Arbëri

ETEA: Mbi 70% e nxënësve ende nuk kanë arritur të sigurojnë të gjitha tekstet shkollore

Lidhur me furnizimin e nxënësve me tekstet shkollore dhe ndikimin në procesin mësimor organizata “ETEA” ka publikuar një analizë statistikore. Nga të dhënat e saj del që 70 për qind e nxënësve në Kosovë po ndjekin procesin mësimor pa poseduar të gjitha tekstet shkollore. E mësimdhënësit, bazuar në analizën statistikore deklarohen në shumicë se ndikimi i ndryshimit të procesit të furnizimit me tekstet shkollore ka qenë negativ.

Mbi 70% e nxënësve edhe pas përfundimit të muajit të parë shkollor, ende nuk kanë arritur të sigurojnë të gjitha tekstet shkollore.

Të dhënat i ka paraqitur Organizata “ETEA”, gjatë prezantimit të një analizë statistikore, që për qëllim ka pasur sigurimin dhe ofrimin e të dhënave objektive për institucionet relevante të arsimit.

Në këtë analizë, kanë marrë pjesë 506 mësimdhënës nga më shumë se 25 komuna të vendit, duke mos përshirë ato më shumicë serbe, pasi që operojnë me kurrikulë tjetër.

Agon Ahmeti, drejtor i organizatës, tha se shkaqet kryesore për mungesën e teksteve shkollore janë mungesa e tyre në libraritë e qytetit dhe problemet me transferimin e mjeteve financiare përmes platformës e-kosova

“Raporti bën krahasim mes klasave 1-5 dhe sipas të dhënave del se klasët e para qëndrojnë më së miri me gjithsej 42.6% të mësimdhënësve që deklarojnë se 100% e fëmijëve në klasat e tyre kanë arritur të sigurojnë të gjitha tekstet shkollore. Ndërsa, më së dobëti qëndrojnë klasat e pesta me 16.7% të mësimdhënësve që deklarojnë se kanë arritur të sigurojnë tekstet shkollore”, theksoi Ahmeti.

Sipas tyre, Komuna e Vushtrrisë prin me sigurimin e teksteve shkollore, duke u pasuar nga ajo e Prishtinës e e Skenderajt.

52.6% mësimdhënës sipas analizës, deklarohen se ndikimi i ndryshimit të procesit të furnizimit me tekste shkollore ka qenë negativ, duke i penguar në ndjekjen e plan programit mësimor.

“Në shumicë prej 69.6% deklarojnë se qëndrimi i tyre për vitin tjetër se si duhet vepruar MASHTI është që t’i rikthehet procesit të furnizimit me libra përmes tenderimit me shtëpi botuese. Ndërsa vetëm 30.4% e mësimdhënësve besojnë se duhet vazhduar me formën e asaj se si shkoi këtë vit”, deklaroi Taulant Gashi, hulumtues në organizatën ETEA.

Që nga vitit 2008, Ministria e Arsimit pati marrë përsipër shpërndarjen e teksteve shkollore për nxënësit e nivelit para universitar. Por këtë vit ministrja Nagvcai , ndryshoi këtë praktikë, duke ua lënë barrën prindërve që t’i blejnë vetë tekstet shkollore që më pas të kompensohen.