Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gashi përfiton pagë nga Kuvendi, një vit pasi e kreu mandatin e deputetit

Kuvendi i Kosovës

Kryesia e Kuvendit ia ka aprovuar kërkesën ish-deputetit, Fadil Gashi, që ta marrë pagën kalimtare, edhe pse ai e kishte kërkuar atë një vit pas afatit ligjor. Sipas IKD-së, ky vendim mund të jetë i kundërligjshëm dhe diskriminues, pasi ligji parasheh që kompensimi të merret menjëherë pas përfundimit të mandatit dhe jo retroaktivisht. Për bazën ligjore të vendimit, që nga e premtja Kuvendi nuk i ka dhënë informacione KOHËS

Kuvendi i Kosovës ia ka mundësuar deputetit të para dy legjislaturave, Fadil Gashit, që ta marrë pagën kalimtare retroaktivisht, i cili u kujtua ta kërkonte atë tek një vit pas afatit e përfundimit të mandatit.

Ky vendim u mor në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit më 20 prill, edhe pse disa ditë më parë aty ishte deklaruar se për të aplikuar për këtë kompensim, Gashi ka pasur kohë nga 3 deri më 10 mars të 2025-tës dhe ai nuk e kishte bërë këtë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Kërkesën për këtë pagë me arsyetimin se nuk punon askund, Gashi e ka bërë një vit më vonë, më 3 mars të këtij viti, e cila në kryesi, sipas procesverbalit të datës 30 mars, u tha se ka qenë e pasafatshme.

Megjithatë 20 ditë pas kërkesa e tij iu aprovua.  Gashi për një vit do t’i marrë 24 mijë euro nga Kuvendi.

Ky kompensim kalimtar që është pagë mujore bazë e deputetit, garantohet me Ligjin për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit dhe jepet për 12 muaj që nga përfundimi i mandatit, nëse ai nuk punon a nuk pensionohet por nuk përcaktohet në ligj të jepet retroaktivisht. 

Në Kuvendin e Kosovës prej të premtes nuk kanë dhënë informacione se cili është arsyetimi ligjor mbi të cilin, Kryesia ia ka mundësuar këtij deputeti që ta realizojë pagën kalimtare, ani se nuk i ka respektuar afatet e aplikimit për të dhe kërkesa është bërë një vit më vonë.

Naim Jakaj, monitorues i punës së Kuvendit nga IKD-ja, e vlerëson si të paligjshme meqë thotë se ky vendim devijon nga Ligji për të Drejtat e Deputetëve që thekson se paga kalimtare merret menjëherë pas përfundimit të mandatit.

“Një vendim i tillë ne konsiderojmë që mund të jetë i kundërligjshëm në rastin kur nuk është zbatuar qëllimi i ligjit sepse paga kalimtare nuk ka kuptim të jepet pas tre viteve apo pas katër vjetëve. Qëllimi i pagës kalimtare është që ta ruajë deputetin... nga ndonjë pasiguri financiare të tij pas mbarimit të detyrës”, ka thënë Jakaj.

KOHA i ka kërkuar Kuvendit të sqarojë nëse kjo e drejtë e kërkuar pas afatit nga Gashi, mund t’i takojë secilit deputet të legjislaturave të mëhershme që nuk e ka marrë pagën kalimtare, çka do ta rëndonte buxhetin. 

Por në Kuvend as për këtë nuk kanë dhënë sqarime. E Jakaj thotë se nëse vendimi do të ishte i ligjshëm, do të krijohej ky precedent.

Pensionistët, për ta marrë pensionin duhet të paraqiten personalisht në institucione çdo 6 muaj.
Nëse nuk e bëjnë këtë brenda afatit, ata e humbin të drejtën e kompensimit për ata muaj sa nuk paraqiten dhe pensionin mund ta fitojnë retroaktivisht vetëm pas betejave në instancat gjyqësore.

Sipas Jakajt ky vendimi i Kryesisë për deputetët, përbën diskriminim në raport me këto kategori sociale.

“Kjo nuk është e drejtë, është diskriminuese dhe përfaqësuesi i qytetarëve që në këtë rast është një organ siç është kryesia që është përgjegjëse për çështjet administrative, nuk do të duhej të vepronte në një mënyrë të tillë. Nëse do të veprojë në një mënyrë të tillë atëherë do të duhej të veprohej edhe për grupet sociale të cenueshme”, ka thënë ai.

Deputeti që ka kërkuar këtë pagë e ka arsyetuar ndër të tjera edhe për arsye se nuk ka qenë i informuar. 

Ai ka pasur mandat të plotë 4 vjeçar në legjislaturën e tetë dhe për katër vjet nuk e ka lexuar Ligjin për detyrat dhe përgjegjësitë e deputetit që ia jep këtë mundësi. 

Sipas Kuvendit të Kosovës, aktualisht pagën kalimtare janë duke e marrë 15 ish-deputetë të legjislaturës së 9, 6 të PDK-së, 6 të LDK-së, një i Nismës dhe dy nga komunitetet.

E për këta të legjislaturës së fundit, asaj të 10-ës, kohë për aplikim ka nga 30 prilli deri më 7 maj.