Arbëri

Familjeve të policëve të rënë në detyrë nuk u ekzekutohen pagesat e dhjetorit

Familjeve të pjesëtarëve të Policisë, të cilët kanë rënë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, ende nuk u janë ekzekutuar mjetet financiare për muajin dhjetor. Sindikata e Policisë ka reaguar për këtë dhe u ka bërë thirrje institucioneve që të gjejnë zgjidhje

Njëzet e katër familjeve të pjesëtarëve të Policisë të rënë gjatë kryerjes së detyrës nuk u janë ekzekutuar mjetet financiare për muajin dhjetor, ka bërë të ditur Sindikata e Policisë.

Sipas Ligjit për Policinë, bashkëshortit apo fëmijëve nën moshën tetëmbëdhjetëvjeçare të zyrtarit policor, i cili ka vdekur në detyrë apo në kryerje të detyrës, përpos në pagesën e njëhershme, i takon edhe e drejta në pension familjar deri në vlerën 60 për qind të pagës bruto.

Në një reagim të Sindikatës thuhet se ekzekutimi i pagesave për muajin paraprak nuk është bërë ende.

“Edhe pse nga Drejtoria e Financave është bërë kërkesa zyrtare për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 290,000 eurosh, deri më tani këto mjete nuk janë ekzekutuar nga Ministria e Financave. Si pasojë, familjet e policëve të rënë në detyrë, të cilët janë një kategori e shenjtë dhe e respektuar për vendin tonë, kanë mbetur pa pagesë edhe pas përmbylljes së vitit”, është bërë e ditur në njoftim.

Sindikata e Policisë, këtë veprim e ka quajtur të papranueshëm dhe ka bërë thirrje që institucionet përgjegjëse të gjejnë zgjidhje.

“Kjo situatë është e papranueshme dhe e dhimbshme, duke marrë parasysh sakrificën sublime të këtyre familjeve, të cilat kanë dhënë bijtë dhe bijat e tyre për sigurinë e vendit tonë, ruajtjen e rendit publik dhe mbrojtjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, kanë thënë në Sindikatë.

Në lidhje me shqetësimet e shprehura nga Sindikata, KOHA ka dërguar pyetje në Ministrinë e Financave, porse gjatë së premtes nuk i janë kthyer përgjigje.

Mosekzekutimin e pagesave për familjet e pjesëtarëve të Policisë të rënë në detyrë e ka quajtur të papranueshëm edhe ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, i cili në zgjedhjet e fundit ka qenë kandidat i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për deputet.

“Mospagesa për muajin dhjetor 2025 të obligimit shtetëror për familjet e policëve të rënë në detyrë është e papranueshme dhe ofenduese. Sakrifica e policëve të rënë në detyrë duhet të nderohet, jo të neglizhohet. Ata e ato dhanë jetën në krye të detyrës. Janë heronjtë e shtetit ligjor në Kosovë!”, ka shkruar Ramadani në Facebook.

Sipas ligjit për Policinë, një pagesë e tillë duhet të bëhet vetëm pasi që të përcaktohet se bashkëshorti apo fëmijët kanë qenë të përkrahur nga zyrtari policor para vdekjes së tij ose saj.