Arbëri

Ekskluzive: Çfarë tregojnë dokumentet diplomatike gjermane mbi shpërbërjen e Jugosllavisë?

Me dekada të tëra politikanë të majtë, por edhe të djathtë perëndimorë, intelektualë të verbëruar nga ideologjia dhe nacionalistë serbë e kanë akuzuar Gjermaninë se duke pranuar pavarësinë e Kroacisë dhe të Sllovenisë më 1991 e ka shkatërruar Jugosllavinë. Dokumentet nga arkivi i Ministrisë së Jashtme gjermane tregojnë se kjo është – një përrallë

Ka disa javë që Michael Martens, korrespondent për Evropën Juglindore i gazetës “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), ka paralajmëruar se do të botojë detaje deri më tani të panjohura mbi rolin e Gjermanisë në prag të shpërbërjes së Jugosllavisë në fillim të viteve ‘90. Në numrin e së hënës të FAZ-it, Martens ka botuar në një faqe gazetë gjetjet e tij, të bazuara në dokumentet e Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë.

Meqë kanë kaluar 30 vjet nga ngjarja, gazetarët që nga fillimi i këtij viti kanë qasje në arkivin e MPJ-së gjermane. Pas leximit, shoshitjes dhe vlerësimit të mbi 2500 faqeve nga arkivi, Martens ka arritur të përshkruajë në detaje rrethanat që e shtynë Gjermaninë të pranojë shtetësinë e Kroacisë dhe të Sllovenisë.

Linguisti amerikan Noam Chomsky, një ikonë e majtistëve, e akuzon prej vitesh Gjermaninë se qëllimisht e ka shkatërruar Jugosllavinë, duke pranuar para kohe pavarësinë e Sllovenisë dhe të Kroacisë. Sipas Chomsky-t, qëllimi i Gjermanisë ka qenë të dominojë në Ballkan. Në kujtimet e tyre këso akuzash bëjnë edhe presidenti francez, François Miterrand, dhe kryeministri britanik John Major. Gazeta franceze “Le Monde” më 1991 paralajmëronte se prapë po binin kambanat naziste, duke iu referuar “shtetit të pavarur kroat”, një regjimi kuislingësh që mbijetoi falë aleancës me nazistët në Luftën e Dytë Botërore. Në revistën e famshme “New York Review of Books” gazetari britanik Misha Glenny e akuzonte Gjermaninë se me një politikë të “vlerës së dyshimtë morale” i ka pranuar Slloveninë e Kroacinë pa i marrë parasysh standardet demokratike. Krejt këto akuza kishin një qëllim: Gjermania është fajtore.

Image

Kryetari i Sllovenisë Millan Kuçan dhe homologu i tij kroat Franjo Tugjman


Dokumentet diplomatike gjermane të shpalosura tani tregojnë se kjo nuk është e vërtetë. Madje Gjermania në vitin 1991 insistonte (ngjashëm si shumë shtete të tjera si SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe) që të ruhej Jugosllavia. Pozicioni gjerman në janar 1991 ishte ky: “Në interes të stabilitetit perëndimor, interes i Perëndimit duhet të jetë ruajtja e Jugosllavisë”. Dokumentet e cituara tregojnë se si kryetari i atëhershëm kroat, Franjo Tugjman, kishte shumë vështirësi të takonte politikanë gjermanë. Kur ambasadori gjerman në Jugosllavi, Hansjörg Eiff, i cili me gati çdo kusht angazhohej për ruajtjen e Jugosllavisë, megjithatë i propozonte Ministrisë në Bonn për t’ia hapur dyert Tugjmanit së paku për një takim në nivel të lartë, përgjigjja ishte negative. Pala kroate ishte përpjekur që përmes sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Manfred Wörner, të siguronte një takim me kancelarin Helmut Kohl apo ministrin e Jashtëm, Hans-Dietrich Genscher, por pa sukses. Këtë e dëshmon ambasadori gjerman në NATO, Hans-Friedrich von Ploetz.

