Shkelje ligjore

E paligjshme vota e asamblistëve për vendime nga të cilat vetë përfitojnë

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka vlerësuar se pjesëmarrja në votim e kuvendarëve të Fushë-Kosovës për lirimin e bizneseve nga taksa komunale, duke pasur edhe vetë ata interes personal a familjar përbën shkelje ligjore. Në anën tjetër, kuvendarë të partisë në pushtet, pjesëmarrës në votim, të cilët kanë biznese, janë shprehur se nuk kanë qenë të vetëdijshëm për ndalesën ligjore, ndonëse paraprakisht kryesuesi ua kishte lexuar ligjin

Me shkelje ligjore është përcjellë votimi i Kuvendit Komunal të Fushë-Kosovës për faljen e borxheve të taksës komunale për biznese për vitin 2023 dhe për lirimin nga kjo taksë për të gjitha bizneset për vitin 2024 e 2025. 

Nga 15 kuvendarët votues, më shumë se gjysma kanë biznese individuale ose familjare. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka vlerësuar se në këto raste, anëtarët e Kuvendit nuk duhet të jenë pjesëmarrës në vendimmarrje.

“Anëtari i Kuvendit të Komunës apo anëtari i komitetit nuk mund të jetë pjesëmarrës në marrjen e vendimeve dhe në procedurat administrative që kanë të bëjnë me cilëndo çështje në të cilën ai ose ajo, apo ndonjë anëtar i afërt i familjes së tij apo saj, ka interes personal apo material, ashtu siç është e përcaktuar në paragrafin 1 të nenit 38 të Ligjit Nr.03/L-040 për Vetëqeverisjen Lokale”, thuhet në vlerësimin e Ministrisë.

Krenar Dumani dhe Etnik Berjani nga radhët e partisë në pushtet – Lidhjes Demokratike – janë dy nga pesëmbëdhjetë votuesit e këtij vendimi, e të cilët janë edhe pronarë biznesesh.

Ata i kanë thënë KOHËS se nuk kanë qenë të vetëdijshëm për pengesat ligjore për të marrë pjesë në votim, ndonëse kryesuesi ua ka lexuar nenin 38 të Ligjit për vetëqeverisje lokale. 

“Jo, se për atë nuk ma ka marrë mendja që është konflikt interesi, se nuk e fal veç një lloj të biznesit, po i fal të gjitha llojet e bizneseve edhe për atë arsye, edhe nuk e kam kuptuar që është konflikt interesi, po prapëseprapë po të tregoj se ne nuk jemi që ligjshmërinë ia japim vendimit po ose jo. Atë është ministria e cila e jep, edhe nëse diçka ne jemi të gatshëm me përmirësu se nuk jemi për me çu diçka të paligjshme”, ka thënë Berjani. 

Sipas tij, Kuvend i ka falur edhe para dy vjetësh këto taksa dhe nuk ka pasur ndonjë telashe. 
“Jo, jo dëgjomë, në qoftë se e kisha kuptuar drejt unë, e di që nuk kisha mujtë edhe me iu ndihmu atyre se e kthen Ministria e Pushtetit Lokal. Çka kisha ba unë veç kisha votua kot, se në qoftë se është diçka e padrejtë e kthejnë. Se ka pasë shumë vendime që na i ka kthye ministria, domethënë MAPL-ja edhe në qoftë se kisha kuptua që nuk vlen vota jem, pse me votua unë veç për pa lidhje”, ka justifikuar Berjani pjesëmarrjen në votim. 

Edhe Berjani edhe këshilltari tjetër, Krenar Dumani, thotë se nuk kishin votuar sikur ta dinin se është i paligjshëm një veprim i tillë. 

“Po, kam qenë në seancën kur është marrë vendimi, por unë s’e kam kuptuar atë nenin e ligjit që është, që s’ka të drejtë me marrë pjesë në votim. Ajo ka qenë për çdo njeri që ka lidhje me biznese. Domethënë aty jo veç te na po në asnjë kuvend komunal nuk po besoj që ka dikush. Ajo atëherë ose s’u dashtë me ardhë hiç, ose nëse na kemi votuar jashtëligjshëm, MAPL-ja le të na e kthen të kundërligjshëm”, ka theksuar Krenar Dumani. “Mundohemi me qenë racionalë. Por, jo çdoherë ia qëllojmë. Por edhe nëse nuk ia kemi qëlluar atëherë, udhëzimi ose neni paraprak që ti e the më herët, thotë që çdo person që lidhet, aty asnjë s’është që s’lidhen, gruaja, ose gruaja e mixhës, ose çika e dajës, ose me dikë e lidh, atëherë nuk duhet me ardhë në kuvend hiç, se krejt janë pjesë e biznesit, krejt dikë dikush e lidh diçka”.

Kuvendi i Fushë-Kosovës në muajin shkurt ka marrë vendim për lirimin e të gjitha bizneseve nga kjo taksë për vitin 2024 dhe 2025 dhe faljen e borxheve për vitin 2023, e që implikimi buxhetor për tre vjet është rreth 1.5 milionë euro. 

Prej ditësh, KOHA ka adresuar pyetje në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për të parë nëse ky veprim përbën edhe konflikt interesi, por përgjigjja ka munguar.