Dy pjesë eshtërore që dyshohet se janë të viktimave të luftës janë gjetur në rajonin e Rahovecit, në afërsi të varrezave të qytetit, ka bërë të ditur Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.
Pas gjetjeve të këtyre dy pjesëve një ditë më parë, të enjten janë gjetur edhe mbetje mortore të të paktën një individi.
“Sipas planifikimeve operacionale, gërmimet kanë filluar ditën e djeshme, ku janë gjetur dy pjesë ështërore , të cilat janë dërguar për ekzaminim në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ndërsa gjatë ditës së sotme, janë gjetur mbetje mortore te të paktën një individi, të cilat mund t’i përkasin viktimave të luftës që mund të jetë në listën e personave të zhdukur. Gërmimet po realizohen nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, Sektori për Hetimin e Personave të Zhdukur Gjatë Luftës- në kuadër të Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur”, thuhet në njoftim të këtij Komisioni.
Ky lokacion ka qenë i fundit në kuadër të gërmimeve të planifikuara për sivjet.