Forca e Sigurisë e Kosovës nga ora 9 deri në orën 14 do t’i hapë dyer për qytetarët, për të shënuar Ditën e Forcës.
Siç bëhet e ditur në një njoftim për media, në kazermën “Adem Jashari “ në Prishtinë nga ora 09:30 do të jenë të pranishëm udhëheqësit e lartë shtetërorë, mysafirë e ambasadorë të vendeve mike.
“Të gjithë qytetarët janë të mirëseardhur të vizitojnë kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës në: Prishtinë, Prizren, Pomozotin, Istog, Ferizaj, Mitrovicë dhe Gjilan. Në të gjitha kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, qytetarët do të kenë mundësi të shohin kapacitetet ushtarake të cilat do të jenë të ekspozuara në këtë ditë feste”, thuhet në njoftim.
Maqedonci uron ushtarët: E kemi fuqizuar FSK-në më shumë se kurrë më parë
Ministri i Mbrojtjes në detyrë, Ejup Maqedonci, ka uruar të gjithë ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në detyrë e pension, me rastin e Ditës së Forcës.
Maqedonci tha se Ushtria e Kosovës është historia jonë e suksesit, ndërsa shtoi se gjatë këtyre viteve FSK-ja është rritur e fuqizuar më shumë se kurrë më parë.
“Sot nderojmë rrugëtimin e jashtëzakonshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, një forcë e ndërtuar mbi themele gjaku e sakrifice të shumë brezave e që po rritet, forcohet e po fiton respektin e aleatëve tanë anë e mbanë botës. Ushtria e Kosovës është historia jonë e suksesit, është përkushtimi i çdo ushtari, çdo oficeri e çdo kadeti që zgjohet me një mision, mbrojtjen e Republikës së Kosovës. Në këto vite të punës sonë të përbashkët, përmes investimeve dhe angazhimit të përbashkët, e kemi rritur dhe fuqizuar FSK-në më shumë se kurrë më parë. Me fluturake në qiell, sisteme raketore, e sisteme artilerie në tokë, autoblinda në rrugë dhe armë e pajisje moderne të këmbësorisë, po sigurohemi që forca jonë të fuqizojë kapacitet e saj luftarake dhe të jetë e gatshme të përballet me çdo kërcënim që synon të cënoj territorin dhe jetën e qytetarëve tanë”, ka thënë Maqedonci duke bashkangjitur një video nga trajnimet e ushtarëve e pajisjet ushtarake të FSK-së.