Kur më 25 qershor 1991 Sllovenia dhe Kroacia proklamuan pavarësinë, Qeveria në Bonn kishte qëndrim refuzues. Ambasadori Hansjörg Eiff në Beograd dhe konsulli në Zagreb, Hans Julius Boldt, morën instruksione të qarta se si të deklaroheshin në mediat jugosllave: “Bashkë me partnerët e saj në BE, Qeveria federale (gjermane) përherë është angazhuar për ruajtjen e unitetit të Jugosllavisë mbi baza demokratike dhe duke respektuar të drejtat e njeriut dhe të pakicave... Çështja e pranimit të Sllovenisë dhe Kroacisë tani për tani nuk shtrohet”.

Në një raport mbi gjendjen theksohet se Genscher dhe ministri i Jashtëm italian, Gianni de Michelis, ia kishin bërë të ditur ministrit të Jashtëm jugosllav, Budimir Lonçar, përmes një bisede telefonike se “vetëm Jugosllavia pranohet. Të dy ministrat përkrahën procesin demokratizues në Jugosllavi dhe integritetin e saj territorial”.

Me rritjen e tensioneve në Jugosllavi si pasojë e agresionit serb ndaj Sllovenisë dhe Kroacisë, në MPJ-në gjermane fillon një proces i peshimit të përparësive dhe mangësive të njohjes së pavarësisë së dy republikave jugosllave. Mendimet janë të përmbledhura në një dokument prej 13 faqesh. Aty theksohet se për Gjermaninë është më lehtë të ketë punë me një shtet të madh si Jugosllavia sesa me shtete të vogla që me gjasë nuk janë të afta të mbijetojnë. Nga ana tjetër, shprehet shqetësimi që qasja gjermane të mos shihet si pozicionim për palën serbe, e cila ishte më e fuqishme. Pala gjermane insistonte që Kroacia të garantonte të drejtat e pakicës serbe dhe kishte dërguar në Zagreb një ekspert të së drejtës ndërkombëtare për të përkrahur autoritetet kroate në përgatitjen e ligjit për mbrojtjen e pakicës serbe.

Pasi kryetari kroat Franjo Tugjman ishte pritur në Vjenë, në Budapest, në Londër dhe në Romë (ku kishte takuar presidentin Francesco Cosiga dhe kryeministrin Giulio Andreotti), ai më 18 korrik – gati një muaj pas shpalljes së pavarësisë - u pranua edhe në Bonn. Por pala gjermane ishte kujdesur që pritja të jetë e nivelit më të ulët të mundshëm protokollar, që të mos krijohej fare përshtypja që Gjermania e ka ndërmend ta pranojë pavarësinë e Kroacisë. Protokolli propozonte që Tugjmani “të merrej në aeroport nga zyrtarë protokolli (jo nga shefi i protokollit). Pa qilim të kuq. Një veturë e policisë që prin, jo eskortë nderi (motoçikleta), jo flamuj kroatë. Eventualisht të vendosej në një hotel (jo në rezidencën e mysafirëve në Petersburg). Shpenzimet të mbuloheshin. Bisedë me kancelarin (pa ushqim)”.

