Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe bashkëkryetarja e Listës GUXO, Donika Gërvalla, ka thënë se intervistimi i ministrit në detyrë të Bujqësisë, Faton Peci nga organet e hetuesisë është “inskenim të gërditshëm” nga kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj.
Gërvalla e cilësoi Pecin si “ministrin më shembullor të këtij mandati” dhe deklaroi se aksioni i së martës përbën “hakmarrje të shëmtuar” ndaj përpjekjeve të ministrit për të luftuar korrupsionin.
“Hakmarrje e shëmtuar ndaj betejës së suksesshme të Fatonit kundër korrupsionit dhe guximit të tij për t’u ballafaquar me secilën shkelje të ligjit, pa marrë parasysh se sa të rrezikshëm janë shkelësit dhe sa shumë shokë e ortakë kanë në Prokurorinë Speciale”, ka shkruar Gërvalla në një postim në Facebook të martën pasdite.
Ajo kritikoi ashpër organet e drejtësisë, duke thënë se ato po përdoren për të njollosur figura politike të pastra dhe për të ndëshkuar suksesin.
“Kthim prapa nuk ka. Deri në reformimin e plotë edhe të sistemit të drejtësisë,” përfundoi reagimin e saj Gërvalla.
Bashëkryetari i Listës Guxo, Faton Peci, po intervistohet nga organet e hetuesisë lidhur me tenderin për funksionalizimin e objekteve për përpunimin e produkteve shtazore, pas aksionit të Policisë së mbajtur të martën. Po ashtu, është duke u intervistuar edhe kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, Bekim Hoxha, çka është konfirmuar nga avokati i tij, Artan Çerkini.
