Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Bryan Adams kthen kohën prapa me hitet e katër dekadave

Nga “Run To You” e deri te “Tonight We Have the Stars”, atmosfera u ndërtua gradualisht

Nga “Run To You” e deri te “Tonight We Have the Stars”, atmosfera u ndërtua gradualisht. Kur interpretoi “Back To You”, Adams luajti njëkohësisht në harmonikë të gojës dhe kitarën, duke dëshmuar se minimalizmi nuk nënkupton kufizim artistik. Në “Here I am”, një nga kolonat zanore më të dashura të filmit të animuar “Spirit”, salla u mbush me zëra që këndonin në unison

Pas koncertit në Tiranë vitin e kaluar, Bryan Adams mbërriti për herë të parë në Kosovë, duke sjellë turneun intim “Bare Bones”. Krejtësisht ndryshe nga spektaklet gjigante me të cilat është identifikuar për dekada. Pa grup të madh muzikantësh, pa ekrane gjigante e pa efekte spektakolare vizuale, artisti kanadez u shfaq vetëm me kitarën e tij, i shoqëruar nga pianisti Gary Breit. Në skenën e zhveshur, ku i vetmi element dominues është posteri i madh i turneut. Si shenjë se këngët me vlerë nuk lënë vend për zbukurime

Përpara se të niste koncerti, në korridoret e sallës “1 Tetori” nuk ndihej vetëm pritja për një artist botëror. Ndihej një lloj emocioni që zakonisht i shoqëron takimet e vonuara. Për shumë prej atyre që prisnin në radhë, Bryan Adams nuk është thjesht një emër i madh i muzikës rock. Është zëri që kishte shoqëruar rininë e tyre, kolonë zanore e udhëtimeve të gjata, e kasetave, CD-ve e radiove të viteve ‘80 e ‘90. Për të tjerë, është trashëgimi e kaluar nga prindërit te fëmijët. Dhe pikërisht ky ishte një nga detajet më domethënëse të mbrëmjes së të shtunës në Prishtinë. Publiku nuk ka ardhur vetëm për të parë një legjendë, por për të rikthyer kujtimet që prej dekadash i kanë ruajtur në këngët e tij. 

Pas koncertit në Tiranë, vitin e kaluar, Bryan Adams mbërriti për herë të parë në Kosovë, duke sjellë turneun intim “Bare Bones”. Krejtësisht ndryshe nga spektaklet gjigante me të cilat është identifikuar për dekada. Pa grup të madh muzikantësh, pa ekrane gjigante e pa efekte spektakolare vizuale, artisti kanadez u shfaq vetëm me kitarën e tij, i shoqëruar nga pianisti Gary Breit. Në skenën e zhveshur, ku i vetmi element dominues është posteri i madh i turneut. Si shenjë se këngët me vlerë nuk lënë vend për zbukurime. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Që në hyrje, me një solo të thjeshtë në kitarë, publiku shpërthen në duartrokitje. Është një pritje e ngrohtë, që nuk u fashit për afro dy orë koncert.

E megjithëse publiku e di, Adams ia bëri me dije që në fillim se koncerti do të jetë më intim. 

“Muzika vjen shumë e thjeshtë sonte. Vetëm zëri im dhe kitara, bashkë me pianon në disa këngë. Vij këtu pas 40 vjetësh e më shumë që shkruaj këngë”, është shprehur Adams, që është edhe kompozitor e producent 

Pak më pas e përkufizon edhe vetë konceptin e mbrëmjes.

“Mirë se erdhët në koncertin ‘Bare Bones’. E quajtëm kështu sepse sjell formën e thjeshtë, vetëm kitarë, piano dhe zërin tim”, ka vazhduar Adams. 

Pikërisht kjo thjeshtësi u kthye në forcën më të madhe të koncertit. Në sallën e kapluar nga temperaturat e larta, për të cilat është ankuar edhe vetë kantautori i njohur botërisht, askush nga publiku nuk është dukur se është shqetësuar për vapën. Vëmendja ka qenë krejtësisht te këngët. 

