Pas renovimeve të fundit në Poliklinikën Stomatologjike në Prishtinë, fëmijët e kryeqytetit nuk mund të marrin më trajtim të specializuar dentar në këtë objekt. Njësia e Pedodoncisë, që funksiononte aty prej dekadash, nuk është më pjesë e hapësirave të reja. Drejtori i saj tha se shërbimi është zhvendosur në kujdesin parësor, ndërsa Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë përgjigje për këtë vendim
Fëmijët e kryeqytetit nuk mund të marrin më shërbime të specializuara stomatologjike në objektin e Poliklinikës Stomatologjike, shërbim ky që ofrohej në qendër të qytetit që nga periudha e paraluftës.
Me renovimet e fundit të objektit, të përuruara një javë më parë, hapësirat e parashikuara për njësinë e Pedodoncisë janë vënë në dispozicion të njësive të tjera.
Një prind, i cili këtë javë ishte me fëmijën në Poliklinikë, ka treguar në kushte anonimiteti se nuk i është ofruar trajtim mjekësor për fëmijën.
“Ka disa muaj që pres të hapet Pedodoncia prapa Pallatit të Rinisë, sepse aty e kam trajtuar fëmijën. Ka qenë shërbim falas dhe me mjekë që merren vetëm me fëmijë, që i kuptojnë edhe frikët e emocionet e tyre, e jo vetëm me dhimbjen. Shkova pas hapjes dhe më thanë që nuk ka më pedodont. Tash me dhimbje, me kërku nëpër lagje, kur ka qenë në qendër. Uroj ta rikthejnë sërish si shërbim të nevojshëm”, ka thënë ai.
Sipas Statutit të Poliklinikës Stomatologjike, njësia e Pedodoncisë është pjesë e shërbimeve të kujdesit sekondar shëndetësor.
Por, në mungesë të hapësirave të mjaftueshme, drejtori i Poliklinikës, Bernard Gegaj, thotë se është bërë riorganizimi i brendshëm dhe se Pedodoncia është zhvendosur në kujdesin parësor, konkretisht në Qendrën e Mjekësisë Familjare, në lagjen “Dardania”.
“Meqenëse në Udhëzim Administrativ Pedodoncia i takon nivelit primar, domethënë ne kemi mundësi me iu ofru qytetarëve edhe në qendra të tjera shërbime të Pedodoncisë, atëherë jemi mundu që shërbimet e nivelit sekondar t’i koncentrojmë në këtë qendër në mënyrë që listat e pritjes për shërbime sekondare si protetikë, ortodonci, kirurgji, t’i zvogëlojmë ose edhe t’i eliminojmë krejtësisht, prandaj meqenëse është e mundshme me u marrë shërbime pedodontike në qendra të tjera, atëherë jemi munduar që shërbimet e tjera me i koncentru këtu që pritja të jetë më e vogël”, ka thënë Gegaj.
Gegaj theksoi se me zgjerimin e kapaciteteve hapësinore, shërbimet pedodontike do të mund të riktheheshin në objektin aktual.
“Për shkak të kapaciteteve hapësinore, ne e kemi bërë këtë riorganizim. Qëllimi ynë është që pacientëve me iu ofru shërbime dhe shërbime sa më kualitative. Nëse nuk ofrohen për momentin, se kjo nuk nënkupton që na nuk kemi, në të ardhmen me ofru shërbime pedodontike se edhe statuti e parasheh, por me krijimin e hapësirave të tjera që shpresojmë që do të rriten kapacitete hapësinore, atëherë ne mund ta kompletojmë edhe me staf të pedodncisë në mënyrë që pacientët mos me dalë fare prej këtu”, ka thënë ai.
Poliklinika Stomatologjike Specialistike e kryeqytetit u themelua në nëntor të 2022-tës me vendim të Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Megjithatë, specialistët e saj ende paguhen për shërbime të nivelit primar, ndonëse punojnë në nivelin sekondar të kujdesit shëndetësor.
Sipas drejtorit Gegaj, kontratat e reja për stafin nuk janë finalizuar ende.
Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë përgjigje lidhur me zhvendosjen e shërbimit të Pedodoncisë dhe as për statusin e kontratave të stafit specialistik.