Mosmbajtja e premtimit ana e Bashkimit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësim të Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore, është kryetemë e së dielës në Koha Ditore.
Shkrimi kryesor me titull “BE-ja e pasinqertë” trajton arsyet se pse Franca, e mbështetur nga Gjermania dhe Holanda po e bllokojnë procesin e zgjerimit, pavarësisht konstatimit se dy vendet nga Ballkani kanë plotësuar kushtet e kërkuara.
Aty mund të kuptoni se si rasti i Shqipërisë dhe Maqedonisë Veriore do të testojë kredibilitetin e BE-së.
Në intervistën e javës, flet ish-ambasadori në BE dhe së fundmi, kandidat për president në Maqedoninë Veriore, Blerim Reka.
Ai thotë se BE-ja ka ndryshuar qasje, pasi nuk dëshiron t’i përsëritet viti 2004, ku sipas tij, u pranuan vende që nuk kanë plotësuar kriteret bazë.
“Vendi që i kthen kriminelët në fqinj të mirë”, dhe “Kërcënimi online nga e djathta ekstreme” janë dy prej shkrimeve nga faqet e botës.
Fejtoni, këtë javë, sjell vendosshmërinë e Ramiz Alisë për t’i dhënë fund izolimit të Shqipërisë pas vdekjes së Enver Hoxhës dhe ta kthente vendin e tij në qendër të politikave botërore.
Në rubrikën ‘kosovarçe’ vjen shkrimi për grykën e Junikut, e cila po shihet si thesar për zhvillimin e turizmit.
Rubrika e kulturës sjell artisten italiane Silvia Basson, e cila përmes grafikave synon t’ua thjeshtësojë njerëzve gjërat e komplikuara.
Në monument mund të lexoni për Adem Bajmakun, i cili për shumë vjet është mjeshtër i pajisjeve që kanë të bëjnë me muzikën.
Në mesin e shumë shkrimeve interesante nga sporti, veçohet ai për ngritjen e xhudistes Flaka Loxha, e cila shënoi katër fitore në Sarajevë.
Këto dhe shkrime të tjera interesante nga kinematografia, shkenca, teknologjia, moda e shumëçka tjetër, mund t’i lexoni në mbi 80 faqet e numrit të së dielës në “Koha Ditore”.