Arbëri

Ende pa nisur fushata, partitë “rrisin pagat” e “shpërndajnë qindra miliona”

paga

Një ditë para se zyrtarisht të nisë fushata zgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme, partitë politike kanë nisur të flasin për premtime miliardëshe.

Në prezantim të programeve fillestare, në tubimet e para, partitë kanë nisur të premtojnë rritje të pagave e shpërndarje të qindra miliona eurove.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia që ka qenë në pushtet deri tash, ka premtuar 200 milionë euro vetëm për Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0. Sipas këtij premtimi, pakoja do të përmbajë mbështetje të njëhershme për pensionistët, fëmijët që marrin shtesa, studentët dhe punëtorët e sektorit privat dhe rikthimin e skemës për subvencionimin e kursimit të energjisë, nga e cila përfitojnë mbi 200 familje. Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se ky do të jetë ndër pesë vendimet e para që do t’i merrte Albin Kurti si kryeministër në mandatin e ardhshëm. Pos këtij vendimi, është premtuar edhe miratimi i buxhetit 4 miliardë eurosh për 2026, si dhe procedimi i ligjit të ri për çmime tavan, pavarësisht se i pari ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese. Dy vendime të tjera në këtë pesëshe janë premtuar heqja e kufizimit për punësimin e veteranëve të UÇK-së dhe miratimi i pagës së 13-të për të gjithë shërbyesit publikë.

Rritje të pagave kanë premtuar dy partitë më të mëdha opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike.  

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza ka premtuar rritje të pagave deri në 50 për qind, ndërsa të njëjtën përqindje e ka përmendur edhe për veteranët, familjet e dëshmorëve e invalidët e luftës. Ai ka premtuar edhe rritjen e pensioneve.

Ndërkaq, kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, të martën ka premtuar rritjen e pagave për mësimdhënësit në 1000 euro në muaj, dhe për policët, zjarrfikësit e ushtarët në 900 euro. Ai ka thënë se koeficienti i pagave do të jetë 150 euro.

E pagë mesatare prej 1100 eurosh dhe pension 500 eurosh ka premtuar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Të gjitha këto premtime janë dhënë ende pa nisur zyrtarisht fushata zgjedhore. Fushata nis më 17 dhjetor e zgjat deri në ditën e zgjedhjeve, më 28 dhjetor.

Partitë kanë mbajtur tashmë tubime në disa qytete të Kosovës e madje edhe diasporë.

Zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit do të jenë të tretat që do të mbahen brenda këtij viti, pas atyre nacionale të 9 shkurtit dhe atyre lokale të 12 tetorit.