Nga “Run To You” e deri te “Tonight We Have the Stars”, atmosfera u ndërtua gradualisht. Kur interpretoi “Back To You”, Adams luajti njëkohësisht në harmonikë të gojës dhe kitarën, duke dëshmuar se minimalizmi nuk nënkupton kufizim artistik. Në “Here I am”, një nga kolonat zanore më të dashura të filmit të animuar “Spirit”, salla u mbush me zëra që këndonin në unison.

Kulmi emocional me “Please forgive me”

Nostalgjia ishte kryefjala e mbrëmjes. Repertori ishte ndërtuar si një udhëtim nëpër dekada me këngë si “Let’s make this a night to remember”, “Can’t stop this thing we started”, “Heat of the night”, “Cuts like a knife”, “Please forgive me”, “Summer of ‘69”, “Heaven”, “The only thing that looks good on me is you” dhe, në fund, “(Everything) I do, I do it for you”. Ishin këngë që publiku nuk kishte ardhur vetëm t’i dëgjonte, por t’i këndonte.

Kulmi emocional erdhi pikërisht me “Please forgive me”. Qindra zëra e morën përpara refrenin, ndërsa Adams, për disa çaste, u tërhoq nga mikrofoni për t’ia lënë sallës këngën. Ishte një nga ato momente kur artisti dhe publiku bëhen një trup i vetëm.

Megjithatë, koncerti nuk ishte vetëm një rikthim në repertorin klasik. Bryan Adams solli edhe këngë nga krijimtaria më e re, ndonëse reagimi i publikut tregoi se lidhja më e fortë vazhdon të mbetet me hitet që e kanë shoqëruar karrierën e tij për katër dekada. Vetë ai dukej se e kuptonte këtë, por nuk hoqi dorë nga prezantimi i materialeve të reja.

Një nga momentet më personale të mbrëmjes qe interpretimi i “It’s only love”. Bashkë me të erdhi edhe historia e bashkëpunimit me Tina Turner për këtë këngë. 

“Këtë këngë e shkruajta me idenë që Tina Turner do ta këndonte me mua. Isha 32 vjeç. E kontaktova menaxherin e Tinas dhe ai më tha se ajo dëshiron të më takojë. Dhe kënga vijon kështu...”, ka thënë Adams para se të nis këngën. 

Në një tjetër moment, ai ndërpreu ritmin e koncertit për të bërë një kërkesë të drejtpërdrejtë ndaj publikut: “Ju lutem ulni telefonat dhe shijoni muzikën”. Madje, duke ruajtur humorin karakteristik, iu drejtua një spektatori që vazhdonte të mbante telefonin lart: “A je duke më dërguar mesazh? Atëherë ule telefonin”.

Ishte një kujtesë se koncertet janë krijuar për t’u përjetuar në çdo moment të tyre.

Një nga pjesët më të fuqishme artistikisht dhe emocionalisht ishte prezantimi i këngës “Love is stronger than hate”, nga albumi i tij më i ri “Punches”. Adams ndau me publikun historinë e babait të tij, veteran i Luftës së Koresë dhe pjesë e misioneve paqeruajtëse të OKB-së.

“Babai dhe nëna ime janë nga Anglia. Babai im u zhvendos në Kanada bashkë me mua. Ai ishte në ushtrinë britanike dhe ishte gjithashtu në Luftën e Koresë. OKB-ja na ndihmoi. Ai ishte vëzhgues paqeruajtës. Kur u kthye, ai nuk ishte i njëjti njeri. Ishte diçka tjetër. Në atë kohë nuk kishte diagnozë mjekësore për PTSD, gjë që shumë njerëz e përjetojnë kur kanë parë shumë gjëra që u kanë shkaktuar trauma”, ka kujtuar Adams në ngjarjen e organizuar nga “RedCloud” dhe “Nu Coast”. 

