Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gazetarët vazhdojnë të jenë cak i sulmeve

Mediat

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, gazetarë në Kosovë kanë ndarë përvojat e kërcënimeve dhe sulmeve të cilave i janë nënshtruar. Vetëm vitin e shkuar janë raportuar 69 të tilla. Profesionistë të mediave kanë shtruar nevojën që rastet të trajtohen me prioritet nga gjykatat. Por pikëpamje të ndryshme kanë paraqitur shoqata të gazetarëve e udhëheqës shtetërorë, përkitazi me raportimin dhe lirinë e medias në Kosovë

Ardiana Thaçi-Mehmeti është prej gazetareve që është përballur me kërcënime e shantazh, shkaku i punës si gazetare.

Ajo thotë se ka përjetuar edhe ankth, pasi ka pasur fushata që ia kanë përfshirë edhe familjarët.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

“Me punu gjatë në gazetari hulumtuese normalisht ka edhe pasoja të tjera, të cilat ndoshta janë të padukshme, por ne i mbajmë brenda dhe me kalimin e kohës bëhen më të rënda. Ka ndodh në rastin e ‘Albkings’, kur u publikuan numri im dhe të dhënat personale. Fillimisht e kam marrë si çdo temë tjetër, por më pas ka ndikuar te familjarët e mi dhe kjo ka qenë pika që më ka bllokuar, duke më bërë të pyes veten nëse ia vlen”, ka thënë ajo.

Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, të dielën, në Prishtinë u organizua tryeza për “Ndikimin e profesionit në shëndetin mendor të punonjësve të mediave”, organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe Rrjeti i Grave Gazetare.

Gazetarja Venera Xhoxhaj ka folur për pasojat që i ka lënë sulmi që ajo dhe punonjës të mediave tjera iu nënshtruan, gjatë raportimit nga protestat në veri.

“Nga momenti kur ka ndodhur sulmi, fillimisht jemi marrë me trajtuar problemet fizike, normalisht shëndetin fizik sepse atëherë kemi pasur nevojë më tepër. Po sa herë që diskutoj për këtë temë, e shoh që po mbetet, ka gjurmë të asaj traume”, ka thënë Xhoxhaj.

Vetëm vitin e shkuar në Kosovë janë regjistruar 69 raste sulmesh ndaj gazetarëve.

Profesori i gazetarisë, Dren Gërguri, shpreh nevojën që të krijohet një ambient më i sigurt për raportim në interes të qytetarëve.

“Duhet të përmirësohet situata dhe ambienti për gazetari, me më shumë liri të shtypit në Kosovë. Rastet kur gazetarët kërcënohen apo sulmohen duhet të kenë prioritet në sistemin gjyqësor, ndërsa njëkohësisht duhet të krijohet një klimë ku gazetarët ndihen të lirë të raportojnë për çdo temë në interes publik.”

E në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit janë përplasur versionet e shoqatave të gazetarëve me ato të autoriteteve, për raportimin dhe ambientin në të cilin punojnë gazetarët.

Asociacioni i Gazetarëve ka akuzuar Qeverinë dhe partinë kryesore të koalicionit qeverisës, Lëvizjen Vetëvendosje, për përpjekje për të delegjitimuar punën e gazetarëve.

“Gazetarët dhe mediat mbesin cak i sulmeve nëpërmjet fjalorit denigrues që ka për qëllim uljen e besimit të publikut në raportimin e tyre. AGK-ja i bën thirrje Qeverisë në detyrë, Vetëvendosjes dhe gjithë akterëve politikë që të respektojnë dhe të mos e pengojnë punën e gazetarëve, si faktor kyç në zhvillimin demokratik të vendit”, thuhet në deklaratën e AGK-së.

Por, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, e cila është një nga personalitetet kryesore të Vetëvendosjes, ka thënë se lajmi duhet ndarë nga manipulimi.

“Epoka jonë karakterizohet me ritëm të shpejtë informimi, ndaj sfidat për ta dalluar faktin nga interpretimi janë gjithnjë e më të mëdha. Roli i mediave profesionale dhe i gazetarëve të përkushtuar mbetet thelbësor për informimin e drejtë të qytetarëve sepse kur e vërteta cenohet, kur lajmi ngatërrohet me manipulim, kur gjysmë të vërtetat ia zënë vendin fakteve dhe kur interesat e fshehura flasin në emër të publikut, qytetari e humb orientimin dhe demokracia dobësohet”, është shprehur Haxhiu.

Kosova ka përmirësuar këtë vit renditjen në Indeksin e Reporterëve Pa Kufij. Bazuar në raportin e publikuar këtë javë, Kosova është renditur në vendin e 84-t, 15 vende më mirë sesa në vitin paraprak.

Shefja në detyrë e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, ka thënë se ky progres duhet të ruhet nga zyrtarët publikë dhe akterët politikë.

“Inkurajuese të shohësh Kosovën të ngjitet për 15 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit të Reporterëve pa Kufi. Ky progres tani duhet të ruhet nga zyrtarët publikë dhe establishmenti politik, të cilët ndajnë përgjegjësinë për sigurimin e një mjedisi që mundëson funksionimin e mediave. BE-ja do të mbështesë”, është shprehur Palatova.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e ka shpallur 3 majin Ditë Botërore të Lirisë së Shtypit. E drejta e shprehjes së lirë që është e garantuar me nenin 19 të Deklaratës së Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut, dhe ajo është rikonfirmuar edhe në Kushtetutën e Kosovës.