Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Ferati: S'e besoj që ndonjë dege të LDK-së i pengon themelimi i institucioneve

Kryetari i Istogut, Ilir Ferati

Foto: Driton Paçarada

Sekretari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ilir Ferati, ka deklaruar se deri më tani nuk është deponuar asnjë nënshkrim për thirrjen e Kuvendit të jashtëzakonshëm të partisë, pavarësisht raportimeve të fundit në media. 

Ferati u ka bërë thirrje strukturave të partisë që debatet dhe pakënaqësitë t’i trajtojnë brenda forumeve partiake dhe jo në publik, ndonëse siç u shpreh – nuk besoj se ndonjë dege i pengon themelimi i institucioneve të Kosovës.

“Mbledhja e nënshkrimeve është shprehje demokratike, e një të drejte demokratike të njerëzve që kanë besim ndryshe, po e quaj kështu, siç kanë bindje ndryshe. Nuk besoj që ka përbrenda LDK-së as kryetar dege, as deputet të zgjedhur, e as eksponent serioz që dëshiron me e pengu themelimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, qofshin ata që po i mbledhin nënshkrimet, qofshin ata që po i refuzojnë ato”, ka deklaruar Ferati.

Ferati tha se LDK-ja do të trajtojë me seriozitet çdo kërkesë që plotëson kriteret statutare, por theksoi se aktualisht nuk ekziston asnjë iniciativë e formalizuar brenda partisë për mbledhjen e Kuvendit të LDK-së e që do të synohej shkarkimi i Abdixhikut.

“Përndryshe, në momentin që ka kërkesa brenda organeve të LDK-së, sigurisht që me urgjencë e me seriozitet të madh do të trajtohen nga ne si parti dhe do të shqyrtohen deri në realizimin përfundimtar të kërkesave që e plotësojnë shumicën e numrit të caktuar të delegatëve. Për momentin, e deri më tani kur po flasim, nuk ka numër, as nuk ka nënshkrime të deponuara brenda zyrave të Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë Ferati.

Për praninë e ish-presidentes Vjosa Osmani në zyrat e LDK-së dhe në takimin e fundit me kryeministrin në detyrë Albin Kurti, Ferati tha se Osmani ka qenë pjesë e listës zgjedhore të LDK-së dhe se fokusi aktual i partisë mbetet formimi i institucioneve.

Edhe Haziri për bashkëpunimin me LVV-në: S’kemi pranuar ftesë por duhet stabilitet institucional Arbëri 2 j. më parë Haziri për bashkëpunimin me LVV-në: S’kemi pranuar ftesë por duhet stabilitet institucional

“E para, nuk është veç sot që zonja Osmani është prezente në zyrën e LDK-së, është në baza ditore varësisht prej situatave që zhvillohen përbrenda LDK-së. Së dyti, ka qenë bartëse e listës së LDK-së me vendim të Kuvendit të Përgjithshëm. Së treti, LDK-ja fokus të agjendës e ka themelimin e institucioneve të Kosovës, dhe po mendoj që kjo është tema kryesore për krejt palët brenda përbrenda Lidhjes Demokratike”, ka thënë Ferati.

Së fundmi, kryesia Qendrore e Lidhjes Demokratike të Kosovës ka shprehur mbështetje për kryetarin Lumir Abdixhiku, në udhëheqje dhe për procesin e formimit të institucioneve.

Ndërkohë në takimin e ftuar nga kryeministri në detyrë dhe njëherit kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u dakorduan të vazhdojnë takimet për të shmangur zgjedhjet e sërishme.