Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Emini: Kosova po e humb një momentum të rëndësishëm me Kos si komisionere

Ekspertja e politikës së jashtme, Donika Emini, ka deklaruar se komisionerja për Zgjerim, Marta Kos, përfaqëson një mundësi të rëndësishme për Kosovë në raport me Bashkimi Evropian, por sipas saj, elita politike në vend nuk po arrin ta kuptojë dhe shfrytëzojë këtë momentum.

Emini e ka vlerësuar Kos si pozitive për Kosovën, duke theksuar se ajo është më pak e ngarkuar politikisht ndaj Kosovës dhe ka mbajtur qëndrime të ashpra ndaj regjimit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Marta Kos është komisionerja për Zgjerim që Kosova duhet ta kishte ëndërruar. Para kësaj ishte nga Hungaria, kjo është nga Sllovenia. Është pozitive. Është më e pangarkuar politikisht me Kosovën, ka qenë shumë e ashpër me regjimin e Vuçiqit”, ka deklaruar Emini në “Interaktiv” të KT-Vsë.

Ajo ka kritikuar klasën politike në Kosovë, duke thënë se vendi po mbetet i bllokuar në kriza të brendshme politike, duke humbur kështu mundësi në raport me BE-në.

“Nuk po e kuptoj se si këto mesazhe nuk po lexohen nga elita jonë politike që është në një cikël krizash dhe po e bllokojnë edhe këtë momentum të vogël që e ka Kosova në raport me BE-në”, është shprehur ajo.

Sipas Eminit, Kosova ka mundësi konkrete për të avancuar përmes Planit të Rritjes të BE-së, i cili, sipas saj, nuk lidhet me dialogun me Serbi.

“Kosova vazhdimisht po kërkon që të ndahet procesi integrues, të mos shihet vetëm nga dialogu, mirëpo e ka Planin e Rritjes dhe ky plan i jep mundësi Kosovës të angazhohet në aspektin bilateral me BE-në dhe t’i implementojë 111 reformat të cilat Kosova i ka përcaktuar vetë”, ka thënë ajo.

Emini ka shtuar se Agjenda e Reformave e Kosovës është vlerësuar nga BE-ja si një nga më të mirët në rajon, por sipas saj, mungesa e vullnetit politik ka penguar zbatimin e tij.

“Vullneti politik për zbatimin e Planit të Rritjes ishte zero, faji s’ishte i opozitës. Po dëgjoj se po thonë opozita. Por s’ka faj opozita sepse ju keni shumicën. Nuk është votuar sepse ka krizë politike, jo pse nuk e ka votuar opozita”, ka deklaruar Emini.

Kos gjatë ditës së sotme vizitoi për herë të parë Prishtinë prej që e ka marrë pozitën. U prit nga ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe nga përfaqësues tjerë politikë. Tek ka folur për perspektiven evropiane të Kosovës, Kos ka thënë se ajo varet edhe nga përparimi në dialogun me Serbinë, ndërkaq Kurti ka bërë thirrje për proces meritor integrimi. Të dy kanë folur edhe për Serbinë dhe obligimet që ajo ka në raport me të dyshuarit për sulmin terrorist në Banjskë.