Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoIsh- deputeti dhe tanimë ish-anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka reaguar pasi nuk është përfshirë në listën e anëtarëve të Kryesisë së re të partisë, të emëruar nga kryetari Lumir Abdixhiku.
Gashi ka thënë se që nga përfundimi i zgjedhjeve të shkurtit 2025, ka folur hapur brenda strukturave të LDK-së për gjendjen në parti dhe për siç ka thënë, humbjen e besimit të brendshëm.
Në një status në Facebook ai ka shkruar se ka propozuar veprime konkrete “për distancim nga parregullsitë dhe për krijimin e një momentumi të ri, gjithëpërfshirës, konkurrues dhe me vizion të qartë”.
Këto propozime ai ka thënë se nuk gjetën përkrahje në votim, edhe pse, sipas tij, realiteti u pranua në fjalë.
“Kam refuzuar përjashtimet dhe kam kërkuar unitet. Jo për individë, por për një ide: që një parti që synon të udhëheqë, duhet së pari të jetë e bashkuar dhe e drejtë me vetveten. Edhe pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025, ku rezultati nuk ishte ai që e meriton LDK-ja, paraqita sërish analiza dhe rrugëdalje konkrete. U zgjodh një drejtim tjetër. E pranoj këtë si fakt politik, por jo si fund të bindjeve të mia”, ka shkruar Gashi.
Ai ka thënë se sot pa dilemë e thotë që hendeku mes LDK-së dhe votuesit nuk është rastësi, por “pasojë e mungesës së guximit për të ndryshuar në kohë”.
“Një cikël politik ka përfunduar. LDK-së i duhet një cikël i ri, me lidership dhe energji të re, me besim të rikthyer mbi vlerat e saj autentike.Sepse: Besimi nuk kërkohet – fitohet. Shpresa nuk premtohet – ndërtohet. Ndryshimi nuk pret – bëhet”, ka shkruar ai.
Ai ka vlerësuar se sot Kosovës i mungon më shumë se gjithçka tjetër besimi dhe shpresa.
“I duhet një politikë që pranon realitetin, por ndërton të ardhmen. I duhet një angazhim i sinqertë që e kthen qytetarin në qendër, i duhen vlerat e vërteta të LDK-së. Unë besoj se këto vlera mund të rikthehen. Dhe për këtë do të angazhohem pa hezitim. A do ta gjejë LDK-ja forcën për ta bërë këtë? Kjo mbetet për t’u parë. Unë do të vazhdoj të jem aty ku kam qenë gjithmonë: në anën e parimeve, të votuesit dhe të së vërtetës”, ka shkruar Gashi.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka emëruar Kryesinë e re të partisë.
Sipas njoftimit, përbërja reflekton “përvojën institucionale, energjinë e re; e mbi të gjitha përbashkimin e të gjitha niveleve si element thelbësor të forcimit tonë partiak”.
Anëtarët e Kryesisë së re të LDK-së (sipas renditjes alfabetike): Alban Zogaj, Alush Gashi, Anton Quni, Arbër Ismajli, Ardian Shala, Arjeta Salihu Abazi, Armend Zemaj, Avdullah Hoti, Berat Rukiqi, Besian Mustafa, Bexhet Xheladini, Doarsa Kica Xhelili, Doruntinë Maloku, Ekrem Hyseni, Ermal Sadiku, Fadil Hadergjonaj, Festim Kabashi, Gazmend Muhaxheri, Hykmete Bajrami, Ilir Ferati, Izet Sadiku, Jehona Lushaku Sadriu, Kujtim Shala, Lutfi Haziri, Paris Guri, Ruzhdi Shehu, Shefqet Shehu, Shkëmb Manaj, Sibel Halimi, Sokol Haliti, Sokol Havolli, Ukë Rugova, Visar Azemi, Xhafer Gashi.
Në krahasim me përbërjen e kaluar, sipas uebfaqes së LDK-së, mungojnë: Arben Gashi, Besa Gaxherri, Besnik Osmani, Driton Selmanaj, Elmire Nikçi Rexha, Florian Dushi, Imri Ahmeti, Lirije Kajtazi, Mirjeta Kalludra, Muhamet Hamiti, Rrezarta Krasniqi, Sokol Haliti, Visar Berisha, Vlora Dumoshi, Xhafer Tahiri.
Sipas njoftimit përbërja e re vjen si rezultat i organizimit të ri, për “konsolidimin e strukturave dhe fuqizimin e lidhjes ndërmjet qendrës dhe degëve”.
Postimi i plotë