I akuzuari për krime lufte në Butovc të Prishtinës, Dushko Arsiq është dënuar me 13 vjet burgim edhe në rigjykim. Arsiq akuzohet se ka ekzekutuar një banor civil të këtij fshati më 20 prill 1999, teksa një tjetër e ka maltretuar fizikisht e psikikisht. Ndaj aktgjykimit ka reaguar Lista Serbe
I akuzuari për krime lufte në Butovc të Prishtinës, Dushko Arsiq është dënuar të hënën me 13 vjet burgim, edhe në rigjykim.
Arsiq akuzohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e shqiptarit me inicialet B. Sh., pasi më 20 prill 1999, në fshatin Butovc, në vendin e quajtur “varrezat e Maqedoncve”, derisa viktima ishte duke ecur, e ka gjuajtur me pushkë automatike e më pas e ka urdhëruar të dëmtuarin Artan Krasniqi që trupin e viktimës ta mbajë në shpinë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoSipas Gjykatës Themelore, është vërtetuar se i akuzuari Arsiq e ka kryer veprën me të cilën ngarkohet nga prokuroria.
“Në tërësi është vërtetuar se i akuzuari Dushko Arsiq ka qenë pjesëmarrës me forcat ushtarake serbe, që kanë kryer keqtrajtime dhe vrasje në fshatin Butovc të Prishtinës, këtë e kanë vërtetuar dëshmitarët Artan Krasniqi, Sylë Imeri, të cilët edhe këtu në sallën e gjykimit, e kanë identifikuar të akuzuarin Dushko Arsiq se ka qenë pjesëmarrës me forcat paramilitare serbe. Pastaj dëshmitarët Rafet Shala, Ilmi Krasniqi, Gani Krasniqi, Arsim Maqedonci etj”, ka thënë kryetari i trupit gjykues Vesel Ismaili.
Sipas Ismailit, Gjykata Themelore gjatë shqyrtimit gjyqësor nuk ka arritur të vërtetojë pikën tjetër të aktakuzës, se i akuzuari ka marrë pjesë në dëbimin e banorëve të zonës.
“Me administrimin e të gjitha provave Gjykata nuk arriti ta vërtetoj se i akuzuari Dushko Arsiq të ketë marrë pjesë në dëbimin, shpërnguljen, plaçkitjen me qytetarëve të Prishtinës me rrethinë. Sikurse nuk arriti të vërtetojë se i njëjti ka marrë pjesë në plaçkitjen dhe djegien e tyre”, ka thënë ai.
Për aktgjykimin e së hënës ka reaguar Lista Serbe, subjekti më i madh politik i serbëve në Kosovë, duke e quajtur Arsiqin viktimë të politikës.
“Në asnjë moment gjatë këtij procesi të zgjatur, që nga arrestimi i Arsiqit në shtator 2021 në pikën administrative në Jarinjë dhe që nga qëndrimi i tij në paraburgim në Podujevë, nuk është arritur të vërtetohet në mënyrë të besueshme ndonjë fakt që do të dëshmonte fajësinë e tij. Dëshmitë ekzistuese dhe mbrojtja tregojnë qartë se nuk ka prova të drejtpërdrejta dhe të pakundërshtueshme që e lidhin zotin Arsiq me veprimet konkrete që i vihen në barrë”, thuhet në reagimin e Listës Serbe.
Gjykata Themelore në Prishtinë edhe më 2 shkurt 2024 e pati dënuar Arsiqin me 13 vjet burgim, por ajo e Apelit vendosi ta kthejë rastin në rigjykim.
Arsiq ishte arrestuar më 8 dhjetor 2021 nën dyshime për krime të kryera në periudhën janar-qershor 1999 në rajonin e Prishtinës.
Aktakuza ndaj tij u ngrit në nëntor të vitit 2022. Në të thuhet se ai ka marrë pjesë në vrasjen e B.Sh, më 20 prill të vitit 1999 në Butovc të Prishtinës dhe ka maltretuar fizikisht dhe psikikisht A.K, atëbotë 15 vjeç.
Arsiq, së bashku me pjesëtarë të tjerë të policisë serbe dhe grupeve paramilitare, në periudhën janar-qershor të vitit 1999, ka marrë pjesë në dëbimin dhe shpërnguljen e qytetarëve nga Prishtina dhe rrethina, sipas aktakuzës. Aty po ashtu u tha se Arsiq së bashku me një grup tjetër ka plaçkitur dhe më pas dëmtuar pronat e shqiptarëve, duke ua vënë zjarri.
Arsiq është akuzuar për keqtrajtim të civilëve shqiptarë, plagosje dhe vrasje.
Ai është arrestuar në veri të Kosovës dhjetorin e vitit 2022 dhe atëbotë, Zyra e Prokurorisë Speciale nuk pati dhënë më shumë detaje, duke u thirrur “në ndjeshmërinë e rastit”.
Ai është me origjinë nga Matiqani, që gjendet në periferi të Prishtinës, dhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka jetuar në Kralevë të Serbisë.
Kohët e fundit, Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur një sërë aktakuzash për krime lufte në Kosovë. Ndërkaq, që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për këto krime para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Fillimisht pas luftës, përkatësisht nga viti 2000 dhe 2008, krimet e luftës në Kosovë u hetuan nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa nga viti 2008, nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit (EULEX).
Më 2018, EULEX-i ia dorëzoi lëndët organeve vendore të drejtësisë.
Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, janë vrarë më shumë se 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë janë zhdukur.
Më shumë se 1.500 persona vazhdojnë të jenë ende të pagjetur, pjesa më e madhe e tyre shqiptarë.
VIDEO: