Për herë të 34-t ka dështuar seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës. Ngërçi vazhdon të mbetet te pika për formimin e një komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit. Seanca e radhës do të mbahet të shtunën në ora 10:00.

Abdixhiku për takimin me Limajn: Shumë miqësor

1 o. më parë / 19 qer 2025 11:43
Lumir Abdixhiku

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka përshkruar si “shumë miqësor” takimin e së mërkurës me kryetarin e Nismës, Fatmir Limaj.

Abdixhiku foli shkurt pas përfundimit të përpjekjes së 34-t për konstituimin e Kuvendit.

“Takim shumë miqësor me Limajn. Asgjë më tepër se kaq”, ka thënë Abdixhiku.

Për takimi, foli më herët edhe Limaj. Konfirmoi se me Abdixhikun kanë “në shumë drejtime një këndvështrim”.

Abrashi: Opozita pa qëllim të qartë po bllokon Kuvendin

2 o. më parë / 19 qer 2025 10:54
Artan Abrashi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi, ka thënë se partitë e ish-opozitës po e bllokojnë konstituimin e Kuvendit pa qëllim të qartë.

Sipas tij, deputetët po shkelin Kushtetutën kur nuk po marrin pjesë në votimin për formimin e komisionit të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

“Shprehim zhgënjimin tonë të thellë për këtë bllokadë të qëllimshme dhe në plotni në kundërshtim me Kushtetutën nga opozita. Zgjedhjet janë proces demokratik dhe kur nuk i fiton, minimalja e etikës politike dhe njerëzore, është ta pranojë dhe të reflektojë karshi rezultatit dhe të vazhdohet rrjedhja procedurale për formimin e institucioneve. Por kjo nuk po ndodh. Inatet destruktive politike, pa ndonjë qëllim të qartë, po e mbajnë peng tash e disa kohë Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Abrashi pas dështimit të 34-t për konstituimin e Kuvendit.

Haziri: Marrëveshja në Ohër, dëmi më i madh i kësaj Qeverie

2 o. më parë / 19 qer 2025 10:46
Lutfi Haziri

Photo: Driton Paçarada

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka përsëritur thirrjen për ndërtimin e një qeverie kalimtare, në mënyrë që sipas tij, me dakordim mes partive, të dilet nga ngërçi aktual.

Ai ka thënë para mediave se çështja duhet të zgjidhet vetëm me marrëveshje politike, derisa tha se kabineti aktual po e shfrytëzon edhe qeverinë e edhe ulësen e deputetit.

Haziri tha se ditëve të fundit “kabineti qeveritar më shumë po kalon në zyrat e Prokurorisë sesa në zyrat e Qeverisë”.

“Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së konfirmojmë se në takimin e 34-të u konfirmua se çështja politike dhe zgjedhjet e organeve deri në konstitutim s’mund të zgjidhen me procedura, por duhet me marrëveshje. Edhe deputetë e edhe ministër s’mund të funksionojë qeveria në detyrë. Po e shohim që ditëve të fundit më shumë kalojnë kabineti qeveritar në zyrat e Prokurorisë sesa në zyrat e Qeverisë”, ka thënë Haziri.

Sipas Hazirit, dëmi më i madh i Qeverisë Kurti mbetet marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë, e dakorduar në Ohër.

“...Opsioni i LDK-së mbetet për qeveri kalimtare me parime dhe dakordim...”, shtoi ai.

Dështon përpjekja e 34-t

3 o. më parë / 19 qer 2025 10:31
kuvendi i Kosove - 19 qershor

Photo: Driton Paçarada

Të enjten ka dështuar përpjekja e 34-t për konstituimin e Kuvendit.

Ngërçi vazhdon të mbetet te pika për formimin e një komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Në sallë ishin 102 deputetë. 51 deputetë votuan pro formimit të këtij komisioni, ndërsa një ishte kundër.

Seanca e radhës do të mbahet të shtunën në ora 10:30.

Limaj pati “bisedë shteruese” me Abdixhikun: Në shumë drejtime kemi një këndvështrim

3 o. më parë / 19 qer 2025 10:16
Fatmir Limaj

Photo: Driton Paçarada

Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se të mërkurën është takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.

Ai ka shtuar se janë diskutuar një sërë temash në takim, por pa dhënë detaje.

“Po jemi takuar, kemi pasur takim shumë të mirë, kemi biseduar të gjitha temat. Kemi pasur një bisedë shteruese dhe ka qenë takim jashtëzakonisht i mirë... Në shumë drejtime kemi një këndvështrim të zhvillimeve dhe e rëndësishme që po ndodhin takime. Ne nuk mund t’i zgjidhim vetë problemet, por ne e shprehim gatishmërinë”, ka thënë Limaj para fillimit të seancës konstituive të Kuvendit.

Haradinaj: Kurti është mashtrues, Kosovën po e mban peng

3 o. më parë / 19 qer 2025 10:02
Ramush Haradinaj AAK

(Përditësuar: 10:10) - Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e ka quajtur mashtrues kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, teksa tha se ai po e mban peng Kosovën.

Haradinaj u shpreh para mediave të enjten se qytetarët po e paguajnë çmimin “që i kanë besuar një mashtruesi”, teksa tha se bllokada institucionale duhet të marrë fund.

“...Mashtruesi, për fat të keq po e paguajmë çmimin që i kemi besuar një mashtruesi. Për mua s’është befasi. Edhe kjo situatë duhet të marrë fund. Mashtruesi s’mundet pa kufi të tallet me një vend. Po e mban peng Kosovën e kjo s’bën të shkojë pakufi. Takimet e përrallat e tij janë hajgare. Një njeri po e mban peng Kosovën. S’jam i befasuar. Le të mbushen mend një herë e përgjithmonë”, ka thënë Haradinaj.


AAK-ja thotë se po presin vendimin e Kushtetueses për votimin e fshehtë

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Lahi Brahimaj, ka deklaruar se s’pret që të ketë ndonjë zhvillim në seancën e sotme konstituive.

Ai tha para mediave se po e presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese mbi çështjen e votimit të fshehtë.

“...Po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nuk besoj se ka ndonjë zhvillim”, ka thënë shkurtimisht Brahimaj.

Më 12 maj, AAK-ja e ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e formimit të komisionit për votim të fshehtë në seancën konstitutive të Kuvendit.

AAK-ja kishte njoftuar se kanë dorëzuar edhe vendime “të tjera të natyrës së njëjtë” që kanë të bëjnë me seancat paraprake dhe të mëvonshme lidhur me këtë çështje.

Qalaj: Ngërçi në Kuvend zgjidhet nëse VV-ja propozon kandidat tjetër

3 o. më parë / 19 qer 2025 09:49
Rashit Qalaj

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, ka thënë se ngërçi institucional në Kuvendin e Kosovës mund të zgjidhet nëse partia me më së shumti ulëse propozon një kandidat tjetër, që është i pranueshëm për spektrin politik.

“Problemi i Kuvendit mund të zgjidhet në atë moment, kur partia që ka fituar më së shumti ulëse të propozoj dikë tjetër të pranueshëm për partitë tjera. Ne si PDK i kemi dhënë propozimet tona, PDK është duke bërë një punë mjaft të mirë, meqenëse është duke evituar një të keqe të madhe që një kandidat që nuk është i pranueshëm, që nuk paraqet unitet, të mos bëhet kryetar i parlamentit”, ka thënë ai paka para vazhdimit të 34-të të seancës konstituive.