Arbëri

Fushë-Kosova i bart 6.3 milionë euro të hyra

Kuvendarët e Fushë-Kosovës i kanë bartur 6 milionë e 354 mijë e 114 euro të hyra vetjake nga viti 2022 në vitin 2023. Por, kundër këtij propozimi kanë votuar këshilltarët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). Zyrtarët opozitarë e kanë quajtur keqmenaxhim e keqplanifikim bartjen e këtyre mjeteve, ndërkohë që, sipas tyre, nevojat dhe kërkesat e qytetarëve janë të shumta.

KOHA ka raportuar edhe javën që shkoi për këtë bartje të të hyrave. Shefi i Grupit të këshilltarëve të PDK-së, Mirsad Qyqalla, kishte thënë se kjo bartje nuk ka qenë e papritur për ta, për shkak të dinamikës së punëve në këtë komunë.

“Ne vazhdojmë me besua se kjo shpërfaq edhe një herë mospunë, keqplanifikim, mosangazhim, t’u i pa gjithë këto probleme në qytetin tonë sigurisht bashkë me fshatrat dhe të kesh një mbetje prej 6 milionë euro unë mendoj se këtu e keni edhe përgjigjen si qysh funksionon dhe qysh menaxhohet komuna jonë”.

Edhe shefi i Grupit të këshilltarëve të LVV-s, Durim Hajra, ka theksuar se kjo shumë e bartjes është mbi 90 e investimeve kapitale, gjë që, sipas tij, tregon pazotësinë e kësaj qeverisje që të menaxhojë me paranë publike.

“Po ashtu vlen të theksohen disa prej arsyeve që ndikojnë në bartjen e vazhdueshme të buxhetit nga viti në vit e që ne e konsiderojmë që është keqplanifikimi që bëhet nga ky ekzekutiv, keqmenaxhimi i kësaj paraje publike dhe e fundit, por jo për nga rëndësia është se këta nuk i përfshijnë në vendimmarrje pra nuk i marrin parasysh nevojat dhe kërkesat e qytetarëve”.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë i kishin përmendur disa faktorë, që sipas tyre, kanë ndikuar që këto mjete të mos shpenzohen gjatë vitit 2022.

“Një prej faktorëve kryesor ka qenë COVID-19. Pastaj ka ndodhë shtyrja e bartjes nga viti 2021 në 2022 që ka ndodhë tek në qershor të vitit 2022. Pastaj e kemi problematikën e Organit Shqyrtues, Bordit të Organit Shqyrtues të Prokurimit që për një kohë të gjatë nuk ka pas. Mirëpo, si rezultati kanë qenë edhe vetë operatorët ekonomikë që për shkak të rritjeve që çmimeve edhe aty diku 30, 35 e diku 40 për qind, shumë operatorë ekonomikë nuk i kanë realizuar kontratat”, ishte shprehur Ramadan Jashanica, drejtor për Buxhet dhe Financa.

Në mbledhjen e Kuvedit Komunal të Fushë-Kosovës, të hënën është miratuar edhe propozim-vendim për rritjen e të hyrave vetjake të vitit 2022 në shumën prej 842,934 euro.

Në propozim-vendimin e Departamentit për Buxhet dhe Financa thuhet se këto mjete do të ndahen në kategori të ndryshme, ku 100 mijë euro janë mallra dhe shërbime, 541,047 për subvencione dhe transfere dhe 201,886 euro për investime kapitale.

“Mjetet e ndara në kategorinë ekonomike mallra dhe shërbime në programin Administratë e Arsimit janë të parapara për mirëmbajtje dhe shërbime tjera për mbarëvajtje të procesit mësimor.

Mjetet në kategorinë ekonomike subvencione dhe transfere në Zyrën e kryetarit do të përdoren për subvencionimin e OJQ-ve; Në programin Administratë e Shëndetësisë do të përdoren për ndihma për trajtim shëndetësor; Në programin kulturë, Rini dhe Sport do të përdoren për përkrahje të OJQ-ve në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit; dhe Në programin Infrastrukturë publike do të përodoren për mbulimin e shpenzimeve të varrimit për qytetarët e Komunës së Fushë-Kosovës”, thuhet në vendimin që është miratuar të hënën.

Sipas vendimit mjetet në kategorinë ekonomike Investime kapitale në programin buxhet dhe financa do të përdoren për bashkëfinancim në projekte.