Ka thënë se ushtarët që shërbejnë në Lindjen e Mesme, veçanërisht edhe populli i Palestinës mund të jenë duke e përjetuar. Kënga ka qenë për ta. 

“Nuk ndodh vetëm në ushtri, mund të ndodhë edhe në shtëpi. Nuk e kuptuam se çfarë ndodhi me të. Jam i sigurt se ka shumë njerëz që kanë të njëjtën situatë. Herë pas here, takoj njerëz që kanë qenë në luftime në Lindjen e Mesme. Unë thjesht dua t’ua kushtoj këtë këngë njerëzve që kanë luftuar me PTSD. Sigurisht, e dini, ne jetojmë në një kohë shumë të vështirë. Tani për tani, ne po shohim shumë fëmijë që vriten. Unë mund të bëj diçka. Shpresoj se mund të bëni edhe ju diçka për ta. Ata nuk kthehen njësoj. E vetmja gjë që e kalon atë është se ata kanë një fotografi të familjes së tyre”, ka thënë Bryan Adams, një prej emrave më të mëdhenj të muzikës rock dhe rock-pop, artist që për më shumë se katër dekada ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme si këngëtar, kantautor, kitarist, producent dhe fotograf.

Konsiderohet si një ndër artistët kanadezë më të suksesshëm të të gjitha kohëve.

Në moshën 15-vjeçare la shkollën për t'iu përkushtuar muzikës. Pak vjet më vonë u njoh me kompozitorin Jim Vallance, bashkëpunimi me të cilin do të shndërrohej në një nga partneritetet më të suksesshme në historinë e rock-ut. Dyshja krijoi dhjetëra hite që e ngrenë Adamsin në skenën ndërkombëtare.

Përvoja e pazakontë e publikut

Albumi i tij i tretë, “Cuts like a knife”, e bëri të njohur në mbarë botën, por fama globale erdhi një vit më vonë me albumin legjendar “Reckless”. Ky album përmban disa nga këngët më të njohura të karrierës së tij, si “Run to you”, “Summer of ‘69”, “Heaven”, “Somebody” dhe “It’s Only Love”. 

Në vitin 1991 publikoi baladën “Everything I do (I do it for you”, kolonë zanore e filmit “Robin Hood: Prince of Thieves”. Kënga u bë një nga sukseset më të mëdha në historinë e muzikës pop-rock, duke qëndruar 16 javë radhazi në vendin e parë të klasifikimit britanik – rekord që për shumë vjet mbeti i pathyeshëm.

Gjatë karrierës, Bryan Adams ka shitur mbi 100 milionë albume në mbarë botën dhe ka realizuar turne në të gjashtë kontinentet. Ai ka fituar një çmim “Grammy”, njëzet “Juno AWards”, ka qenë pesë herë i nominuar për “Academy Awards” dhe është nominuar disa herë edhe për “Golden Globe Awards”. Në vitin 2006 u bë pjesë e “Canadian Music Hall of Fame”, ndërsa më vonë u nderua edhe me yllin e tij në “Hollywood Walk of Fame”.

Në koncertin ku dominoi nostalgjia, ai e lidhi muzikën me realitetin bashkëkohor dhe me dimensionin human të artistit.

Po aq personale ishte edhe historia që tregoi para “Cuts like a knife”, duke kujtuar fillimet me bashkëpunëtorin e tij, Jim Vallance.

“Është lehtë të shkruash këngë, por jo të shkruash këngë të mira. Kur fillova të shkruaj këngë, nisa mjaft seriozisht, isha rreth 18 vjeç. Kisha një mik që shkruante këngë, Jim Vallance. Dhe unë shkoja në shtëpinë e tij çdo ditë. Dhe fillonim në drekë, hanim një sandviç dhe pinim një filxhan çaj. Dhe pastaj shkonim në bodrumin e tij. Dhe kalonim orë të tëra duke folur për këtë. Dhe pastaj papritur, le ta luajmë. Merrni një marrje mbrapsht dhe ndani një tjetër”, ka thënë në skenë Adams, i cili këngën e tij të parë e shkroi në moshën rreth 14-vjeçare. 

