Arbëri

Gati gjysma e qytetarëve të Prishtinës kanë qenë të infektuar me koronavirus

Afro gjysma e qytetarëve të Prishtinës janë infektuar me koronavirus, ka njoftuar Komuna e Prishtinës.

Kryetari Shpend Ahmeti ka bërë me dije se bazuar në hulumtimet e realizuara, 47 për qind e qytetarëve kanë dalë pozitivë, qoftë me testet serologjike apo PCR.

“Nga diskutimet e shumta që kemi pasur, kemi menduar se kjo shifër do të jetë rreth 30 për qind, sepse na është dukur numër i lartë. Gati gjysma e qytetarëve të Prishtinës e kanë pasur COVID-19”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka thënë se hulumtimi është kryer në muajt maj dhe qershor të këtij viti, duke shtuar se procesi i vaksinimit është i domosdoshëm, pavarësisht tejkalimit të koronavirusit nga disa qytetarë.

“48 për qind e punëtorëve shëndetësorë kanë dalë pozitivë, me serologjik ose PC. Ky hulumtim është bërë në periudhën tetor-nëntor. Këta kanë pasur një përqindje më të lartë të COVID-19. Me gjithë masat që kemi marrë, janë rrezikuar. Në punëtorët komunal na ka dalë se përqindja ka qenë më e vogël, kjo sepse kanë qenë të liruar nga puna dhe është rreth 20 për qind”, ka shtuar tutje.

Aktualisht Prishtina i ka 13 raste aktive, duke u renditur si komuna e gjashtë në nivel vendi.