Image

Pamje nga Vukovari në vitin 1991


Çfarë tregojnë tjetër dokumentet? Tregojnë se njëri nga politikanët kryesorë të socialdemokratëve gjermanë, zëvendëskryetari i grupit parlamentar, Norbert Gansel, herët ishte angazhuar që të mos mohohej pashmangshmëria e shpërbërjes së Jugosllavisë. Ndërsa forcat serbe sulmonin Kroacinë, ambasador i Jugosllavisë në Bonn ishte Boris Frlec, një slloven. Më 26 gusht, ministri i Jashtëm, Genscher, e ftoi Frlecin në takim për t’ia shprehur shqetësimin e tij mbi rolin e Armatës Popullore të Jugosllavisë. “Nëse nuk respektohet menjëherë armëpushimi, Qeveria gjermane do të shqyrtojë pranimin e Sllovenisë dhe të Kroacisë. Ajo do të angazhohet për këtë edhe në BE”, tha Genscher. Ambasadori Frlec u pajtua me Genscherin. Diplomati slloven, i cili ende ishte në shërbim të Jugosllavisë, tha se nuk ka më armatë popullore, se bëhej fjalë për një armatë serbe e cila po ndërmerr veprime agresioni ndaj Kroacisë. Pas pak Frlec u largua nga shërbimi diplomatik jugosllav në shenjë proteste.

Dokumentet tregojnë se ambasadori gjerman në Beograd, Hansjörg Eiff, i cili angazhohej për ruajtjen e Jugosllavisë, mllefosej me komentet e gazetarit Johann Georg Reissmüller, i cili ishte njëri nga kryeredaktorët e “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. Reissmüller nga 1967 deri më 1971 ishte korrespondent i FAZ-it në Beograd, ishte përkrahës i vendosur i pavarësisë së Kroacisë dhe Sllovenisë dhe komentet e tij thuhet se e kishin bërë edhe kancelarin Kohl të humbte nervat dhe të shqetësohej nga presioni.

Eiff shkruante se pala kroate përveç njohjes pret edhe ndihmë ushtarake. Në një raport të klasifikuar më 9 shtator 1991, ambasadori Eiff ankohej mbi “raportimet e njëanshme” në mediat gjermane, të cilat e “kanë vështirësuar dukshëm ndikimin pozitiv politik në konfliktin e brendshëm jugosllav”. Eiff madje propozonte që këtyre mediave kjo t’u bëhej e ditur në “një formë të përshtatshme”. Protestat e Eiff-it nuk patën efekt, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” vazhdoi të kërkojë njohjen e Kroacisë dhe të Sllovenisë.

Më 17 dhjetor 1992, shtetet e BE-së (atëbotë 12 sosh) vendosën ta pranojnë pavarësinë e Sllovenisë dhe të Kroacisë më 15 janar 1992. Gjermania njohjen e bëri publike më 23 dhjetor – dhe kjo u bë me insistimin e kancelarit Kohl. Në Ministrinë e Jashtme gjermane disa diplomatë u zemëruan, sidomos ata që besonin në utopinë jugosllave. Michael Libal, i cili drejtonte dikasterin për Ballkanin, vite më vonë në një letër dërguar “Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruante se bërja publike tri javë para kohe e njohjes së Sllovenisë dhe të Kroacisë “u dëshmua si gabim i rëndë psikologjik”. Gjermania, sipas tij, kështu u dha ushqim kritikëve të politikës gjermane. Por e vërteta është se këto tri javë nuk luajtën rol në fatin e përcaktuar të Jugosllavisë.

Libal ishte i biri i Wolfgang Libal-it, korrespondent shumëvjeçar i agjencisë gjermane të lajmeve DPA nga Jugosllavia. Wolfgang Libal ka qenë i martuar me Christone von Kohl, gazetare daneze, e cila ka qenë njëra nga përkrahëset më të mëdha të Kosovës në vitet ‘90. Hansjörg Eiff pak para shpalljes së pavarësisë së Kosovës doli me një propozim për ndarjen e Kosovës. Ai dyshonte se shqiptarët e Kosovës kanë kapacitet për mbajtjen e shtetit, andaj thoshte se zgjidhja më optimale është që Serbia të marrë veriun e Kosovës, ndërsa pjesa e mbetur e Kosovës të bashkohet me Shqipërinë, e cila, sipas tij, duhet të marrë përsipër edhe obligimin për mbrojtjen e manastireve serbe në Kosovë. Eiff vdiq në vitin 2019, ndërsa Michael Libal më 2012.