Në Kosovë janë dhënë zotime për të kontribuuar në sigurinë në rajon dhe më gjerë, një ditë pasi që tre kongresistë amerikanë e kanë sponsorizuar rezolutën për anëtarësimin e Kosovës në NATO. Veprimi është pritur me entuziazëm në Prishtinë ndërsa me frikë në Beograd
Është pritur me entuziazëm në Kosovë nisma në Dhomën e Përfaqësuesve e ndërmarrë nga tre kongresistë amerikanë, për rezolutën që e mbështet anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Veriatlantike të NATO-s.
Kongresistë Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler ia kanë prezantuar të enjten Dhomës e Përfaqësuesve rezolutën që afirmon se qeverisja demokratike në Kosovë, mbikëqyrja civile e forcave të sigurisë, si dhe bashkëjetesa multietnike paraqesin rast bindës për anëtarësimin e vendit në NATO.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjë ditë pas kësaj, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka shprehur mirënjohje për kongresistët Self, Torres e Lawler, teksa ka thënë se ata i kanë dhënë mbështetje të vazhdueshme Kosovës për ta zënë vendin që i takon në familjen euroatlantike.
E, ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, ka theksuar se Kosova është e gatshme që të kontribuojë për sigurinë në rajon e më gjerë.
“E mirëpres prezantimin e rezolutës dypartiake në Dhomën e Përfaqësuesve të SHBA-së në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në NATO, dhe i falënderoj kongresistët Keith Self, Ritchie Torres dhe Mike Lawler për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre të vazhdueshëm për sigurinë në Ballkanin Perëndimor. Kosova është e gatshme të kontribuojë në sigurinë e rajonit dhe të komunitetit transatlantik”, ka theksuar ai.
Nisma është përshëndetur edhe nga kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt forcimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe garantimit të sigurisë së saj. Prezenca jonë politike si shtet në institucionet amerikane është jetike për ne, sidomos në këtë kohë”, ka shkruar ai në Facebook.
Por, nisma e tre kongresistëve amerikanë ka nxitur frikë në Serbi.
Presidenti i këtij shteti, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Beogradi zyrtar do të luftojë kundër përpjekjeve që Kosova të integrohet në NATO.
“Do të luftojmë që diçka e tillë të mos ndodhë. Mos harroni se ekzistojnë katër vende që janë anëtare të NATO-s, si dhe pesë anëtare të BE-së, që nuk e kanë njohur Kosovën. Nuk e shoh se si kjo mund të kalojë lehtë, por të presim e të shohim”, ka theksuar ai.
Rezoluta e propozuar nga tre kongresistë amerikanë thekson rëndësinë strategjike të përfshirjes së Kosovës në NATO, duke e parë këtë si faktor stabiliteti në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Ajo gjithashtu reflekton mbështetjen në rritje brenda politikës amerikane për integrimin euroatlantik të Kosovës.
Në këtë dokument u bëhet thirrje gjithashtu katër shteteve mosnjohëse të Kosovës – Greqi, Rumani, Sllovaki e Spanjë – që t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre lidhur me shtetësinë e Kosovës, duke theksuar se njohja më e gjerë e saj është thelbësore për ta zhbllokuar rrugën e saj drejt integrimit në NATO dhe për të mbyllur një boshllëk strategjik në Evropën Juglindore e të cilën kundërshtarët kërkojnë që ta shfrytëzojnë.
“Kosova ka demonstruar një përkushtim të qartë për stabilitetin rajonal dhe për përafrimin strategjik me vendet e NATO-s, por progresi i saj drejt anëtarësimit në Aleancë po pengohet nga mungesa e njohjes nga një numër i vogël aleatësh”, ka theksuar kongresisti Self të enjten. “Shtimi i Kosovës në Aleancë është thelbësor për ta kundërshtuar ndikimin në rritje të kundërshtarëve në Evropë. Shtetet e Bashkuara duhet t’i inkurajojnë Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën që t’i rishqyrtojnë qëndrimet e tyre dhe të sigurojnë që Kosova të ketë një rrugë të besueshme dhe të arritshme drejt anëtarësimit”.
Në këtë rezolutë është theksuar gjithashtu se përfshirja e Kosovës në Aleancën e NATO-s është thelbësor për të mbrojtur interesat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara në Evropën Juglindore.