Edhe në fund, ai ruajti humorin duke thënë: “Edhe pse është nxehtë, ndihem se jam në vendin e duhur. Sepse kënga e radhës quhet ‘The right place’”.

Publiku ka qenë tërë kohën kënduar, brohoritur e duartrokitur. 

“Ka qenë përvojë e jashtëzakonshme. Prindërit m’i kanë mësuar këto këngë sepse i dëgjojnë shumë. Koncerti ka qenë perfekt, organizimi ka qenë i mirë dhe e vetmja gjë që ka munguar ka qenë që nuk ke mundur ku të marrësh pije, pasi koncerti ka zgjatur diku dy orë. Përndryshe gjithçka ka qenë perfekt. Por sa i përket koncertit, më së shumti emocion më ka dhënë kënga ‘Here I Am’ që është edhe kolonë zanore e filmit vizatimor ‘Spirit’ që e kam shikuar si fëmijë”, ka thënë Yllka Avdiu.
Për Dafina Muhaxherin, mbrëmja ishte realizim i një ëndrre shumëvjeçare.

“Është thjesht një ëndërr e realizuar. I dëgjoj qe shumë kohë, të transmetuara edhe prej prindërve. Është diçka që e kam ëndërruar prej shumë vitesh dhe më në fund ai është këtu. E kam shijuar në maksimum, ia ka vlejtur çdo sekondë e koncertit. Unë rri te pjesa e nostalgjisë. Te këngët që nuk harrohen dhe nuk ndryshohen”, ka thënë ajo. 

Midis publikut kishte edhe vizitorë nga jashtë Kosovës. Petra Posselt, e ardhur nga Gjermania, e ka përshkruar koncertin si përvojë që ka tejkaluar pritjet.

“Ishte e mahnitshme. Ishte gjithçka. Sepse jam 40-vjeçare, kështu që jam rritur me të, me këtë muzikë. Ai është i pabesueshëm. Ai tingëllon si në CD-të ose videot e tij. Gjithçka që keni imagjinuar ndonjëherë. Ai është i mahnitshëm dhe kaq i përulur dhe i sjellshëm. Dhe ai ishte kaq e thjeshtë. Ne pothuajse qamë”, ka thënë ajo duke përshkruar emocionet. 

“Ne në fakt qamë. Ai është një muzikant i mrekullueshëm. Dhe jam shumë e lumtur që patëm mundësinë të jemi këtu. Nuk e dija që ai ka bërë një turne në Ballkan. Ai është një muzikant i mahnitshëm dhe një person i sjellshëm, ashtu ngjante”, ka thënë ajo më tej. 

Edhe për Zana Beqën koncerti ishte një rikthim tek kujtimet familjare.

“Ishte si një ëndërr fëmijërie ta shihje atë live. Sepse mamaja ime, për shembull, kur isha 12 vjeç, dëshiroja këtë këngë radiofonike. Dhe mamaja ime telefonoi për të luajtur këngën e tij për mua kur isha 12 vjeç. Ju e dini se si e bënim këtë. Dhe tani e pashë live dhe jam absolutisht i lumtur. Jam shumë i lumtur. Mendoj se kjo ishte ëndrra e nënës sonë për t’i parë ata. Por meqenëse ata nuk mund ta shikonin atë duke luajtur, ishim ne, të afërmit, që e dëgjuam atë dhe e shijuam atë për ta. Ishim shumë të emocionuar. Ne këndonim gjatë gjithë kohës, si të çmendur”, ka thënë ajo. 

Koncerti i Bryan Adamsit në Prishtinë nuk u mbështet në spektakël. Ishte mbrëmje ku nostalgjia nuk ishte veç kujtim i së kaluarës, por dëshmi se muzika e mirë vazhdon të krijojë breza të rinj dëgjuesish.

Një kapitull i munguar që më në fund u shkrua.