Një ditë pas pushimit, ekipet e vaksinimit në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, këtë të mërkurë u përballën me fluks të qytetarëve.
Qendra e vaksinimit në kryeqytet ishte e mbushur me qytetarë që prisnin e imunizoheshin kundër COVID-19. Ndonëse nga kjo qendër nuk u prononcua askush, me arsyetimin se koordinatori është në një takim, qytetarët thanë se nuk patën asnjë problem.
Ata vazhdimisht bënin thirrje te të gjithë që të vaksinoheshin, në mënyrë që të mbrohen më shumë.
“Shumë mirë kam kalu, nuk më ka pengu asgjë. Edhe të parën e kam marrë para 1 muaji edhe tash e mora”, tha qytetari Xhevat Krasniqi.
“Të gjithë duhet me u vaksinu, ma mirë me u mbrojtë se me u shëru”, tha qytetari Ragip Llapashtica.
E kritika të shumta drejtoi opozita, për procesin e vaksinimit që po zhvillohet në Kosovë.
Në një takim të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, nga Forumi për Transparencë Parlamentare, me mbështetjen e NDI-së, me temën “Pandemia Covid-19: Procesi i vaksinimit në Kosovë”, u tha se pushteti ka dështuar në këtë proces.
“Synimi se deri në fund të vitit do të vaksinohen 60% është i vonshëm. 93 mijë vaksina dhe nuk e ka arritur as 10%. Frika nga varianti Delta është i pashmangshëm dhe qytetarët duhet të vaksinohen”, tha ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
“Kosova është vendi i fundit që ka siguruar një kontratë për furnizim me vaksina që po mbahet sekret nga Qeveria e Kosovës. Deri më tani vaksinat janë donacione. Nëse një produkt importohet në Kosovë, e ka afatin e skadimit më pak se një vit”, tha deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu.
Por, të kundërtën e thoshte deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryetare e Komisionit për Shëndetësi, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku.
“Aktualisht, e kemi një situatë të qetë. Por, përgjigja definitive është vaksina. Është e sigurt që synimi që është përcaktuar nga Qeveria e Kosovës që 60 për qind e popullatës të vaksinohet deri në fund të vitit, do të realizohet”, deklaroi Mulhaxha-Kollçaku e LVV-së.
Në Kosovë deri tani numri i të vaksinuarve me dozën e parë ka arritur në mbi 230 mijë, kurse i atyre edhe me dozën e dytë është mbi 90 mijë.