keqtrajtim gjatë qëndrimit në qendrën burimore për mësim dhe këshillim “Nënë Tereza” në Prizren, ka pesë muaj që nuk po e vijon mësimin. Nëna e fëmijës që ka dëmtime në të dëgjuar, ngul këmbë të mos e dërgojë në Prizren, e në shkollën në fshatin e lindjes nuk ka kushte të përshtatshme për të

Nxënësi 14-vjeçar nga Kaçaniku me dëmtime në të dëgjuar ende nuk e ka filluar vitin shkollor 2023/2024. Ai nuk i ka ndjekur mësimet që nga viti i kaluar, kur e përfundoi klasën e shtatë në shkollën SHFMU “7 Shtatori”, në Begracë.

KOHA të dielën ka raportuar për dyshimet e ngritura nga nëna e tij për ushtrim dhune dhe keqtrajtim gjatë kohës sa fëmija ka qëndruar në qendrën burimore për mësim dhe këshillim “Nënë Tereza” në Prizren, ku edhe ka përfunduar shkollimin fillor gjashtëvjeçar.

Nëna Arbresha Shehu ka thënë se për shkak të ndodhive u ka bërë kërkesë institucioneve që fëmija e saj ta vazhdojë shkollimin në Begracë, porse ajo është refuzuar.

“Ju kisha lut të marrin masa, me Ministri, me Komunë të Kaçanikut, le të bashkohen, djalit me ia ba një zgjidhje se unë për në shkollë speciale nuk e dërgoj. Në shkollën e Begracës, vjet në klasën e shtatë, tre muaj i ka ardhur asistentja, por asistentja u kanë perfekt, se i ka nejt djalit, por nuk e ka ditur gjuhën e shenjave, po mu ma merr menja që më shumë ka arritur me asistenten në Begracë sesa që ka arritur në shkollën ‘Nënë Tereza’”, ka thënë ajo.

Por drejtori aktual i qendrës burimore për mësim dhe këshillim “Nënë Tereza” në Prizren, Hysamedin Beshi, ka thënë se janë bërë shumë përpjekje për kthim të fëmijës në Prizren.

“Kemi shkuar te prindi i fëmijës në Kaçanik, së bashku me DKA në Kaçanik kemi insistuar që ta kthejmë nxënësin në shkollë, të vijojë mësimet, por nëna e vet nuk ka pranuar, ka kërkuar që të sigurojë interpretim të gjuhës së shenjave. Ne nuk kemi të drejtë të sigurojmë interpretues të gjuhës së shenjave, sepse në shkollën tonë ekzistojnë vetëm dy interpretues, të cilët edhe ashtu nuk i plotësojnë kërkesat e nxënësve pranë shkollës sonë”, ka theksuar Beshi

Në Drejtorinë e Arsimit në Kaçanik kanë deklaruar se nuk kanë mundësi për t’i ofruar kushte të përshtatshme fëmijës në shkollën në Begracë.

“Unë informatën e fundit e kam, që kur janë bërë krejt bashkë me nënën e fëmijës, prej MASHTT-t ka qenë përfaqësuesja e zyrës me nevoja të veçanta që merret prej Qendrës Burimore, zyrtari i Drejtorisë Komunale të Arsimit, kinse e kanë bindur se fëmija ka dëshirë të shkojë atje, por prindi po e pengon, ose kështu diçka. Unë e di që kanë mbërri marrëveshje për ta përcjellë atje. Shans nuk kemi, absolut nuk e kemi atë mundësi për ta mbajtur në fshatin e tij në Begracë. Interpretues të gjuhës së shenjave nuk kemi nuk e kemi atë mundësi, këtu edhe është problemi kryesor”, ka thënë drejtori i Arsimit në këtë komunë, Zahir Doda.

Në Ministrinë e Arsimit ndërkohë kanë thënë se kanë bërë përpjekje që fëmija t’i kthehet procesit mësimor, porse nuk ofruan përgjigje se për cilin institucion arsimor e kanë fjalën.

“Me znj. Arbnesha Shehu janë realizuar një varg takimesh në MASHTI, në Drejtorinë Komunale të Arsimit në Kaçanik, për krijimin e kushteve dhe kthimin e fëmijës në shkollim, meqenëse jemi të interesuar që fëmija të mos mbetet pa arsimim duke i garantuar kujdes të shtuar dhe mbikëqyrje të vazhdueshme përmes drejtorit z. Hysamedin Beshi”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Arsimit.

Inspektorati i Arsimit në përgjigjen që i ktheu nënës lidhur me dyshimet e ngritura nga ajo për keqtrajtim të fëmijës, ka rekomanduar që nxënësit t’i sigurohet një asistent për fëmijë me nevoja të veçanta.